Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike

Jan 29, 2023 | 12:24
SHPËRNDAJE

Beteja në mes të parimeve dhe pragmatizmit gjithmonë ka qenë e pabarabartë dhe historia na ka mësuar se në jo pak raste pragmatizmi ka triumfuar mbi parimet. Kjo nuk do të thotë me automatizëm se Kryeminstri Kurti duhet të heqë dorë nga parimet, por vendimarrjen politike e shtetërore duhet ta bazojë mbi analizën e të gjitha rrethanave të brendshme e të jashtme, duke mos i lënë kurrfarë hapësire Serbisë që prej një agresori rajonal të shndërrohet në një faktor paqeje që i dikton rrjedhat gjeopolitike.

Mehmet Prishtina

 Nga MEHMET PRISHTINA

Të gjithë politikanët në Beograd pajtohen në një pikë: të zgjidhet problem i Kosovës, por me kusht që mos të njihet si shtet dhe mos t’i lejohet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Mbetet e paqarta se si po mundka të zgjidhet “problem i Kosovës“ pa u njohur shetësia e saj. Ky qëndrim kontradiktor i Beogradit, nuk ka e marrë vëmendjen e duhur të diplomatëve të huaj, sidomos të atyre që janë të përfshirë në procesin e ndërmjetësimit dhe të tejkalimit të ngërçit që ekziston në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mbetet të nënkuptohet se me zgjidhjen e “problemit të Kosovës“, politikanët serbë e kanë prasysh formimin e Bashkësisë së komunave serbe, si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Me fjalë të tjera, Beogradi në njërën anë e mohon shtetësinë e Kosovës, kurse në anën tjetër insiston që në kuadër të shtetit të Kosovës të formohet një entitet i ri etnik që do të ishte përmbushje e nevojave të serbëve lokalë. Në të ardhmen, nëse formohet Bashkësia e komunave serbe, Beogradi do të përqëndrohet që ky entitet i ri ta zëvendësojë Kosovën si shtet dhe mbi këtë bazë të ndërtohet një narrativë e re, ku Kosova si shtet do të anashkalohej në favor të këtij entitei të ri, të cilit Beogradi  instiston t’i jep kompetenca ekzekutive.

Më 31 janar do të organizohet një takim nga Ambasada amerikane ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në këtë takim. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve të nënshkruaar në Bruksel (në vitin 2013 dhe 2015), Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Ndërkombëtarët vazhdimisht bënin thirrje për formimin e tij, madje, tani në projektin franko- gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, paraqitet pika që Kosova duhet t’i respektojë marrëveshjet.

Por ka plot zëra në politikën ndërkombëtare, por edhe analistë e studiues të ndryshëm, të cilët e shohin me skpeticizëm çëshjtjen e formimit të Asociacionit. Duke e komentuar këtë çështje, sidomos implikimet e propozimeve sipas nenit 7, deputetja britanike që drejton edhe Komitetin për Punë të Jashtme, Alicia Kearns, pas draftit të përditësuar, u shpreh se “askush nuk duhet të kërkojë të rrënjos, e lëre më të projektojë me qëllim, çdo formë të “vetëqeverisjes” në vijat etnike brenda Ballkanit. Nuk duhet të krijohet asnjë entitet i stilit “Republika Srpska”, ka shkruar ajo.

E përditshmja vieneze “Der Standard”duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë ka shkruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon Asociacionin e Komunave [me shumicë] Serbe si parakusht për një marrëveshje me Serbinë. Asociaconi, sipas “Der Standard”, nuk ka qenë në draftin e parë të propozimit, por është shtuar vetëm kohëve të fundit, dhe atë, siç thuhet në tekst, përmes një koncesioni që QUINT-i i ka bërë qeverisë serbe.
Se cilat janë qëllimet përfundimtare në insistimin për formimin e  Asociacionit, profesori amerikan, profesori amerikan  Daniel Serwer konstaton se këtë Asociacion Beogradi e kërkon “për të ushtruar kontroll”. Ai gjithashtu ka një kritikë të qartë sa i përket Asociacionit në raport me këtë plan evropian. Sipas tij, ky propozim nuk i referohet Kushtetutës së Kosovës si bazë. Gjithashtu, thotë Serwer, propozimi franko-gjerman nuk parasheh Asociacion të Komunave shqiptare brenda Serbisë, përkatësisht për Luginën e Preshevës.

Përmes planit franko-gjerman Kosovës nuk do t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndryshe nga zgjidhja gjermano-gjermane e vitit 1972. Ky është një problem për të cilin ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk kanë ndonjë përgjigje të prerë, ashtu siç janë të paqartë kur ballafaqohen me shantazhet direkte të Beogradit për moslejimin e Kosovës të anëtarësohet në Kombet e Bashkuar dhe në organizatat relevante ndërkombëtare.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vërejtur se presionet e Brukselit dhe Washingtonit ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk janë simetrike. Përderisa në Prishtinë ambasadorët e huaj e kërcënojnë hapur kryeminstrin Kurti se do të gjejnë partner të tjerë nga shoqëria civile për të shpie përpara çështjen e Asociacionit, në Beograd ky presion jo vetëm që nuk është ushtruar ndaj Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por diplomatët e huaj kanë mbetur pa përgjigje kur janë pyetur nga gazetarët se pse Beogradi mbetet i pandëshkuar nga Perendimi për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Diplomatët e huaj gjithashtu kanë mbetur pa përgjigje kur kanë marrë vërejtje nga analistë të ndryshëm për sjellje tepër të butë dhe tolerante të BE-së ndaj Beogradit pas furnizimit të forcave të armatosura të Serbisë me armë të sofisikuara të Rusisë  dhe  Kinës. Në Serbi janë disa lokacione të cilat janë identifikuar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare ku ndodhen mbi 1000 kufoma civilësh shqiptarë të masakruar në luftën e fundit në Kosovë, por që autoritetet serbe refuzojnë t’ua dorëzojnë familjarëve të tyre.
Ndërmjetësit ndërkombëtarë që merren me tejkalimin e problemeve mes Kosovës dhe Serbis, çështjen e të pagjeturve nuk e kanë trajtuar si problem të madh.

Për ata, sidomos për diplomatët e BE-së,  problem krucial është statusi i serbëve në Kosovë, i cili, sipas tyre,  duhet të rregullohet edhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Aplikimi i standardeve të dyfishta në diplomaci, nuk është praktikë e panjohur, por kur këto standarde mundohen të imponohen si instrumenta për zgjidhjen e problemeve, atëherë me diplomacinë e tillë nuk është diçka në rregull. Sidomos në rastin e Kosovës, diplomatët e huaj thirren në kushtetutë sipas momentit dhe rrethanave, duke krijuar në këtë mënyrë situata kontradiktore dhe aspak të qëndrueshme në aspketin etik e professional.

Kështu, bie fjala, kur shtrohet për diskutim çështja e Asociacionit, diplomatët e huaj duan ta anashkalojnë frymën e Kushtetutës së Kosovës, por kur insistojnë që të mbrohet statusi i kishave dhe manastireve serbe, atëherë thirren në Kushtetutën e Kosovës e cila i jep të drejtë Manastirit të Deçanit të pëvetësojë tokën përreth që kishte qenë dikur (deri në vitin 1994) pronë e një kooperative bujqësore të Deçanit.
Pra, në rastin e parë kur duhet të favorizohet formimi i Asociacionit të komunave serbe, Kushtetuta e Kosovës anashkalohet, kurse në rastin e dytë, e njejta Kushtetutë merret për bazë për të argumentuar  tezën se kishat dhe manastioret serbe në Kosovë duhet të kenë prona të përvetësusara arbitrarisht.  Vuçiqi është i rrethuar me bashkëpunëtorë (Radojçiq e Veselinoviq) të cilët janë të gatshëm në çdo moment të shkaktojnë trazira në Kosovë, siç ishin ato të fundvitit të kaluar me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, me ç’rast erdhi në shprehje shantazhimi i drejtpëdrejt i atributeve shtetërore të shtetit tonë.
Por askush në Kosovë nuk mund të ndikojë se çfarë udhëheqje do të ketë në Beograd. Atë çka e kanë në duar shqiptarët e Kosovës ka të bëjë me qasjen ndaj kërkesave të Serbisë që drejpërdrejt ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e shtetit tonë. Deri më tani kjo qasje ka qenë disonante (njëri thumbit, tjetrit patkoit), ndërkohë që në Serbi ka një koncenzus të plotë (pushtet dhe opozitë) për mosnjohje të shtetit të Kosovës.
Në Kosovë, jo vetëm që nuk ka koncenzus të brendshëm, por ka madje edhe qëndrime diamteralisht të kundërta që në vetvete shprehin një mungesë të theksuar të sensit të përgjegjësisë mbi momentin historik në të cilin ndodhet Kosova.

Kjo pastaj ka ndikuar që faktori ndërkombëtar ta lexoj gabimisht situatën në terren sikur gjoja vetëm Kryeministri Kurti është i pakënaqur me çështjen e Asociacionit të komunave serbe dhe për rrjedhojë këtu e ka burimin deklarata e Escobarit se “me apo pa Kurtin, asociacioni do të bëhet”, duke përmendur edhe “partnerët alternativë”. Ai madje kishte thënë se “Kurti nuk duhet patjetër të pajtohet me çështjen e Asociacionit, sepse Kosova ishte pajtuar”, duke aluduar në marrëveshjet e 2013- tës dhe 2015-tës. Në anën tjetër, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë dhe se të gjithë ata që flasin për Asociacionin përderisa Serbia nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, e ndihmojnë atë.

“Njohja reciproke është në qendër. Presidenti [Joe] Biden ka thënë duhet të ndodhë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë. Presidenti Biden ka dhënë udhëzime të tjera dhe ne do të duhej që shtetin tonë, atdheun tonë, ta duam edhe më shumë se presidenti Biden, jo më pak se ai”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për REL.

Tani për tani nuk ka një përgjigje të prerë të Perëndimit ndaj një skenari të mundshëm i cili thotë: Çka nëse Vuçiqi e pranon planin franko-gjerman, kurse Kurti e refuzon?
Të gjitha spekulimet mund të prodhojnë një gjysëm të vërtetë, por asnjë e vërtetë nuk mund të lindë nga diplomacia e standardeve të dyfishta. Ashtu siç nuk mund të përkthehen në veprim efikas politik parimet e drejta, siç po pretendon Kryeministri Kurti sepse beteja në mes të parimeve dhe pragmatizmit gjithmonë ka qenë e pabarabartë dhe historia na ka mësuar se në jo pak raste pragmatizmi ka triumfuar mbi parimet. Kjo nuk do të thotë me automatizëm se Kryeminstri Kurti duhet të heqë dorë nga parimet, por vendimarrjen politike e shtetërore duhet ta bazojë mbi analizën e të gjitha rrethanave të brendshme e të jashtme, duke mos i lënë hapësirë Serbisë që prej një agresori rajonal të shndërrohet në një faktor paqeje që i dikton rrjedhat gjeopolitike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura