“Kosovari i mirë” u zbulua se ishte agjent i UDB-së/ Raporti sekreti i Sigurimit të Shtetit: Erdhi në Tiranë si tregtar i një firme boshnjake, por…

Jan 11, 2021 | 10:42
SHPËRNDAJE

Publikohet një dokumenti arkivor i nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili mban siglën “Sekret” dhe i përket vitit 1970, ku funksionari i lartë i Sigurimit të Shtetit, Haki Keta, informon eprorët e tij për kosovarin Shyqëri Kastrati, i cilia to ditë kishte ardhur në Tiranë, si përfaqësues i një firme nga Bosnja.

kosova-agjent i udb

I gjithë raport-informacioni i Sigurimit të Shtetit, lidhur me qëndrimin e Kastratit në Tiranë, lëvizjet dhe të gjitha takimet e bisedat që ai kishte bërë ato ditë, duke filluar nga vizita e Enver Hoxhës në rrethin e Tropojës, jehona e saj në Jugosllavi, problemet e raportet ekonomike, tregtare, kulturore, artistike, sportive dhe politike të Shqipërisë me Jugosllavinë, Kosovë, Maqedoninë etj., të cilat ishin regjistruar nga survejimi dhe përgjimet që i’u bënë Shyqëri Kastratit në Tiranë, ku si rezultat, ai ishte një “agjent i regjur i UDB-së, i kamufluar si tregtar nga Kosova…”!

Gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, që nga fillimi i dhjetorit të vitit 1944, e deri në pranverën e vitit 1991, pas çdo të huaji që vinte në Shqipëri, si vizitor, turist, për probleme tregtie etj, dukej se fshihej një agjent i zbulimeve të huaja?! Ndaj kësaj paranoje që kishte fabrikuar dhe nxiste vija politike e propagandua zyrtare e udhëheqjes së lartë komuniste të Tiranës, duket se nuk i kishin shpëtuar as bashkëkombasit tanë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilëve ju jepej rasti dhe mundësia të vinin në në atdheun amë.

Madje madje, shqiptarët që jetonin në viset e tyre në anën tjetër të kufirit, ishin më të ekspozuar ndaj kësaj paranoje dhe organet e specializuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si Sigurimi i Shtetit dhe ato që kamufloheshin nën petkun e diplomatit, ishin përherë “roje vigjelente” ndaj çdo shqiptari të këtyre viseve që vinte në Shqipëri. Kjo gjë, veç të tjerash shikohet qartë dhe nga ky dokument i shkurtër arkivor që mban siglën “Sekret”, ku një nga drejtuesit e lartë të Sigurimit të Shtetit, informon udhëheqjen e lartë, lidhur me vizitën qëndrimin në Shqipëri të një shqiptari nga Kosova, Shyqyri Kastrati, i cili kishte ardhur në Tiranë për probleme tregtie, si përfaqësues i një firme boshnjake nga Sarajeva.

Siç duket dhe nga dokumenti në fjalë që publikohet për herë të parë ekskluzivisht nga Memorie.al, kosovari Kastrati, jo vetëm që është ndjekur në çdo hap ku ka shkuar dhe lëvizur gjatë qëndrimit të tij disa ditor në Tiranë, por dhe është përgjuar për çdo gjë që ai ka thënë dhe shprehur. Kjo gjë mundet të jetë bërë ose me T.O. (Teknikë Operative, përgjues), nga sektori përkatës i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit (‘Shtëpia me gjethe’), ose nga njerzit që e kanë shoqëruar atë gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, pasi të gjitha takimet, lëvizjet dhe bisedat që ai ka barë gjatë atyre ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, janë pasqyruar saktë e qartë nga drejtuesi i lartë i Sigurimit të Shtetit, (Haki Keta), i cili në konkluzionet përfundimtare që kanë ardhur pas zbardhje së atyre përgjimeve, midis të tjerash, shprehet: “Shyqëri Kastrati është një një agjent i kualifikuar të Zbulimit Jugosllav….”. Ajo që vihet re te ky dokument, është fakti se aty nuk ka asnjë shënim nga “shokët” e udhëheqjes së lartë të cilëve u është adresuar ky raport-informacion…”?!

Raport-Informacioni i funksionarit të Sigurimit të Shtetit, Haki Keta, për veprimtarinë e kosovarit Shyqëri Kastrati  

     S E K R E T

    Ekzemplar Nr 1

  E përkohëshme 5 vjet

    Tiranë, më 5.7.1970

                                                     I N F O R M A C I O N

Nga data 19-26.1970 qëndroj në vendin tonë tregtari kosovar Shyqëri Kastrati, së bashku me katër të tjerë (dy serbë, një boshnjak dhe kosovari Ismail Juniku). Shyqëri Kastrati erdhi si ndërmjetës i firmës se ferro-elektro të Sarajevës, nga e cila do tregtoheshin televizorë dhe vagona cisterna për bitum të lëngshëm, kërkesë e bërë nga shokët e Makina Importit në Maj të këtij viti, gjë që ai e ç’frytëzoi për të ardhur së bashku me ta, jo vetëm se nga një ndërmjetësim i tillë ai ka një përqindje të mirë fitimi, por që e minimizon shumë, duke thënë se këtë e bën si shqiptar, duke kuptuar nevojat tona.

Më datë 20.7. 1970, u muarr takim në Agro – exsport. Gjithë kohën e ka kaluar në Tiranë, pa qenë i shoqëruar nga shokët e vet. Që në bisedat e para dhe deri në fund të bisedimeve, ka fol vetëm për

fjalën dhe problemet që ngriti shoku Enver në Bajram Curri. Sipas tij fjalimi është prit mirë në mënyrë të favorshme nga të gjithë dhe ka bërë jehonë në Jugosllavi. Si rezultat i këtij fjalimi, “paska një zbutje të theksuar klime”, në marrëdhëniet midis dy vëndeve. Pas këtij fjalimi, shumë njerëz në Kosovë paskan folë se një gjë e tillë është prit prej kohësh dhe dihesh se do të ndodhte një ditë, sepse “heshtja, qëndrimi i matur i Jugosllavëve dhe tentativat e vazhdueshme të tyre për përmirësim marrëdhëniesh”, do të gjenin një ditë një përgjigje të favorshme nga ana e Shqipërisë. Dhe kjo ditë erdhi.

Lidhur me problemet që ngriti shoku Enver, Shyqëri Kastrati u mundua të shpjegonte se: “si e kishte kuptuar ai këtë fjalim dhe çka mund të ndërrmerej nga ana e Jugosllavisë dhe e Kosovës, për t’i shkuar këtij fjalimi me masa praktike”. Fill mbas fjalës së shokut Enver, janë thirrë në Beograd shumë kuadro të Kosovës, midis tyre rektori i Universitetit të Prishitnës, me zëvëndësat e vet, sekretari i Lidhjes së Komunistëve të Universitetit, Kurtes Saliu dhe qenkan biseduar çështje të këtij institucioni që lidhen me Shqipërinë. Po këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe vizita në Kosovë e kryetarëve për Arsim e Kulturë të Kuvendit Federativ.

Është duke u studiuar mundësia jo vetëm e zgjerimit të tregtisë dhe zgjatjes së kohës së pagesave, por të dy vëndet të mos tregtojnë më me lista mallrash, por sipas kërkesavë dhe nevojave të firmave dhe institucioneve përkatëse, sesi vende në zhvillim, duhet të ndihmojnë reciprokisht njëri tjetrin, për çdo mall dhe material që disponohet. La të kuptohet, se bilancet negative apo pozitive ndërmjet dy vëndeve tona, nuk duhet të bëhen pengesë për zhvillim, zgjerim dhe përmirësim të marrëdhënieve, duke theksuar se bilanci negativ i Shqipërisë, nuk duhet të merret në konsideratë.

Parashihet se pasi të organizohet ndërrmarja e Import-Eksportit në Kosovë, të dërgohen në Tiranë përfaqësuesit e saj të përhershëm, që sipas tij nuk kanë të bëjnë me përfaqësinë diplomatike, duke pasur sipas tij zyrat dhe shtëpitë e banimit më vete.

Paska mendime në njerëzit e Dhomës Ekonomike Krahinore, se tani ka vënd për t’u marr vesh për mundësinë e shkëmbimit të mallrave edhe në zonën kufitare. Kështu organet tona të tregtisë të shkojnë në ditë të caktuara në Prizren, Gjakovë dhe gjetkë, për të tregtuar mallrat shqiptare dhe të njëjtën gjë ta bëjnë edhe organizmat tregtare të këtyre komunave afër kufirit.

Në të ardhmen, mund të studiohet mundësia e krijimit të grupeve të përbashkëta të studimit të tokës në zonat kufitare dhe të dy vëndet mund të kenë bashkëpunim në ndërtimin e objekteve industriale, ujitje, energjitike etj. Sipas tyre, kështu Shqipëria do të ndihmojë konkretisht në zhvillimin e Kosovës dhe se vetëm me këtë mënyrë, mund të kufizohet deri diku vërshimi i të tjerëve atje, si çekëve, hungarezëve, gjermanëve, rusëve, të cilët qenkan duke bërë vizita të shpeshta në Kosovë dhe se qenkan duke studiuar burimet ku mund të bëjnë investime kapitale!

Shumë firma të Kroacisë, Bosnjës etj, janë duke bërë përpjekje për të dërguar përfaqësuesit e përhershëm në Tiranë.

Në kuadrin e përmirësimit të marrëdhënieve do të kërkohet që nëpërmjet Radio Prishtinës dhe asaj të Tiranës, të shkëmbehen informacione e programe, mundet dhe emisione të posaçme. E njëjta gjë të bëhet dhe në të ardhmen me qendrat televizive. Po kështu të ketë shkëmbime gazetarësh, ansamble, grupe solistësh dhe këngëtarë popullorë, grupe turistike, sportivë etj.

Shumë njerëz të firmave në Kosovë, konstatojnë se Shqipëria bën më shumë tregti me Maqedoninë, se sa me Kosovën dhe se për këtë qenkan të pakënaqur. Foli keq për përfaqësuesin tregtar maqedonas në Tiranë, si dhe për përkthyesin e përfaqësisë diplomatike.

Përsëri ngriti problemin se Ndërrmarja Ferro-Elektro e Sarajevos, i ka kërkuar mendim që të dërgoj si përfaqësues të përhershëm të saj në Tiranë. Shtoj se për këtë nuk paska dijeni “askush” në Kosovë dhe se vetë drejtori i përgjithshëm i kësaj firme, don t’i bëj “një nder dhe të mirë” për interesimin e tij që e lidhi me Makina-Importin.

Vazhdimisht qëndronte në Kafe ‘Rinia’, ‘Tirana’ dhe Pallat të Kulturës, ku dilte dhe kërkonte për takim. U interesua që të takonte Ali Buletinin, si mik të vjetër të tij. Morri disa takime me qytetarë të ndryshëm që vinin për t’u takuar me Ismail Junikun, i cili për 8 ditë rresht, nuk u paraqit asnjëherë në bisedime tregtare. Veç sa më sipër nuk ngriti ndonjë problem tjetër.

Duke studiuar qëndrimin dhe kujdesin e tij për t’u dukur “kosovar i mirë”, gjatë gjithë këtyre vjetëve që ka ardh në vëndin tonë, bindemi se kemi të bëjmë me një agjent të kualifikuar të Zbulimit Jugosllav, i cili nga që është trajtuar ngrohtë nga shokët e Tregtisë, ka krijuar përshtypjen në organet e UDB-së, se mund të pranohet për të ardhur në Shqipëri, si përfaqësues i një firme në Bosnjë, se ka fituar sipas tij besim dhe kredi te njerzit tanë, për të kryer detyrat e parashikuara nga Zbulimi Jugosllav ndaj vëndit tonë. Të gjitha sa ai ngriti gjatë këtyre ditëve, pa e ngacmuar për as një gjë më të vogël, janë orientime dhe vijë e dhënë nga ana e UDB-së./Memorie.al

KRYETARI I DEGES SE VEÇANTE

Kon. dat. M.Z. (HAKI KETA)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura