Kosovë/ 120 lopë i pret “dënimi me vdekje” pasi u sekuestruan gjatë operacionit në zonën kufitare

| 17:02
SHPËRNDAJE
 

Lopët që u konfiskuan në mbrëmjen e së premtes në fshatin Karaçevë të Kamenicës do të theren për të burgosurit në burgjet e vendit. Por, para therjes, fillimisht lopëve do të iu bëhen analiza laboratorike nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

auto_lopee1564225764-696x351

Ndërkohë, në AUV e kanë konfirmuar se marrja e këtyre mostrave tashmë ka filluar. Pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të premten mbrëma kanë realizuar një aksion në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale.

Nën këto dyshime, janë arrestuar mbi 30 persona dhe janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.

Për të arrestuarit në këtë aksion, tashmë është caktuar masa e sigurisë prej një muaji paraburgim, derisa mishi i lopëve të konfiskuara do të shkojë nëpër burgjet e vendit.

Se këto lopë do të theren për të burgosurit e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

Gashi ka treguar se 59 lopë që janë konfiskuar atë natë, tashmë janë vendosur në stallën e Qendrës Korrektuese në Dubravë.

Gashi ka bërë me dije se i kanë kërkuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës që të dërgojë inspektorët veterinerë që të marrin mostra të gjakut për analiza laboratorike rreth shëndetit të lopëve.

“59 krerë lopësh që janë konfiskuar në aksionin e Karaçevës janë vendosur në stallën e Qendrës Korrektuese të Dubravës. SHKK tashmë i ka kërkuar AVUK-ut të dërgoi inspektorët veteriner të autorizuar për marrjen e mostrave të gjakut për analiza laboratorike rreth shëndetit të lopëve. Mostrat janë duke u marr në këto momente”, ka thënë Gashi.

Ai ka bërë me dije se sapo t’i pranojnë rezultatet e analizave, do të fillojnë me therjen dhe se mishi i tyre do të përdoret për nevoja të kuzhinave nëpër burgje.

“Sapo t’i kemi rezultatet, do të fillohet me therjen dhe mishi i tyre do të përdoret për nevojat e kuzhinave të institucioneve korrektuese”, ka deklaruar Gashi për Express.

Marrja e këtyre mostrave veçse ka nisur tashmë. Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës i kanë thënë Expressit se për këto lopë do të vendoset pas daljes së rezultateve.

“Zyra regjionale e AUV-it në Pejë ka urdhëruar praktikën veterinare të kontraktuar, nisjen e marrjes së mostrave të gjakut, nga ora 13:00. Në momentin që laboratori lëshon rezultatin, varësisht nga rezultati do të procedohen tutje”, ka thënë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Ndryshe, këtë aksion e kanë përcjellë nga afër edhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

E se një aksion i tillë do të ndodhte e kishte paralajmëruar në seancën e djeshme vetë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Veliu ishte thirrur dje në interpelancë në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Gjatë fjalës së tij, ai kishte treguar se si në kohën sa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti, kishte kërkuar që të kryenin një operacion për mbylljen e kazinove në atë pjesë, por siç thotë, Kurti nuk i kishte dhënë leje.

“Është fakt i vërtetë që gjatë Qeverisë Kurti janë ndërtuar dhe kanë funksionuar pa pengesë të gjitha kazinotë. Në muajin shkurt nga shefi yt kam kërkuar që të bëhet operacion që të ndalojmë punën e kazinove, por nuk ka leju. Shko pyete”, ka thënë Veliu

Ai u kthehet deputetëve me fjalët se shumë shpejt do ta kryejë këtë aksion dhe se do ta shohin.

“Në shkurt më pengoi Kurti, tash s’më ndal askush. Atë punë do ta bëj dhe ndoshta do ta dëgjoni shumë shpejt, do ta bëj”, tha dje Veliu.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.