Kostoja e demokracisë në Angli

Jul 20, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

klodian mucoKLODIAN MUÇO

“I was the future, once”. Ishte kjo batuta e fundit e David Cameron si Kryeministër i Anglisë. Një Kryeministër brilant që do të mbahet mend në historinë e Europës si “vrasësi i Europës”, si ai që shkatërroi ëndrrat e atyre që besonin në bashkimin e një kontinenti, në vëllazërinë e popujve të drejtuar nga një qeveri e vetme.

E keqja e kësaj historie ishte se ai e bëri këtë veprim jo sepse besoi, por sepse gaboi në përllogaritjet e tij politike. Përgjatë fushatës së tij elektorale të 2015, ku edhe fitoi, Cameron premtoi se do të merrte mendimin e qytetarëve për qëndrimin apo jo të Anglisë në BE.

Cameron duhet përgëzuar për faktin se e mbajti fjalën, edhe pse kthimi në realitet i këtij premtimi i kushtoi shumë jo vetëm atij që u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i Kryeministrit, por mbi të gjitha u shkaktoi dëme kolosale si Anglisë, ashtu edhe vendeve të tjera si nga pikëpamja ekonomike, po ashtu edhe ajo sociale. Cameron e bazoi fushatën e tij elektorale të referendumit nga frika e papunësisë si shkak i rritjes së fluksit të emigrantëve nga vendet europiane, pasi tema e emigracionit ishte më emotivja nga të gjitha, po ashtu është edhe më simbolikja për anglezët.

Sipas sondazheve të asaj periudhe, emigracioni ishte tema që u interesonte më shumë anglezëve. Mendimi se fitorja në referendum do të vinte vetëm duke luajtur me frikën e votuesve, ishte një gabim me pasoja shumë të rënda për Anglinë, po ashtu edhe për BEnë.

Nisur nga ky fakt, në vijim do të mundohem të jap disa të dhëna shumë paraprake për humbjet ekonomike që shkaktoi ky gabim, them paraprake pasi është shumë-shumë herët për të bërë përllogaritje të sakta. Ndryshe nga gjithë sondazhet e bëra para 23 qershorit, 51.8% e votuesve ose rreth 17.4 milionë e tyre votuan pro Brexit.

Këto vota u përkthyen të nesërmen në një humbje virtuale të bursave europiane me rreth 411 miliardë euro ose rreth 1 miliard euro për çdo minutë që kalonte. Pra çdo votues pro Brexit u shkaktoi bursave europiane rreth 60 euro humbje për çdo minutë që kalonte e nëse do të marrim në konsideratë edhe humbjet e ditëve të para dha pas votimit, atëherë kostoja do të shumëfishohej. Vetëm bursa e Milanos ditën pas votimit humbi 46.6 miliardë euro, të njëjtin fat e patën edhe bursat e tjera të vendeve Europiane.

Humbja virtuale e bursave është vetëm maja e ajsbergut, humbjet në ekonominë reale të Anglisë dhe vendeve anëtare të BE-së do të jenë jashtë mase të mëdha. Në 1973 kur Anglia u bë pjesë e Komunitetit Ekonomik Europian, rreth 1/3-tat e eksporteve të saj kishin si destinacion Europën. Sot Anglia eksporton drejt vendeve Europiane rreth 50% të eksporteve të saj.

Pra, tregu Europian për Anglinë ishte shumë i rëndësishëm. Dalja e saj presupozon që vërtet Anglia do të ketë një përfitim nga shpenzimet fiskale në rreth 8.5 miliardë paund, që s’do shkojnë më për BE-në (0.5% e GDP-së), por kjo do të jetë shumë pak nëse do të marrim në konsideratë rritjen e kostove të eksportit për bizneset angleze.

Po ashtu, Anglia do të jetë e detyruar tashmë të vendosi taksa doganore për importin e saj. Kostot komplesive sipas “Fondacionit Bertelsmann” dhe Institutit të Kërkimeve Ekonomike, Ifo, do të jenë rreth 300 miliardë euro për periudhën 2018-2030. Ndërsa sipas një studimi të bërë nga “London School of Economics”, do të jenë edhe më të larta, pasi, përveç import-eksportit, ato do të dëmtojnë investimet dhe do të stimulojnë spostimin e prodhimit anglez jashtë kufijve të saj, duke shkaktuar një humbje të vendeve të punës që pritet të shkojë në rreth 1.2 milionë. Në periudhën afatshkurtër këto humbje do të variojnë nga 26 deri në 55 miliardë paund.

Ndërsa në periudhën afatgjatë, humbja komplesive për çdo familje angleze të jetë rreth 6400 paund në vit. Nëse këtë shumë do e shumëzonim me 27 milionë familje që jetojnë aktualisht në Angli atëherë humbja komplesive për Anglinë do të jetë rreth 173 milionë paund. Këtyre humbjeve duhet t’u shtojmë po ashtu edhe rënien e tregut imobiliar anglez, ku vetëm në javët e fundit sipas një analize të “Evening Standart” rreth 13 mijë apartamente luksi kanë pësuar një humbje të vlerës me rreth 6%, por që mund të shkojë deri në 40%.

Po ashtu, do të ketë edhe një rritje komplesive të biletave të transportit ajror “low cost”. Brexit nuk do shkaktojë humbje vetëm për Anglinë, vetëm GDP e eurozonës për 2017 pritet të tkurret me 1.5% ose me një rënie prej 150 miliardë eurosh. Në këtë humbje peshën kryesore e zë Gjermania, e cila pritet të humbasë nga 8.7 miliardë euro në rastin më të mirë deri në 58 miliardë euro në rastin më të keq, duke shkaktuar kështu një humbje komplesive për çdo qytetar gjerman që shkon nga 100 deri në 700 euro.

Sektorët me humbje më të mëdha do të jenë automotive (2%), sektori elektronik, siderurgjik dhe ai ushqimor. Shumës së mësipërme i shtohet edhe kontributi në buxhetin e BE-së me 2.5 miliardë euro për të zëvendësuar mungesën e kontributit anglez. Humbje të mëdha do të ketë edhe Italia me një rënie të GDP-së nga 0.06 deri më 0.23% (rreth 12 miliardë euro), sektorët më të prekur do të jenë automotive, sektori ushqimor dhe moda. Vlen të përmendet fakti që tashmë prodhuesit e “Prosecco”-s po “vënë duart në kokë”, pasi Anglia ishte një ndër konsumatorët primar të “Prosecco”-s.

Pas nuk do të ngelen as vendet si Holanda me rreth 10 miliardë euro humbje, Franca, Spanja etj. Po ashtu, mund të themi se, përveç humbjeve ekonomike, Brexit mund të shërbejë në të ardhmen edhe si katalizator për shpërbërjen e Bashkimit Europian, duke vazhduar me daljen e Greqisë, Spanjës, Italisë dhe Francës.

Gjithashtu do të t’i japë fund njëherë e përgjithmonë edhe lëvizjes së lirë të qytetarëve në territorin e Europës. Për të konkluduar mund të themi se kjo “kimioterapi pa pasur kancer” ishte e nevojshme për Anglinë! Po vallë në Shqipëri mundet të ndiqen shembuj të tillë, ku qeveria i delegon popullin vendimmarrjen direkte?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura