Kosova, për herë të parë partneri i dytë i Shqipërisë për eksportet

Feb 8, 2016 | 10:50
SHPËRNDAJE

Shteti, me të cilin flasim një gjuhë u bë për herë të parë në 2015-n destinacioni i dytë drejt të cilit shkuan eksportet shqiptare, pas Italisë. Sipas të dhënave të detajuara të INSTAT, eksportet drejt Kosovës arritën në gati 21 miliardë lekë, me një rritje prej 11.4%. Në vitin 2015, eksportet drejt Kosovës zinin 8.6% të totalit, nga 7.3% një vit më parë dhe 5% në vitin 2007, para se të ndërtohej rruga Durrës-Kukës.

dogana-kosova

Pavarësisht barrierave të shumta jo tarifore të vendosura për produkteve të ndryshme (si psh materialet e ndërtimit apo produktet ushqimore), bizneset kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët. Produkti më i eksportuar nga Shqipëria në Kosovë në vitin 2015 ishte giza dhe çeliku me rreth 5.4 miliardë lekë (4% rritje vjetore), e ndjekur nga lëndët djegëse dhe mineralet, me rreth 5 miliardë lekë, që panë një zgjerim vjetor prej 22%.

Rritje tepër të lartë, ndonëse nisur nga një bazë e vgël kanë shënuar eksportet e produkteve bujqësore. Shitjet e zarzavateve në Kosovë u shtuan me 45%, duke arritur në 750 milionë lekë. Edhe frutat e eksportuara ishin 50% më të larta se një vit më parë, për të arritur në gati 600 milionë lekë.

Biznese të tjera që kanë parë rritje të aktivitetit me Kosovën janë dhe përpunuesit e xeherorëve dhe prodhuesit e mobilieve. Ndërsa çimento është një nga produktet që nuk ka arritur të gjejë tregun fqinjë në 2015-n.

/Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura