Kosova-Veliaj, një garë e hapur

Apr 19, 2015 | 12:12
SHPËRNDAJE

Preç Zogaj

PREÇ ZOGAJ

        Doktor Halim Kosovës, kandidatit demokrat për Bashkinë e kryeqytetit, i ka rënë barra të nxjerrë matanë një garë, e cila në start duket e vështirë për t’u fituar. Në përballjen më të fundit mes dy koalicioneve kryesore në zgjedhjet e qershorit 2013, Partia Demokratike dhe opozita e qendrës së djathtë pësuan një humbje të thellë në Tiranë.

Diferenca e votave në favor të koalicionit të majtë Rama-Meta ishte e madhe, rreth tetëdhjetë mijë. Që nga ajo kohë po kalojnë dy vjet. Që nuk janë pak, por nuk janë as shumë për një përmbysje shifrash të këtij rendi. Përveç kësaj, në raport me rivalin e tij Erion Veliaj, kandidati demokrat niset në disavantazh edhe për sa i përket madhësisë numerike të koalicionit që e mbështet.

Siç ndodh rëndom në Shqipëri, treni i partive dhe partizave qeveritare, të vjetra apo të orës së fundit, edhe kësaj radhe është shumë i gjatë. Plot tridhjetë e tetë deri dje. Tren gavetash dhe lugësh në shumë pjesë të zgjatimit të tij, një pamje që Edi Rama do ta kishte neveritur njëzet vjet më parë, por ja që i shijon tani që është “pjekur” si politikan. Nuk ka dyshim se doktor Kosova e ka rrokur mirë me sy të përpjetën ku duhej të ngjiste gurin e tij secili prej kandidatëve demokratë për Bashkinë e Tiranës.

Zgjedhja e Lulzim Bashës ka rënë mbi të, një zgjedhje midis vlerësimit dhe lutjes, e maturuar nga popullariteti dhe pozitivizmi i kandidatit. Doktor Halimi nuk është menduar gjatë. Ka vendosur të zbresë në arenë, duke lënë me këtë rast mandatin e deputetit. Ky vendim e zbulon në një përmasë tjetër këtë profesionist dhe qytetar gjithmonë “me të gjitha dhjeta”: në përmasën e impenjimit politik në situatë të vështirë, kur fitorja duket dhe është e gjitha në malore.

Në këtë pikë kandidimi i tij ka diçka të ngjashme me kandidimin e Spartak Ngjelës për Bashkinë e Tiranës në vitin 2003. Kandidimi i Kosovës kërkon të ilustrojë me një shembull të ri sentencën e njohur se politika është arti për ta bërë të pamundurën të mundur. Fushata nuk ka filluar akoma, por vetë zbritja në arenë në kushte të disfavorshme, në emër të alternativës opozitare, është fitorja e parë politike e rëndësishme e Halim Kosovës.

Na kishte mësuar ta njihnim më shumë të matur sesa guximtar, më shumë këmbësor sesa kalorës. Tani na dha mundësinë ta shohim në lidhjen e këtyre cilësive. E gjithë kjo nuk do të thotë aspak se Halim Kosova nuk ka parë shanset e tij në këtë garë. Votat lëvizin. Pa këtë zgjedhjet nuk do të kishin kuptim. Panorama e simpative politike në vend nuk është ajo e para dy vjetëve. Bilanci negativ i qeverisë përkthehet si rrjedhje e pandalshme votash nga hambari i saj.

Është e pamundur që qytetarët të mos reagojnë me votë kundër mashtrimeve dhe përkeqësimit. Partia Demokratike ndërkaq është riorganizuar e ringritur pas humbjes shokuese në zgjedhjet e fundit. Entuziazmi është rikthyer në kampin blu. Nga ana tjetër, ndërsa gëzon mbështetjen pa firo të PD-së dhe opozitës, doktor Kosova llogarit të votohet nga zona gri e elektoratit, pse jo edhe nga zgjedhës të majtë që shohin në figurën e tij pa të meta pasqyrën e historisë së tyre ndër vite.

Të qenët qytetar shumë më shumë se partiak, apo të qenët traversal në pikëpamje të mbështetjes që mund të sigurojë, kjo është arma e tij vetjake me të cilën mund të zvogëlojë dhe përmbysë diferencën e startit me rivalin. Sigurisht, gara mbetet një ngjarje për t’u shpikur nga të dy kandidatët. Asnjëri nuk është votuar si individ, të dy kanë hyrë në Kuvend me listë partie.

Në përballje do t’i njohim akoma më mirë. Por çdo përballje është edhe shkëmbim, siç thotë Borhes. Doktor Halimit do t’i duhet të marrë pjesën e mirë të teknikave komunikative të Veliajt, pa tjetërsuar stilin e vet të shtruar bisedimor. Veliaj mund të marrë diçka nga pjekuria dhe modestia e Kosovës. Fushata elektorale ka veçorinë se është lënda e saj ajo që përcakton energjinë e kandidatëve, jo mosha e tyre.

Në vitin 2003, Spartak Ngjela dukej më djaloshar se Edi Rama, megjithëse ky i fundit ishte pesëmbëdhjete vjet më i ri. Gara për Tiranën është vendore dhe politike, është mes kandidatëve dhe mes partive, mes Kosovës e Veliajt dhe mes Ramës e Bashës, si krerët respektivë të shumicës dhe opozitës.

Asnjëri prej këtyre elementëve nuk është determinues, por secili do të ketë peshën e vet specifike në rezultatin përfundimtar. Programet janë “paja” e domosdoshme e kandidatëve. Përshtypja ime është se në këtë lloj gare, për shumë arsye, pesha e programeve do të jetë më e vogël se herë të tjera. Përtej premtimeve për metrat katrorë të gjelbërimit të ri dhe trotuareve të reja, që do të paraqiten bindshëm dhe me elegancë nga të dy kandidatët, përtej aparencave që do të jenë vezulluese në të dy kampet, njëzet e një qershori është pashmangshëm një zgjedhje popullore me votë të fshehtë kundër ose pro modelit absolutist të qeverisë Rama-Meta.

Po të fitojnë kandidatët e qeverisë, modeli absolutist- oligarkik do të tentojë të shkojë përpara tashmë me miratimin e zgjedhësve. Po të fitojnë kandidatët e opozitës, absolutizimi do të detyrohet të ndalet dhe një ekuilibër i ri politik do të vendoset. Në këtë histori Tirana është zemra e ngjarjes. Sepse Tirana është gati-gati gjysma e vendit.

Beteja në këtë rrafsh, pra në rrafshin politik, avantazhon opozitën. Ajo do të bëhet kryesisht nga liderët politikë. Kandidatët do të përfshihen në momente të caktuara. Në këtë rrafsh, kandidati demokrat është i destinuar të rekuperojë vota që do t’i humbë rivali i tij. Një element me peshë të veçantë mendoj se do të jetë raporti i kandidatëve me liderin dhe me qytetin.

Veliaj, e ka sa në favor edhe në disfavor identifikimin si “delfin i Ramës”. Do të mbledhë pikët e tij, por do të paguajë edhe dështimet e tij. Në njëfarë mënyrë, Rama e ka zgjedhur për t’ia bërë qytetit, siç themi për krushqitë me shkuesi, ndërkohë që Halim Kosova është i qytetit, është propozimi i pozitivizmit dhe integritetit- dy fjalë kyçe të Nisjes së Re dhe demokracisë së re që ka lançuar Lulzim Basha, është përzgjedhja në duart e qytetarëve, është topi në duart e qytetarëve.

Të gjitha këto dhe mjaft elementë të tjerë që kandidatët do t’i shpalosin përgjatë fushatës, forcojnë bindjen se, pavarësisht se deri dje dukej e skontuar në letër, përballja Kosova- Veliaj për Bashkinë më të madhe të vendit është realiteti i një gare të hapur, që do të vijojë e tillë deri në fund, shpresojmë në shtratin e argumenteve, etikës dhe pozitivizmit, vlera që nuk janë çështje brezash, por kanë vulën e një urtësie të kalitur në rrjedhat e civilizimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura