Kosova nacionale apo nacionaliste?

May 26, 2015 | 12:58
SHPËRNDAJE

URTAK HAMITI

    Shefi i njërës nga organizatat e sigurisë së Izraelit prej vitit 1996-2000, Shin Betit famëkeq, Ami Ayalon në vitin 2012, duke parafrazuar Karl Von Klausevicin, gjeneralin dhe strategun e famshëm të ushtrisë prusiane, pati deklaruar se qëllimi përfundimtar i luftës është jo mposhtja definitive e armikut, por krijimi i realitetit të ri politik më të favorshëm për palën tuaj.

Derisa në Kosovë kryhen ritet për varrosjen e të rënëve nga ngjarjet e Kumanovës, ndërsa bëhen përpjekjet që të mbrohen të arrestuarit nga forcat maqedonase nga torturat në burgjet e tyre, shtrohet një dhe vetëm një pyetje: a është ndërruar realiteti politik në Maqedoni në favor të shqiptarëve?

Elitat politike qeverisëse të shqiptarëve, të pushtetit dhe opozitës, në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni kanë artikuluar qëndrimet e tyre, disa me vonesë të papërgjegjshme dhe të pajustifikueshme rreth problemit të shqiptarëve të Maqedonisë pas ngjarjeve të Kumanovës. Dhe, nuk ka nevojë të jesh fort i mençur për të nxjerrë disa konkludime që mund të jenë të mjaft të dobishme për këdo që udhëheq, sipas detyrës institucionale, shqiptarët në këto shtete.

Kosova ka miratuar legjislacionin që ndalon pjesëmarrjen në fushëbetejat e huaja. Ai ligj është miratuar me kërkesë të aleatëve strategjikë amerikanë dhe ka mundur të formulohet si legjislacion, që i shpall të kundërligjshëm kosovarët që marrin pjesë në fushëbetejat nën emrin e islamit politik apo ideologjisë islamiste arabe. Por, ja që u miratua si i tillë dhe institucionet e Kosovës disa herë janë deklaruar se e përkrahin integritetin territorial të Maqedonisë dhe qeverinë aktuale. Në fund të fundit, Kosova e ka në Kushtetutën e saj (neni 1 pika 3) të shënuar se nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt.

Me kaq do të mjaftonte. Por, njerëz nga Kosova kanë hyrë në Maqedoni për të luftuar. Pra kosovarë, jo anëtarë të kësaj apo asaj lëvizjeje, siç u munduan t’ia mveshin përfaqësues të mediave, të instrumentalizuara, njërës nga partitë e rëndësishme politike në Kosovë dhe kundër njërës nga partitë e rëndësishme politike shqiptare në Maqedoni. Personalisht e di se vullnetarët e vitit 2001 janë betuar në Podujevë, Deçan, Prishtinë e vende të tjera të Kosovës për të luftuar për kombin shqiptar dhe ai betim nuk ka pasur lidhje me partitë politike të kohës në Kosovë dhe në Maqedoni as atëherë e, siç duket, as sot.

Shqipëria në deklaratat e fundit shkoi një hap më larg. Edhe institucionet e Shqipërisë janë deklaruar në përkrahje të integritetit territorial të Maqedonisë, por Kryeministri Rama në një deklarim mjaft atipik sqaroi qëndrimin e shtetit shqiptar se nuk mund të ketë Maqedoni stabël nëse termi “shqiptar” njësohet me “terrorist” dhe se nuk do të ketë Maqedoni në NATO me një qeveri që nuk e respekton Marrëveshjen e Ohrit. Aq ka fuqi Shqipëria dhe me aq mjafton që Maqedonia të mbetet aty ku e duan nacionalistët maqedonas dhe aleatët e tyre të vetëm serbë – e vetmuar dhe e fundit në procesin e integrimeve ushtarake dhe politike euroatlantike.

Por, Shqipëria nuk kishte dhe nuk ka shqiptarë që luftojnë në Maqedoni dhe kanë vullnet për këtë veprimtari, ndërsa Kosova ka pasur dhe ende ka. Ky është rezultat i aspektit psikologjik të shqiptarëve të Kosovës te të cilët ndjenja e përkatësisë nacionale, e unitetit nacional, solidaritetit nacional, dhe raportit personal ndaj komunitetit të njëjtë, është shumë më e theksuar. Identiteti etnik apo nacional është rezultat i historisë së përbashkët politike, kulturore, linguistike, dhe fetare të një komuniteti më shumë se prejardhja antropologjike e tij.

Analisti eminent britanik, Hju Seton-Vatson, që ka trajtuar nacionalen dhe nacionalizmin, kishte shkruar se është e pamundshme të jepet përcaktim shkencor për një komb të caktuar dhe se kombi dhe theksimi i nacionales ekziston vetëm atëherë kur një numër i madh i popullatës mendon se i takon një kombi të caktuar, ashtu sillet, dhe atë e thekson. Me këta parametra të vetëdijes nacionale, solidaritetit nacional, lojalitetit nacional, ndërlidhjes nacionale, sakrificës nacionale mund të përkufizohet Kosova e sotme nacionale. Dhe, nëse ne gabojmë, shifrat nuk gabojnë. Nëse 92% e Kosovës është shqiptare, atëherë çfarë është Kosova?

Në një botë komplekse, në një regjion edhe më të rënduar nga historia siç është Ballkani, ku nuk ekziston vetëm pluraliteti i kombeve që ekzistojnë në bashkëpunim paqësor me shkëmbim idesh në bashkekzistencë me idealin e bashkimit kombëtar në Bashkimin Europian, alternativa është realiteti ku vendet e Ballkanit garojnë njëri me tjetrin dhe përpiqen që me metoda të luftës psikologjike të krijojnë avantazhe afatshkurtra dhe afatgjata. Si të shpjegohet ndryshe trajtimi i shqiptarëve të Kosovës, gjatë dhe pas ngjarjeve në Kumanovë, në mediat e Beogradit, Shkupit, Zagrebit si “ekstremistë, terroristë, banditë” dhe e gjithë Kosovës si “çerdhe dhe strehë e nacionalizmit ekstrem shqiptar”.

Ky trajtim i projektimit të mungesave të brendshme të përkatësisë nacionale që kanë kombet e vendeve të lartpërmendura kundër shqiptarëve të Kosovës është dëshmi e rrëshqitjes në nacionalizëm patologjik, që në teori definohet si lidhje ekskluzive selektive e individit me komunitetin nacional personal, duke theksuar edhe qëndrimet negative dhe armiqësinë ndaj komuniteteve të tjera shoqërore dhe nacionale.

Shqiptarët e Kosovës e dinë mirë se çka do të thotë politika e orkestruar shoviniste, e përkrahur nga dhuna shtetërore sistematike serbe, që në një të kaluar jo fort të largët i kishte vënë buzë shkatërrimit. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë aspiruar të jenë komb i veçantë dhe janë të vetëdijshëm se Kosova është vend i tyre, përkundër përpjekjeve për ta bërë Kosovën “vend të qytetarëve të saj pa dallim etnie” duke i imponuar edhe simbole përfaqësuese (flamuri, himni, fusnota) të tilla të padallueshme nga identiteti i vërtetë i Kosovës shqiptare si vend i lirë dhe i pavarur. Prandaj, Kosova është nacionale dhe aspak nacionaliste.

Duke kaluar një histori të tillë të dhunës për gjenerata, Kosova, që ende nuk ka ushtri të rregullt dhe nuk ka strategji nacionale të trajtimit të shqiptarëve jashtë kufijve të saj, e pranon se në rrugët e saj do të ketë unifikim dhe solidaritet nacional. Çdo herë që shqiptarët e Kosovës trajtojnë çështjen e pozitës së shqiptarëve në Serbi dhe Maqedoni, mbizotëron ndjenja e mbrojtjes së tyre dhe avancimit të statusit të tyre pa marrë kurrfarë patronati politik. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i persekutimit, vrasjes dhe shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve të Kosovës në ish-Jugosllavi, ku bënin pjesë edhe Serbia, edhe Maqedonia. Prandaj, Serbia dhe Maqedonia janë vendet e fundit që mund t’i japin leksione Kosovës për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Këtë e dinë saktë edhe aleatët amerikanë dhe britanikë të Kosovës.

Ngjarjet e Kumanovës nuk kanë sjellë kurrë artikulim më të qartë të  Kryeministrit të Shqipërisë se nuk do të tolerohet më qasja maqedonase e trajtimit të secilit shqiptar si terrorist, kanë sjellë dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme dhe shefit të Shërbimit Informativ të Maqedonisë, të njohur tanimë edhe publikisht për qëndrime dhe aktivitete shoviniste e fashiste në raport me shqiptarët, dhe nëse si pasojë sjell edhe largimin e Kryeministrit aktual të Maqedonisë, atëherë ajo luftë në Kumanovë e shqiptarëve të Kosovës e ka ndërruar realitetin politik më në favor të shqiptarëve të Maqedonisë.

Në fund, një përkujtim për të gjithë. Lufta e vitit 2001 ka filluar pikërisht pas Marrëveshjes për Demarkacionin e kufijve në mes të RFJ-së dhe IRJM-së, të nënshkruar në Shkup më 23 shkurt 2001, në mes të Presidentëve Vojisllav Koshtunica dhe Boris Trajkovski, në dëm të shqiptarëve të Kosovës. As njëri, as tjetri nuk janë më në krye të vendeve të tyre e as demarkacioni kurrë nuk është zbatuar ashtu siç është nënshkruar.

*Studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura