Kosova duhet të ringjallë politikën e njohjeve

Sep 28, 2022 | 7:17
SHPËRNDAJE

ALTIN GJETA

altin-gjeta-pedagog

Brenda një harku kohor prej dy javësh, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se mundësia e një konflikti të hapur me Serbinë është rrezik real.

Ndryshe nga parashikimet fillestare pas agresionit rus në Ukrainë, vëmendja e komunitetit ndërkombëtar ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe Kosovës në veçanti nuk ka njohur ndonjë ndryshim thelbësor.

Në këtë kontekst, Kryeministri i Kosovës po i bie ziles së alarmit që të kthejë vëmendjen e faktorit perëndimor nga Kosova, e cila është izoluar ndërkombëtarisht, pa liberalizim vizash me BE-në dhe pa njohje të reja që prej vitit 2020 kur u njoh nga Izraeli falë marrëveshjes së Uashingtonit. Dalja nga izolimi kërkon që Kosova, krahas dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Brukseli, të ringjallë politikën e shtimit të njohjeve, në një kontekst ndërkombëtar të favorshëm pas gjunjëzimit të Rusisë në Ukrainë.

Megjithëse dialogu mbetet i rëndësishëm, kyçja në dialogun e Brukselit sikur të ishte “plumb i artë” për shtetësinë e Kosovës, në një kohë kur prej më shumë se një dekade nuk ka arritur qëllimin final, njohjen reciproke me Serbinë, do të ishte një gabim strategjik për Kosovën. Dialogu përveçse ka prodhuar marrëveshje të diskutueshme si krijimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, i ka shpenzuar shumë energji Kosovës dhe e ka mbajtur çështjen e shtetësisë së saj të hapur.

Tashmë është e qartë se diplomacia e dykuptimësisë dhe hapave të vegjël të Brukselit nuk adreson nevojën emergjente të Kosovës për t’u bërë pjesë integrale e komunitetit të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Edhe pas qasjes së butë të Serbisë ndaj Rusisë, politika e Perëndimit mbetet tek ideja e ankorimit të Serbisë në bllokun perëndimor. Këtë synim, e bëri të qartë në një intervistë të fundit për Këshillin e Atlantikut, ambasadori i SHBA në Beograd, Chris Hill, i cili theksoi se politika jonë është ta kthejmë Serbinë kah Perëndimi.

Prandaj, nuk mund të pritet një politikë energjike presioni nga SHBA dhe BE ndaj Serbisë. Faktori shqiptar duhet të kuptojë se politika amerikane nuk sillet vetëm rreth tij, por rreth interesave gjeostrategjike në një kontekst më të gjerë se Ballkani. Bash për këtë, politika e njohjeve duhet të ringjallet nga politika e jashtme e Kosovës në një moment kur Serbia është e njollosur ndërkombëtarisht për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Për më tepër, Rusia, aleatja më e rëndësishme e Serbisë në OKB dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare është zhytur në baltën e Ukrainës, dhe qëndron më e dobët se kurrë në arenën ndërkombëtare.

Ky është një moment i rëndësishëm që duhet shfrytëzuar nga politika e jashtme e Kosovës në dy plane: Së pari duke lobuar te faktori perëndimor dhe te shtetet që nuk e kanë njohur, për shtimin e njohjeve në arenën ndërkombëtare. Për shembull, afrimi me Greqinë është një shembull pozitiv që mund t’u hapë rrugë njohjeve të reja. Së dyti, duke diskredituar imazhin e Serbisë si një shtet që ka kryer gjenocid në Ballkan, që përbën rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe që nuk ndjek politikën perëndimore të sanksioneve ndaj Rusisë. Për të shtuar njohjet dhe forcuar shtetësinë e saj, Kosova duhet të mësojë nga historia jo fort e largët.

Pas çlirimit të vendit nga trupat ndërkombëtare të NATO-s në 1999, Kosova dhe faktori ndërkombëtar e vonoi zgjidhjen e statusit përfundimtar për rreth tetë vite. Sipas studiuesit Ker-Lindsay, ky ka qenë ndoshta edhe gabimi më i madh i perëndimit në Kosovë. Në një kohë kur Rusia, aleatja e vetme e rëndësishme e Rusisë, sapo kishte dalë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ishte e zhytur në krizë ekonomike dhe e pasigurt në arenën ndërkombëtare, perëndimi, në kulmin e fuqisë së vet, nuk veproi shpejt në Kosovë, në mënyrë që ta impononte pavarësinë e Kosovës në një moment të volitshëm ndërkombëtarisht. Pas njëzet vitesh, me Rusinë me duar të zëna në Ukrainë dhe Serbinë e diskredituar si aleatja e saj e vetme në Europë, është momenti që politika e jashtme e Kosovës të tregohet pragmatiste, vizionare dhe dinamike. Në mungesë të progresit të dukshëm në procesin e dialogut të Brukselit, Prishtina duhet të rikalibrojë politikën e jashtme drejt njohjeve të reja.

© Panorama.al

Te lidhura