Kosova që nuk mund të lëvizë dot lirisht

Jun 30, 2022 | 7:32
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

Capture

Përsëri asgjë e re për liberalizimin e vizave për Kosovën. Shqiptarët në Kosovë vazhdojnë të mos lëvizin dot lirisht në kontinentin e tyre, si gjithë popujt e tjerë. Muret për të mbeten të ngritur.

Sepse vetë Bashkimi Europian, pavarësisht premtimeve të derisotme, asnjë hap më tutje nuk ka bërë për liberalizimin e vizave. Qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin me vizë në secilin vend europian, duke u privuar kështu nga e drejta e lëvizjes së lirë. Po shkojnë kaq vite dhe ende nuk shihet asnjë veprim konkret. Sipas premtimeve, deklaratave jo të pakta, Kosova ka qenë shumë afër heqjes së vizave. Ditët e fundit, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, u shpreh se Kosova i ka plotësuar kushtet për këtë, si për të kundërshtuar ndonjë homolog të tij skeptik.

Holanda deri në ditët e fundit pohonte mospërmbushjen e kushteve, derisa vetëm tani Parlamenti holandez skepticizmin e vetë e zëvendësoi me votat e shumicës së deputetëve për heqjen e regjimit të vizave. Hezitimi më i madh është reflektuar dhe po vazhdon, për fat të keq, të jetë i tillë, te Franca, e cila gjatë këtyre gjashtë muajve mbante dhe kryesimin e radhës së Presidencës së BE-së. Sërish një kokëfortësi e pashpjegueshme. Madje, në prag të hapjes së takimit të fundit të Bashkimit Europian, Ministria e Jashtme e Francës, duke u shprehur për liberalizimin e vizave për Kosovën, nënvizon se kjo çështje “përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”. Pra, Kosova të vazhdojë të mbetet e izoluar.

Akoma duhet të pritet, teksa kriteret e vendosura në udhërrëfyesin e BE-së kanë kohë që janë plotësuar? Kosova nuk mund të mbetet peng i këtyre qëndrimeve. Komisioni Europian, ky organ ekzekutiv i BE-së, që, me Parlamentin dhe Këshillin Europian, janë institucionet kryesore të Bashkimit Europian, prej kohësh konkludoi se me ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Kosova përmbushte gjithçka. Në vitin 2018 edhe kjo u arrit. Por “yçkla” të tjera do t’u kundërviheshin atyre. Dhe nuk dihet sa do të vazhdojë kjo paradë “yçklash” me kërkesa teknike dhe politike, nën çadrën “për arrestime të të korruptuarve” apo të aktorëve të “krimit të organizuar”. Shqiptarët e Kosovës, këtij shteti sovran dhe të pavarur, duhet të qëndrojnë sërish para dyerve të njërës dhe tjetrës ambasadë. Pa asnjë ekuivok: diskriminim i hapur i tyre. Është kjo arsyeja që qëndrime të tilla kanë zgjuar me të drejtë edhe ndjeshmërinë e të huajve.

Gjashtëmbëdhjetë mijë qytetarë me në krye këshilltaren lokale të BE-së, Kati Shchneeberger, i drejtuan një peticion online Presidentëve të strukturave udhëheqëse të BE-së për problemin e vizave për Kosovën, me thirrjen: “Mos e izoloni Kosovën. Tani është koha. Të drejta të barabarta për qytetarët e Kosovës, si për qytetarët e BEsë…”. Po përse BE-ja, prej mbi dhjetë vjetësh vazhdon të ecë sipas këtij lloj skenari? Përse ky qëndrim dyfaqesh? Njerëzit u zhgënjyen me të drejtë, edhe pse shpresat ishin të zbehta, nga takimi i Brukselit, i 23 qershorit, i cili mbeti memec para premtimeve të deritanishme ndaj Kosovës për problemin e vizave, ku Këshilli i Ministrave të BE-së ende mban të kyçur këtë vendim të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.

Me sa duket, Bashkimi Europian, së pari, vazhdon ta paragjykojë shtetin sovran të Kosovës, ndihmuar, dashur pa dashur kjo dhe nga politika kosovare. Së dyti, strukturat udhëheqëse të tij, edhe më tej do ta kërkojnë bllokimin e vizave te mosdakordësia e vendeve të veçanta, anëtare të BE-së, pa e ndarë këtë nga “kriteret e paplotësuara”. Qëndrimet premtuese të BE-së fatkeqësisht kanë ushqyer dhe te disa politikanë të Kosovës të njëjtën gjë. Imitim i padëshirueshëm “heqja e vizave” nga ana e tyre, sidomos e shfaqur kjo gjatë fushatave të ndryshme zgjedhore. Objektiva që nuk kanë thënë asgjë; ndryshe, po të ishte për ta do të ishin realizuar me kohë. Në këto kushte, do të ishte më e udhës që Parlamenti, qeveria me institucionet e saj të rëndësishme në Kosovë, të rritnin kontaktet sidomos me ato vende që ende janë të lëkundura në këtë drejtim.

Pavarësisht rezultatit. Kështu do t’u priten rrugët dhe atyre sulmeve ndaj njëri-tjetrit, të cilat janë të pranishme në Kosovë, për t’i kërkuar fajtorët e bllokimit të vizave te Kurti, Mustafa e tjerë dhe te partitë e tyre, Vetëvendosja, Lidhja Demokratike apo Partia Demokratike. Kosova nuk ka nevojë për fjalë, premtime boshe të të dërguarve të Brukselit, por për hapa konkretë të BE-së, pa folur për mundësitë e njerëzve të vetë, që të mund të lëvizë lirisht, si gjithë qytetarët e tjerë të rajonit tonë. Është kjo kërkesa më minimale e saj, një e drejtë që po i mohohet padrejtësisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura