Kosova midis dufit patriotik dhe realiteteve gjeopolitike

Oct 12, 2018 | 14:16
SHPËRNDAJE

ZENO JAHAJ

ZENO JAHAJ

Kosovës i ka ardhur koha të bëjë hapin e saj të fundit dhe vendimtar të shtetformimit: vulosjen e njohjes së plotë ndërkombëtare. Si për rastësi, por jo për rastësi, çasti përkon me njëqindvjetorin e Konferencës së Paqes së Versajës të 28 qershorit 1919, atëmot kur Shqipëria e mbetur u shpëtua nga Uillsoni – Presidenti vizionar i 27-të i SHBA-ve.

Atëmot Shqipërinë do ta kishim dashur të mbetej aq sa ishte trashëguar natyralisht, si populli dhe kombi më i vjetër në Europë. Gjë që ishte jashtë fuqisë sonë. Gjithsesi, brenda interesave të pleksura gjeopolitike të aktorëve kryesorë të kohës, sepse në sirtarët e disa prej kancelarive europiane ishte bërë gati edhe Plani “B” – kurdistanizimi i tokave dhe i popullsisë shqiptare.

Sidoqoftë, realitetit gjeopolitik i duhej më shumë pavarësimi i Shqipërisë sesa copëtimi i saj. Europa dëshironte të mënjanonte burimin e trazirave në Ballkan. Shqiptarët, të cilët nuk duruan dot zgjedhën e Perandorisë së stërmadhe Osmane, nuk do mund të duronin zgjedhën e fqinjëve të saj, me të cilët ishin thuajse të barabartë për nga numri, por shumë të pabarabartë për nga vjetërsia në rajon. Prandaj, Europa kërkoi me çdo kusht zgjidhjen: krijimin e një shteti shqiptar, sido që të ishte, në fakt një gjysmëzgjidhje, duke i mbetur borxh kombit shqiptar për gjysmëzgjidhjen tjetër.

Pas 100 vjetësh, Europa u detyrua t’i rikthehej gjysmëzgjidhjes tjetër shqiptare, duke kryer këtë herë bashkë me Amerikën, atë që Kadareja do ta çmojë si “luftën e parë dhe ndoshta të fundit të saj në kontinent, një luftë e rrallë me shtysë morale”.

Për të arritur qëllimet imediate të saj, përkatësisht çlirimin nga pushtimi i gjatë serb dhe rikthimin në mëvetësi, Kosovës iu desh të luante gjeopolitikisht, çka ishte pothuajse mundësia e vetme e saj. Ballkani në atë fundshekulli të trazuar ishte në krye të prioriteteve të politikës së jashtme të SHBA-ve.

Ndërkohë, në fund të shekullit të njëzetë, më i përgjakshmi në histori, një balancë e re kishte lindur midis të Drejtave të Shtetit dhe të Drejtave të Njeriut. Për të parën herë, një aleancë mbrojtëse si NATO, ndërmori një fushatë ushtarake në emër të të Drejtave të Njeriut, për të evituar një tragjedi humanitare jashtë zonës së saj klasike të përgjegjësisë.

Sfidat ishin të shumta, si midis vendeve aleate, ashtu edhe midis faktorëve shqiptarë. Por NATO ia doli. Kosova ia doli gjithashtu, kryesisht sepse ia doli NATO. UÇK-ja, si krahu i armatosur i Kosovës, diti të kuptojë, të përfshihej e të angazhohej në rrjedhën e duhur të interesave dhe zhvillimeve gjeopolitike të kohës.

Sot Kosova është e pavarur, por e panjohur, domethënë në gjysmërrugën e identitetit të saj. Shkurt, me leje kalimi, por pa pasaportë. Dhe i duhet të luajë pikërisht me realitetet e reja gjeopolitike për të përshkuar gjysmërrugën tjetër. Më të vështirën. Sepse edhe realitetet gjeopolitike, natyrshëm që nuk janë ato të dhjetë apo njëzetë vjetëve më parë.

Dilemat strategjike janë e do të jenë të shumta dhe si të tilla, me shumë pasoja.

Do kemi një NATO më të fortë apo më të dobët, një NATO të rindërtuar apo një vetëshuarje të NATO-s? A do mbijetojë BEja e sotme apo do shpërbëhet?

Çka na mëson historia është se nuk ka organizma apo organizata të përjetshme.

Priten kryqëzime të reja gjeopolitike: SHBA-ja është shtrënguar të zhvendosë prioritetet. Europa nuk është më midis tyre, çka do të thotë që, ose Europa do të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, ose do të rikthehet në gjendjen e paraluftrave botërore. Kina – sfiduesja potenciale e ekuilibrave gjeopolitikë po shtron superstrada tokësore energjetike, tregtare e financiare drejt Europës Juglindore e Qendrore. Rusia iu është futur kombinacioneve me Turqinë për të ridimensionuar tërësisht konfiguracionin gjeopolitik të lidhur me Ngushticat e Bosforit e Dardaneleve, çka do të thotë vënie në pikëpyetje e stabilitetit dhe ekuilibrave të botës.

Lajm i madh është që burrështetasit e akademikët e përgjegjshëm të Kosovës i studiojnë këto realitete, i dëgjojnë dhe i vlerësojnë duke u angazhuar të navigojnë me zgjuarsi përmes tyre, në të mirë të interesave imediate e të perspektivës së Kosovës veçanërisht e atyre kombëtare përgjithësisht. Siç ka prej atyre, të cilët i ka zënë frika se mos korrigjimi i kufijve hap të ashtuquajturën “Kuti të Pandorës” – një lëshim djajsh që gjeneron menjëherë probleme të komplikuara zinxhir, e përfundimisht të pamenaxhueshme.

Por Kosova nuk është rasti për të zhvilluar frikëra, disertacione apo fjalime për Kutinë e Pandorës. Përfshirja e Kosovës në këtë diskurs, nëse nuk ka prapavijë keqdashëse, flet më së shumti për mosnjohje e interpretim të gabuar të origjinës së mitit në fjalë. Kosova, ashtu si, për shembull, Sllovakia apo Republika Çeke, historikisht kanë qenë entitete të njohura siç janë sot, pavarësisht se patën qenë përfshirë në “kuti” artificiale si ishJugosllavia apo Çekosllovakia. Dikush i futi brenda “kutisë”, por historikisht kanë qenë jashtë tyre. Kosova, ashtu si Sllovakia apo Republika Çeke në vetvete, nuk përbëjnë Kuti Pandore. Nuk kanë djaj që të lëshojnë. Prandaj, procesi i konturimit apo korrigjimit të kufijve të tyre nuk mund të krijojë “Kuti Pandore” të re.

Tej frikërave artificiale nga “Kutia e Pandorës”, çështja është diku tjetër: a është Kosova mjaftueshmërisht e fortë në tavolinën e negociatave me Serbinë? Cila prej tyre është fuqi e humbur dhe cila është fuqia e fituar? Një jetë të tërë logjika e kufijve është zgjidhur mbi këtë çelës të artë: fituesi i merr të gjitha e humbësi asgjë. Popujt pa kulturë dhe primitivët kanë një zgjedhje tjetër: të dy të dalin të humbur. Siç ka edhe një alternativë tjetër moderne: të dyja palët të dalin të fituara.

Serbia, gardiane e një kombi vital, që pozitën e saj e ka ndërtuar më së shumti me pushtime, me dhunë ushtarake, shtetërore e fetare, nuk është kësisoj, në një gjatësi vale me vlerat liberale europiane. Është kjo arsyeja që nuk çlirohet dot nga miti i Kosovës. Përkundrazi, Kosova nuk ka nevojë për mite e prandaj, është Serbia ajo që kërkon më shumë sesa Kosova, një ofertë drejt anëtarësimit në BE.

Kështu që, dufi patriotik për Kosovën është, në një farë mënyre, i justifikuar. Ai buron pikërisht nga fakti i gjysmëzgjidhjeve që Europa u ka borxh shqiptarëve.

Ashtu siç dufi patriotik për Kosovën buron ca më shumë nga fakti që politikanët shqiptarë, ende edhe sot, kërkojnë arbitra të jashtëm edhe për çështje të brendshme e kombëtare. Le të kujtojmë se në Konferencën e Paqes në Paris në fillimshekullin e kaluar, tri delegacione shqiptare pretendonin ekskluzivitetin e përfaqësimit të këtij vendi dhe të këtij populli të vogël – një tagër që nuk arriti dhe nuk e mori dot asnjë prej tyre. Asnjeri nuk qe pjesë e tavolinës së bisedimeve, sepse Shqipëria nuk kishte as fuqinë që të imponohej me ushtri, me flotë apo me ekonomi, as burrështetasit e duhur për t’u imponuar me diplomaci. (Fatkeqësisht, edhe sot Shqipëria përfaqësohet me dy delegacione në Parlamentin Europian).

Duke iu kërkuar mirëkuptimin lexuesve, le të më lejohet të sjell një dialog me një kolegun tim të viteve më parë, Atasheun Ushtarak të Egjiptit. U interesua të dinte më shumë se çfarë ishte “Shqipëria e Madhe”. I them, pak a shumë, se nuk ekziston ndonjë Shqipëri “e Madhe” apo ndonjë tjetër “e Vogël”. Ka vetëm një Shqipëri: ajo natyrale. Në fund shtova: “Kjo ndarje artificiale u vendos në Paris, atje ku ju, gjeneral, keni përfunduar Shkollën e Luftës, ku fqinjët tanë u gjendën në Konferencën e bisedimeve, kurse ne shqiptarët ishim fatkeq. Nuk arritëm dot në ato tavolina”. Atëherë, kolegu im, me dashamirësi, vërejti: “Ju ishit fatkeq apo fajtorë?”

Kosovës sot i duhet të navigojë me zgjuarsi në realitetet gjeopolitike. Nëse përzgjedh dufet patriotike, sipas të gjitha gjasave, Kosova e më tej rajoni përreth, do vijojnë të mbeten të pasigurt. Prezenca e pafund e NATO-s në Kosovë nuk është zgjidhja. Në Kosovë shërben një personel i NATO-s prej mbi 4000 ushtarakësh e civilësh. Për 440 vetë që angazhon Gjermania në këtë prezencë, prej vitit 1999 e deri në vitin 2012 ka shpenzuar rreth 3.3 miliardë euro! Ndërkohë, qysh nga viti 1999, në këtë mision, 168 ushtarë të NATO-s janë vrarë, kryesisht në aksidente!

Deri kur? Cila do të jetë përzgjedhja e Kosovës?

Nëse navigon përmes realiteteve gjeopolitike, ajo do të detyrohet të vetëzhvillojë kapacitetet e fjetura, të keqpërdoruara apo të shpërdoruara deri më sot. Në qoftë se vijon të nanuriset me dufet patriotike, atëherë do të mbetet thjesht një protektorat euroatlantik. Jo pjesë e ingranazheve të institucioneve dhe kulturës euroatlantike. Do të mbetet në mes të rrugës, jo thjeshtë fatkeqe, por sidomos fajtore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura