Kostot e Ballkanit jashtë Europës

May 28, 2015 | 12:55
SHPËRNDAJE

FRANKO EGRO
                 
                            Në “ringun e politikës glo bale”, një ndër peshat super të rënda po ndeshet ashpër prej muajsh duke shkëmbyer grushte të dhunshme, plot mllef dhe pa rregulla loje, në atë që i ngjan më së shumti një beteje karateje si në “kafazet e vdekjes”. .Në funksion të fitores ajo është e gatshme për gjithçka.

Rusia e trimëruar, si shpeshherë, po tenton sërish të prishë shumë balanca, në funksion të krijimit të ekuilibrave të rinj, të cilët do ta bënin të ndihej sërish protagonist dhe aktor përcaktues në skenën botërore. Siç ka ndodhur rëndom në realitete të tilla, Ballkani rifutet në lojë, madje në një lojë tejet të rrezikshme.

Dhe, fatkeqësisht, pjesës më problematike të kontinentit, kësaj fuçie shpërthyese, nuk është e vështirë t’ia ndezësh fitilin. Ndonëse siguria në rajon është përmirësuar ndjeshëm qysh pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, janë ndarjet sektare, konfiguracioni kompleks etnik, por mbi të gjitha për shkak të faktit se shumica e shteteve përbërëse të tij janë ekonomikisht tejet të prapambetura, më papunësi të konsiderueshme, me demokraci embrionale dhe me politikë që interpretohet nga politikanë të papërgjegjshme, sa të korruptuar aq edhe të kriminalizuar, e shndërrojnë atë në një territor lehtësisht të tërheqshëm në kaos.

Moska, si lojtare e regjur dhe protagoniste aktive ndër shekuj në këto hapësira, i njeh fare mirë pikat e dobëta të realitetit modern rajonal, dhe në mënyrën që vetëm ajo di, po i shfrytëzon me mjeshtëri, me synimin e kahershëm për t’i shtrirë sërish tentakulat e saj të influencës dhe të nxjerrë përfundimisht nga binarët investimin intensiv politik dhe ushtarak të SHBA dhe BE. Rusia dhe Serbia janë dy shtete ortodokse.

Tradicionalisht Moska ka ushtruar ndikim të fortë politik në Serbi, në këtë vend që historikisht ka shërbyer si qendër graviteti e politikave të saj ballkanike. Në zhvillimet e dekadës së fundit, Moska e ka kundërshtuar si pakkush pavarësinë e Kosovës; dhe për më tepër ajo e ka përdorur atë jo pak si justifikim për gllabërimin e Krimesë, Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut. Lidhjeve dhe raporteve historike, Moska, plotësisht e ndërgjegjshme për gjendjen e rëndë që po kalon ekonomia serbe, ka nënshkruar me të një marrëveshje strategjike partneriteti të fokusuar në sektorët jetikë të transportit dhe energjisë. Për më tepër, Serbia mbetet i vetmi vend në Europë që ka Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Rusinë.

Dimension tjetër jetik mbetet bashkëpunimi ushtarak. Rusia nënshkroi së fundmi një marrëveshje me Serbinë, nëpërmjet së cilës ushtarët rusë e përdorin si bazë të tyren Aeroportin e Nishit. Më tej, këto dy vende kanë nënshkruar edhe një marrëveshje unike 15-vjeçare ushtarake, nëpërmjet së cilës parashikohet shkëmbimi i informacioneve sekrete dhe zhvillimi i manovrave dypalëshe ushtarake. Ndërhyrjet ruse në Krime e më pas në Ukrainë nuk e ndryshuan qëndrimin serb ndaj Rusisë. Beogradi qartazi nuk iu bashkua sanksioneve antiruse.

Për më tepër është e pamundur të shlyhet nga sytë pritja madhështore e Presidentit Putin në Beograd, në tetor të vitit të kaluar, ku u nderua me paradën më të madhe ushtarake të organizuar ndonjëherë në këtë vend, qysh pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Më tej, njësi ushtarake serbe morën pjesë në paradën e madhe në Sheshin e Kuq në Moskë, në kujtim të fitores së madhe mbi nazizmin.

“Divide et Impera” (Përça e Sundo) në Bosnjë. Bosnjë-Hercegovina prej vitesh ka shprehur angazhimin e saj për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike; Por, sigurisht për të mbërritur në destinacion, do të duhet pa fund kohë. Ajo ka negociuar me Brukselin edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE, por nuk ka hyrë në fuqi për shkak të moskryerjes së reformave të domosdoshme ekonomike dhe politike. Në 2010, NATO i ofroi Bosnjë-Hercegovinës Planin e Veprimit të Anëtarësimit, por progresi për të fituar të drejtat e plota është frenuar tërësisht për shkak se pronat e paluajtshme të mbrojtjes në vend nuk janë nën kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Moska është plotësisht e qartë se mënyra më e lehtë dhe më efikase për të penguar integrimin europian të Bosnjës, është shfrytëzimi i dasive etnike mes serbëve, kroatëve dhe myslimanëve. Rusia është veçanërisht aktive në pjesën serbe, të njohur ndryshe si Republika Sërpska. Drejtuesit e saj kanë një raport shumë të veçantë e miqësor me Kremlinin. Ngjarjet e fundit në Ukrainë, dhe më parë, aneksimi i Krimesë, e inspiruan më fort retorikën separatiste në këtë pjesë të Bosnjës. Në këmbim, marrëdhëniet e Rusisë me Republikën Sërpska i ngjajnë më shumë një marrëdhënieje me një shtet të pavarur sesa një rajon gjysmëautonom brenda Bosnjës.

Kur Presidenti Putin vizitoi Serbinë vitin e kaluar, Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, u trajtua si kryetar shteti, teksa u ftua në takim personal me mikun rus. Rusia, e cila e ka fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, abstenoi gjatë një votimi lidhur me zgjatjen e misionit paqeruajtës në këtë vend. Kjo ishte madje edhe hera e parë që Moska nuk votoi në përkrahje të kësaj rezolute gjatë 14 viteve. Ajo shkoi madje më larg, teksa kërkoi që të hiqej nga teksti i rezolutës togfjalëshi kuptimplotë: “perspektiva euroatlantike e Bosnjë-Hercegovinës”.

Mali i Zi, në përpjekje të gjetjes së ekuilibrit mes Lindjes e Perëndimit. Rusia dhe Mali i Zi tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie të ngushta gjatë shekujve. Por, shumë ndryshe nga Serbia dhe Bosnja, ky vend me shumë zgjuarsi po i ruan lidhjet e ngushta me aleatin e vjetër, ndërkohë që i ka intensifikuar ndjeshëm marrëdhëniet me Perëndimin. Ai mund të quhet i suksesshëm në ruajtjen e përqendrimit dhe të fokusimit drejt integrimit në BE, ndonëse janë shfaqur dhe po dallohen shenjat e para të humbjes së durimit, apo lodhjes me Perëndimin, për shkak të vonesave në anëtarë- simin në NATO dhe në BE.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, qeveria e Podgoricës jo vetëm i mbështeti sanksionet e BE ndaj Moskës, por vendosi edhe sanksionet e saj individuale. Por, kur NATO nuk e ftoi atë për t’iu anëtarësuar aleancës në samitin e saj të fundit në Uells, disa zyrtarë të lartë malazezë, përfshirë edhe vetë Kryeministrin e plotfuqishëm, e vunë në diskutim qëndrimin e tyre ndaj Rusisë. Nuk duhet harruar se Rusia ka një influencë të konsiderueshme ekonomike në Malin e Zi.

Më konkretisht: ai është investitori më i madh në vend; një e treta e ndërmarrjeve në vend janë pronë e kompanive ruse. Moska tentoi së fundi të ndërhyjë edhe në çështjet e sigurisë. Për shkak të kaosit në Siri, Rusia nuk mund t’i përdorë më portet aty, ndaj i kërkoi Malit të Zi që të shfrytë- zojnë portet e saj. Kjo kërkesë u refuzua, pasi rrezikonte dëmtimin e pariparueshëm të aspiratës strategjike të Podgoricës për t’u anëtarësuar në NATO.

Kundër erërave të ftohta ruse. Përballë kësaj mësymjeje të shumëfishtë, SHBA të angazhuar intensivisht në Ballkan kanë investuar në shumë rrafshe qysh prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, me shpresën madhore për stabilizimin dhe demokratizimin e rajonit, i cili do të ishte pjesë integrale e komunitetit paqësor euroatlantik. Deri tani, vetëm Sllovenia dhe Kroacia janë të tilla; Pak, vërtet shumë pak.

Rusia po e shfrytëzon në maksimum mungesën e thekshme të stabilitetit ose, thënë më qartë, të mossuksesit të deritanishëm të SHBA, por më shumë të BE në stabilizimin e plotë, me synimin për ta shndërruar atë në pjesë integrale të vetën. Realitetet komplekse ballkanike shtrojnë si detyrim madhor që, pavarësisht prej angazhimeve të SHBA në pika të tjera të nxehta të rajonit, ku interesat e saj janë realisht shumë më të mëdha, për asnjë moment nuk duhet të shfokusohet nga rajoni i Ballkanit. Trupat e NATO-s në Kosovë duhet të vazhdojnë të qëndrojnë, pasi shërbejnë si garantues të sigurisë, konsolidimit të demokracisë dhe frenues të orekseve të hapura ruse.

Të qenët e serbëve nën influencën ruse e bën tejet të rrezikshëm komunitetin serb, i cili ende nuk e pranon sovranitetin e Republikës së Kosovës. Po intensifikohen përherë e më shumë zërat autorë, sipas të cilëve SHBA duhet të punojnë shumë nga afër me BE në funksion të strategjisë së demokratizimit të plotë të këtyre vendeve dhe të mbajtjes së Ballkanit jashtë influencës ruse, e cila prodhon vetëm destabilizim.

Nga ana tjetër, edhe vetë BE, që po përjeton probleme të thella të brendshme, duhet të jetë shumë më pragmatist lidhur me qëndrimin e saj ndaj Ballkanit. Ai duhet të jetë shumë më dinamik dhe inkurajues. Një reflektim i thellë i tij është më se i domosdoshëm dhe ky buron nga përvoja, mbi të gjitha nga ato të hidhurat, që fatkeqësisht së fundmi janë shpeshtuar në një masë të konsiderueshme në Ballkan.

Kjo pjesë e Europës nuk duhet të lihet për asnjë moment jashtë vëmendjes maksimale të saj, pasi rrezikon jashtëzakonisht shumë. Ajo çka ka ndodhur në këtë rajon gatë dy dekadave të fundit, shënon për të një përvojë më shumë sesa të pasur, për të mos i lejuar më vetes asnjë gabim, sepse ato kushtojnë shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura