Krahas luftës, Ukraina nis aksionin për goditjen e zyrtarëve të korruptuar! Kontrolle të befasishme edhe në shtëpitë e disa prej personave më të pasur

Feb 1, 2023 | 18:11
SHPËRNDAJE

Ukraina ka nisur një operacion të gjerë për goditjen e zyrtarëve të korruptuar si dhe biznesmenëve të përfshirë në këtë akt.

bastisje

Kontrolle të shumta janë zhvilluar në banesat e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe shtëpinë e ish-ministrit Arsen Avakov.

Sipas BBC, kontrolle u kryen edhe në banesën e një prej njerëzve më të pasur në vend, siç është Ihor Kolomoisky, biznesmen dhe ish guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk Oblast.

Kreu i partisë së Presidentit Volodymyr Zelensky në parlament tha se Ukraina do të ndryshojë gjatë luftës.

“Nëse dikush nuk është gati për ndryshim, atëherë vetë shteti do të vijë dhe do t’i ndihmojë ata të ndryshojnë,” tha David Arakhamia në aplikacionin Telegram.

Ukraina është vënë nën presion në rritje nga partnerët e saj perëndimorë, veçanërisht BE-ja, për të luftuar korrupsionin. Kur Zelensky erdhi në pushtet në vitin 2019, ai përmendi luftën kundër korrupsionit si një nga prioritetet e tij kryesore.

Kievi do të presë një samit me zyrtarë kryesorë të BE-së këtë javë, i parë nga Ukraina si shumë i rëndësishëm në shtytjen e saj për anëtarësimin në union. Kievit iu dha statusi i kandidatit për në BE katër muaj pas pushtimit të Rusisë, por atij iu kërkua të bënte më shumë për të luftuar korrupsionin.

Dhjetë figura kryesore ukrainase dhanë dorëheqjen javën e kaluar, si pjesë e spastrimit, duke përfshirë zëvendës shefin e zyrës së Zelensky, Kyrylo Tymoshenko.

Disa zëvendësministra dhe guvernatorë rajonalë u përjashtuan gjithashtu. Zelensky tha në atë kohë se çdo problem i brendshëm që pengonte shtetin do të pastrohej për të ndihmuar “afrimin e Ukrainës me institucionet evropiane”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura