KQZ me 4 anëtarë në fund mandati, LSI si opozitare ngelet e papërfaqësuar. Ç’kërkojnë PD e PS

Sep 24, 2018 | 15:00
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Marrëveshja e një viti më parë mes Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha mund të prishë edhe një nga dakordësitë kryesore të saj që lidhej me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

kqz

Në mesin e muajit tetor, katër prej shtatë anëtarëve të KQZ-së i përfundon mandati. Vakancat, që krijohen muajin e ardhshëm në institucionin kryesor të zgjedhjeve në Shqipëri, i ka konfirmuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, përmes një shkrese që i ka dërguar Komisionit të Ligjeve.

Burime të “Panorama” bëjnë me dije se në shkresën drejtuar kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit njofton se anëtarët e KQZ-së: Bledar SKËNDERI(PS), Gëzim VELESHNJA(LSI), Hysen OSMANAJ(PD) dhe Vera SHTJEFNI(PD) janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre dhe se duhet nisur procedura e zëvendësimit të tyre.

Do të jetë vullneti i forcave politike, që kanë bërë propozimet, për të përcaktuar nëse do t’i rimandatojnë përfaqësuesit e tyre në tryezën e KQZ, ndërkohë që debati duket se do të zhvendoset i gjithi për anëtarin e LSI-së. Gëzim Veleshnja u propozua nga LSI për të qenë anëtar i KQZ në kohën kur kjo forcë politike ishte në bashkëqeverisje me Partinë Socialiste.

Ndërkohë që në përfundim të mandatit të tij, PS pritet të kërkoj ta marrë edhe anëtarin e saj të katërt në tryezën e vendimmarrjes së KQZ-së. Ky vendim do ta linte forcën e dytë opozitare, LSI pa anëtar në KQZ ndonëse ka në Parlament 18 deputetë. Do të jetë vendimmarrja e PD-së ajo që do të përcaktojë nëse një nga anëtarët e saj do t’ia lërë si ekskluzivitet të saj LSI-së për ta propozuar.

MARRËVESHJA

Nëse demokratët do të kërkojnë të mbajnë dy mandatet e tyre në tryezën e KQZ-së, mandati i tretë i LSI-së do të vijë si rezultat i një kërkese për shkarkimin e nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba. Pas marrëveshjes Rama-Basha në 18 maj të vitit të kaluar, Biba nga “kryetar” kaloi “nënkryetar” dhe nga “socialist” u regjistrua si “republikan”. Ky ndryshim ndodhi edhe me kreun aktual të KQZ-së, Klement Zguri, i cili nga “republikan” u regjistrua si “socialist”, në respekt të ligjit zgjedhor, ku shumicën në komision duhet ta ketë maxhoranca.

Kërkesa e PD-së për shkarkimin e nënkryetarit, Denar Biba, me gjasë, do të pasohej me të njëjtën kërkesë të socialistëve për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri. Por Kodi Zgjedhor e tregon qartë se asnjë anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk mund t’i ndërpritet pa arsye ligjore mandati, që ka marrë nga ligjvënësit.

Edhe disa muaj më parë socialistët e kërkuan shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri, duke kërkuar të marrin shumicën në tryezën e Komisionit Qendror Zgjedhor. Debati për zëvendësimin e anëtarëve të KQZ-së pritet të nisë në Komisionin e Ligjeve javët e ardhshme.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura