KQZ rrëzon PD për Kurbinin. Lefteria sërish në krah të PS-së

Jul 3, 2015 | 21:12
SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hedh poshtë kërkesën e PD-së për pavlefshmëri të zgjedhjene në Kurbin.

Me katër vota pro, përfshi edhe atë të kryetares së KQZ-së, Lefteri Luzi, u vendos që të mos pranoheshin argumentet e opozitës, çka bënë të pavlefshme tre votat që mbështesin kërkesën e PD-së.

“Duam të gjejmë probleme? Probleme ka kudo, por ato që ngre Partia Demokratike nuk çojnë në pavlefshmëri”, tha kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi, përpara se të hidhte për votim kërkesën e demokratëve. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot shqyrtimin e kërkesës së PD-së për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e zhvilluara në Bashkinë e Kurbinit.

Perfaqesuesit e PD, Kosovrasti dhe Kaso ne KQZ

Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti tha se një shkelje flagrante në këtë zonë ishte fakti se një prej anëtareve të KZAZ-së, e cila funksionoi me katër anëtarë, kishte burrin kandidat për këshillin bashkiak. Kjo sipas Kodit Zgjedhor është e palejueshme dhe duhej që komisionerja të jepte dorëheqjen.

“Shkelja e ligjit në ditën e votimit është që grupi prej 4 komisionerësh të KZAZ 15 i cili emëroi komisionerët e qendrave të votimit, vendimi i tyre është zero. Në përbërje të tyre është një komisionere, Majlinda Cara, e cila është në mënyrë të jashtëligjshme komisionere sepse ka burrin kandidat për këshillin bashkiak. Vendimet e tyre janë të jashtëligjshme, sepse nga katër mbeten tre komisionerë. Kjo është shkelje e ligjit”, tha Kosovrasti.

Ndërsa Ivi Kaso theksoi se “persona të paautorizuar kanë marrë në dorëzim materialet zgjedhore për qendrat e votimit, pa procesverbalet përkatëse. Në të gjitha qendrat e votimit është administruar procesi i votimit nga persona të paautorizuar, të panjohur dhe të paligjshëm. Ne nuk e dimë nëse këta persona janë të dënuar apo jo, nuk e dimë nëse janë të trajnuar apo jo. Subjektit tonë i është ndaluar të ketë edhe vëzhgues në qendrat e votimit”.

Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj tha se “në vlerësimin tonë kërkesa e Partisë Demorkatike për pavlefshmëri në Kurbin është e pabazuar. Partia Demokratike duhet ta kërkonte që në fillim largimin e komisioneres që ka burrin kandidat. Përse nuk e kërkuat ju? Edhe tjetra, si ndikoi Majlinda në komisionin e qendrave votimit?”.

PD kishte regjistruar fillimisht Altin Bibën si kandidat për kryetar në Kurbin, por dy javë më pas ai dha dorëheqjen. Në këto kushte PD propozoi Ilir Pjetrajn, vëllai i deputetit Mhill Fufi, por kjo nuk u pranua as nga KQZ-ja dhe as nga Kolegji Zgjedhor.

Në këto kushte demokratët vendosën të bojkotojnë zgjedhjet si për kryetar të Bashkisë së Kurbinit, ashtu edhe për Këshillin Bashkia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura