“Kosova është në rrezik nga trazirat sociale, shkak situata ekonomike”

Apr 1, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Me një perspektivë të pasigurt drejt BE-së duke qenë vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave, Kosova dhe qytetarët e saj vazhdojnë të përballen me izolimin që, pos situatës së brendshme socio-ekonomike, i ka kontribuuar po ashtu migrimit masiv të parregullt të kosovarëve në muajt e fundit.

“Kosova në rrezik nga trazirat sociale”

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe Syri i Vizionit (SiV) kanë publikuar raportin “Kosova drejt BE-së, Sfida e Migrimit të Parregullt”.

Sipas autores së këtij raporti, Ariana Qosaj-Mustafa, faktorë të ndryshëm shtytës dhe tërheqës i kanë kontribuuar rrjedhave masive të migrimit, faktorë këta që kanë qenë të ndërlidhur me nivelin e izolimit me të cilin po përballen qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të vuajnë nga probleme sistemike, të acaruar nga mitosja e zyrtarëve të lartë, të cilat i kufizojnë mundësitë në punësim dhe e kërcënojnë mjedisin e qëndrueshëm për biznese për shkak të nepotizmit dhe korrupsionit të përhapur gjerësisht. Në mesin e një korrupsioni sistemik, Kosova është në rrezik nga trazirat sociale për shkak të situatës ekonomike, të përkeqësuar edhe nga bllokimi institucional prej gjashtë muajsh në vitin 2014. Kjo bombë e kurdisur sociale mbetet problematike mbi qeverinë e zgjedhur rishtas. Kthimet e pritura masive nga një numër i shteteve të BE-së vetëm që do ta keqësojnë situatën edhe më tutje. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet siç duhet për kthimin e emigrantëve, duke e pasur kthimin e tyre si një prioritet. Zgjatja në finalizimin e raportit të tretë mbi Pasqyrën e Zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave nga qeveria, do të duhej të përshpejtohej në mënyrë që edhe vendimi i BE-së për liberalizim apo mos-liberalizim të jetë i ditur”, tha ajo.

Sipas saj, numrat e ofruar nga EUROSTAT janë brengosës, dhe tregojnë se nga nëntori i vitit 2014 deri në mars të vitit 2015, nga Kosova kanë ikur 57,945 qytetar, dhe kanë kërkuar azil në shtetet anëtare të BE-së.

Në fund, KIPRED-i propozon që Qeveria duhet urgjentisht të finalizojë raportin e tretë mbi Pasqyrën e Zbatimit të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, në mënyrë që të përshpejtohet monitorimi dhe vlerësimi i BE-së rreth përmbushjes së kërkesave të liberalizimit të vizave nga ana e Kosovës.

Po ashtu, Qeveria duhet ta miratojë një Profil të freskuar dhe të Zgjeruar të Migrimit dhe t’i ofrojë statistikat e veta zyrtare për numrin e personave që kanë migruar muajt e fundit, Qeveria duhet ta rrisë menjëherë buxhetin për ri-integrimin e personave të ri-pranuar, dhe duhet ta ndryshojë kornizën kohore diskriminuese që vazhdon t’ua mohojë asistencën emigrantëve që e kanë braktisur Kosovën pas vitit 2010.

“Regjimi i lirë i vizave me shtetet anëtare të BE-së do ta ndalte migrimin e paligjshëm, edhe pse nuk do ta ndalte migrimin si të tillë. Ashtu siç e kanë dëshmuar përvojat paraprake të vendeve me udhëtim të lirë të vizave në BE, numri i emigrantëve është rritur paralelisht me liberalizimin e vizave”, thuhet në raport. /Telegrafi/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura