Krasniqi i përgjigjet Shametit: Kostumi mund t’i duhet për dasmë, jo për titullin

Mar 20, 2017 | 18:26
SHPËRNDAJE

Partizani i është bashkëngjitur Kukësit në krye të tabelës së klasifikimit dhe tashmë gara për titullin kampion pritet të jetë shumë e ashpër. Qendërmbrojtësi shtatlartë i të kuqve, Gëzim Krasniqi, i cili nuk ka luajtur në dy përballjet e fundit për shkak të një dëmtimi, në një prononcim për “Panorama Sport”, pas ndeshjes me Korabin, është shprehur se marrja e kreut ishte një gjë që pritej, duke parë fitimin e ndeshjeve nga java në javë.

2krasniqi

Ai komentoi edhe ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut që të kuqtë do ta luajnë në shtëpi. “Ajo ndeshje do të jetë një finale e parakohshme, megjithatë objektivi i Partizanit është që të fitojë ndaj çdo skuadre, qoftë Skënderbeu, Korabi apo Vllaznia”, ka vazhduar lojtari, që është kthyer në një pikë të fortë në prapavijën e kuqe.

Ndaj korçarëve, Partizanit mund t’i rikthehen edhe tifozët në shkallët e stadiumit, pasi klubi i kuq pritet të paguajë gjysmën e dënimit. “Tifozët kanë qenë dhe janë mbështetja jonë më e madhe, sidomos në këtë ndeshje, kur kemi edhe nevojë për praninë e tyre në shkallët e stadiumit. Besoj se do jenë të shumtë në numër, që në fund të shijojnë edhe një fitore. Rruga drejt titullit kampion është e vështirë, pasi kemi garë me dy ekipe mjaft të forta si Skënderbeu e Kukësi, megjithatë nuk besoj që ne të ndalemi më”, tha 28-vjeçari kavajas.

Në fund, Krasniqi ka edhe një batutë për mbrojtësin e Kukësit, Ylli Shameti, i cili pas barazimit në Korçë u shpreh se kostumin e kampionit e kishin çuar te rrobaqepësi. “Shametin e kam mik, por ndoshta e kanë ftuar në ndonjë dasmë tani afër dhe e ka porositur kostumin që ta ketë gati”, mbylli Krasniqi.

alla shameti ekuban kukesi partizani

Çfarë tha Shameti

I pyetur pas ndeshjes me Skënderbeun në lidhje me faktin se si i rri Kukësit kostumi i kampionit, Shameti është shprehur: “Ne kemi kohë që e kemi çuar te rrobaqepësi kostumin. Ai po bën punë të mirë dhe ne në fushë gjithashtu, në mënyrë që ta mbajmë deri në maj. Kemi shumë ndeshje finale të vështira dhe duhet të jemi të qetë të vazhdojmë punën dhe të vlerësojmë çdo ndeshje si të fundit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura