Kosova duhet të afirmojë identitetin si shtet i lirë dhe i pavarun

Jul 10, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

SAMI REPISHTI, PHD sami_repishti

Ridgefield, CT. Më 17 sh kurt 2008, Parlamenti i Kosovës, në mbledhje plenare dhe solemne, deklaroi “Pavarësinë” e Kosovës, dhe Republikën e Kosovës si shtet i lirë, i pavarun, dhe demokratik, me orientim pro europian. Ky sukses ka qenë rezultati i luftës kundër diktaturës millosheviçiane, luftë që ka marrë formën e saj sipas konditave politike të vendit: paqësore nën udhëheqjen e LDK-së e të ndjerit dr. Ibrahim Rugova, Presidenti historik, dhe të të ndjerit prof. Fehmi Agani, me të cilët kam bashkëpunue pa rezerva, dhe aspektin ushtarak me krijimin e UÇK-së në vitet e paraçlirimit, e drejtueme nominalisht nga nji grup të rinjsh aktivistë me tendenca marksiste, në mes të cilëve edhe Hashim Thaçi, sot President i Republikës së Kosovës. Kosova nuk e harron kurrë ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos përkrahjen e NATO-s, të udhëhequn nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës dhe operacionet ushtarake që gjunjëzuen agresorin serb. U formue kështu nji lidhje strategjike e qëndrueshme.

Ma shumë se tetë milionë shqiptarë të shpërndamë nëpër botë festuen këtë eveniment që vuloste njëherë e përgjithmonë fundin e tiranisë së militarizmit serb dhe krijimin e nji situate, ku, qytetarët e Kosovës, me ndërgjegje të plotë, morën përsipër ndërtimin e “atdheut” të tyne të lirë mbas nji pesëqindvjeçari okupimesh, otomane dhe serbe, që dështuen në përpjekjet e tyne me shkombëtarizue popullsinë e dendun shqiptare në trojet shekullore arbnore.

Bota e jashtme aprovoi këtë akt çlirimtar dhe historikisht të paevitueshëm, me njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Shteti i ri kosovar bani hapat e parë, ma të vështirë të jetës së tij të lirë. “A country is born!” ishte parulla e ditës.

Rreth vitit 2010 filloi nji fushatë e tërbueme diplomatike serbe kundër “pavarësisë” së Kosovës, fushatë që vazhdon akoma edhe sot. Për fat të keq, pesë vende europiane me problematikë të pazgjidhun të “pakicave kombëtare” në përbamjen e tyne, dhe disa shtete të vogla, të vorfna dhe pa asnji interes në marrëdhaniet me Republikën e Kosovës, ranë viktimë e kësaj fushate diplomatike serbe. Asnji nga vendet e mëdha europiane nuk tërhoqi njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Krahas me këtë “ofensivë” diplomatike serbe, nji përpjekje tjetër u shfaq në Washington D.C.: qarqe pro serbe ngritën tezën e “shkëmbimit të territoreve me pakica kombëtare serbe dhe shqiptare”. Nji grup lobistësh (?) organizoi nji séancë “informative”. Ishin të pranishëm: eksperti për Ballkanin, prof. Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins; ish-ambasadori William Walker; dy të panjohur, emni i të cilëve nuk më kujtohet, dhe unë, si shqiptaro-amerikan. Audienca kishte mjaft shqiptaro-amerikanë.

Bisedimet u zhvilluen në nji atmosferë akademike serioze. Ma në fund nji ndigjues më drejtoi këtë pyetje: “Pse nuk bahet nji shkëmbimi i territoreve të banueme me pakica kombëtare në Serbi dhe në Kosovë, tue eliminue kështu nji element irritant në mes të dy vendeve?”.

Përgjigjja ime ka qenë (sipas kujtesës): “Kosova ashtë sot nji shtet i lirë, i pavarun, funksionues me demokraci parlamentare, i njohun nga ma shumë se 100 vende nga të katër anët e botës, por joanëtare e OKB-së, si rezultat i obstruksionizmit rus dhe kinez. Ajo ka nji Kushtetutë të aprovueme nga Parlamenti i Kosovës i zgjedhun lirisht, ku theksohet se liria, pavarësia, integriteti territorial i “shtetit” të Kosovës janë vlera të patjetërsueshme. Kosova ka sot nji qeveri të ligjshme. Kjo Kushtetutë siguron lirinë e plotë dhe trajtimin e barabartë të pakicave kombëtare me qytetarë të bashkësisë shqiptare që përmban 92 për qind të popullsisë së vendit.

Ka gjithashtu edhe nji element parimor në këtë qëndrim: Republika e Kosovës ashtë e destinueme me qenë pjesë e kontinentit europian. Historia dhe gjeografia e bajnë Kosovën nji pjesë të pandashme nga Europa. Mbetet plotësimi i formaliteteve të duhuna (“kushteve”) për anëtarësim formal në Bashkimin Europian. Kosova duhet të veprojë si shtet europian.

Ky konceptim real dhe progresiv që synon “europianizimin” e Republikës së Kosovës në nji kontinent me kulturë të përbashkët, mbetet ylli polar i orientimit të Kosovës. Trajtimi i “pakicave kombëtare” në Europë ashtë nji pasunim i shoqënive europiane dhe ka gjetë zgjidhjen e vet fatlume me legjislacionin demokratik, liberal, që garanton të drejtat e plota për të gjithë. Duhet të heqim dorë nga politikat e së kaluemes së dhimbshme kur pakicat kombëtare, sidomos ajo shqiptare në ish-Jugosllavinë, janë përdorue si “mollë sherri” nga politikanët e vendeve tona. Le të drejtojmë sytë drejt Europës, të ndjekim shembullin e Europës dhe të përparojmë pa probleme artificiale”.

Kjo eksperiencë krijoi nji shqetësim për mue: Serbia në Kushtetutën e re e konsideron Kosovën pjesë të Republikës serbe. Serbia do të përdorë këtë propagandë për trazimin e gjendjes në mes dy vendeve; dola nga “tubimi” i bindun se e ardhmja e Republikës së Kosovës ashtë anëtarësimi në Bashkimin Europian…..

Me nji konditë: ky anëtarësim duhet meritue, jo të arrihet si nji “dhuratë”, ose “lëmoshë” për nji vend që nuk e meriton, qëndrime që damtojnë randë dinjitetin e Republikës së Kosovës para botës së jashtme”.

* * *

Më 26 mars 2020, gazeta “Panorama” botoi shkrimin tim “Për dinjitetin…e Kosovës”, ku citohet botimi i analizës së diplomatit amerikan Shawn Byrnes, ish-shef i Misionit Diplomatik në Kosovë (1998-‘99). Aty thuhet se Presidenti Thaçi dhe ai i Serbisë, Vuçiç, besohet të kenë përgatit nji projektmarrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, dhe se ishte gati për firmën nga të dyja palët kontraktuese. Pengesa vinte për dy arsye:

E para, sipas Kushtetutës së Kosovës marrëveshje të këtilla duhen firmue nga Kryeministri e jo nga Presidenti;

E dyta, dyshohej se projekti përmbante klauzola ku të dyja palët janë të gatshme me ba shkëmbime territoriale. Me nji fjalë, diplomaci personale për nji problem thelbësor siç ashtë shkëmbimi i territoreve, që shkel parimin e paprekëshmënisë së integritetit territorial. Le të mos harrojmë se çdo ndryshim kufijsh shtetnorë sjell në mënyrë të paevitueshme shkëmbime popullsish, nji akt barbar në vete e që shqiptarët e shumë mirë. Mbyllja në suazën e shteteve kombëtare monolite i përket së kaluemes dhe ka dhanë rezultate shkatërruese; ajo duhet abandonue.

Për nji komplikim ma të madh, administrata e Presidentit Trump që favorizon nji “zgjidhje” të këtillë e kërcënon Kosovën në rast mospajtimi, me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova dhe me ndërprerjen e ndihmave amerikane për Kosovën. “…Shohim se administrata jonë bllokon ndihmën për Kosovën”, deklaroi ish-ambasadori Frank Wiesner, Jr. në nji intervistë për gazetën “DIELLI” të datës 3 korrik. “Sipas meje, është gabim thelbësor. Mendoj se kërcënimi që mund të tërhiqen trupat nga Kosova është, po ashtu, shumë i gabuar. Ne nuk trajtojmë miqtë tanë në Kosovë më kërcënime. Ne i trajtojmë me mirëkuptim. Tani, na duhet të rindërtojmë besimin dhe respektin që Kosova meriton… Tani, kryesorja është të stabilizohet ambienti politik…”, përcaktoi ambasadori Wiesner, Jr.

Çuditërisht, Presidenti Thaçi abuzoi këtë presion amerikan për “luftën” e tij kundër ish KM Kurti, me kërcënimin pa bazë se nji “mospajtim me SHBA-në rrezikon pa mëdyshje Kosovën dhe se nuk mund të lejohet. Tue komentue mbi këtë vijë të gabueme, diplomati amerikan Byrnes sqaronte se “…udhëheqësit e Kosovës duhet të dinë se miqësia me SHBA-në ashtë sot, dhe do të mbetet edhe nesër, e fortë. Ajo ashtë realiste dhe nuk devijon pa nji arsye të shkallës së parë, siç janë damtimet e interesave të SHBA-së”. KM Kurti ka mbajtë nji qëndrim parimor dhe ka pasë përkrahjen e Bashkimit Europian.

Nga këtu lindi dyshimi se ndërhymja e Presidentit Trump motivohet nga përpjekjet e denduna me arrijtë “nji fitore diplomatike” nga nji marrëveshje Kosovë-Serbi që do të paraqitej “nji fitore” para zgjedhjeve të 3 nandorit. Eksperti Daniel Serwer, në nji intervistë me gazetën “Bota Sot”, u shpreh: “…Ashtë shumë e qartë që populli i Kosovës nuk dëshiron shkëmbim territoresh… Ambasadori Grenell nuk ashtë mik i Kosovës. Ashtë fakt i njohun që ka lobim pro serb shumë aktiv në SHBA”. (tue përfshi nënpresidentin Mike Pence, ishpërkrahës i S. Millosheviçit. SR

Para nji gjendje të këtillë unë përshëndeta Deklaratën e ASHAK të 10 qershorit 2020 (VoA) si “… pozitive, substantive dhe udhërrëfyese…” dhe shfaqa bindjen time se “…mundësitë e nji fitoreje të Partisë Demokratike të SHBA-së në zgjedhjet e 3 nandorit 2020 janë të mëdha. Ardhja në fuqi e kandidatit demokrat, ish nënpresidentit të SHBA-se, Joseph R. Biden, Jr. do të ishte nji sukses për vendin tonë dhe botën mbarë dhe trajtimi i problemit kosovar do të kishte vëmendjen e duhun…”

Këtë opinion e forcova nga takimet e mia personale me ish-senatorin Joseph R. Biden, Jr., ish-kryetar i Komisionit Senatorial për Punët e Jashtme dhe me deklaratën e tij në nji mbledhje shqiptaro-amerikanësh në Hilton Hotel, N.Y.

“…Fati i shtatë milionë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik ashtë gjithashtu kritik për interesat e vetë Amerikës. Nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njisitë që përbajnë atë regjon do të bijnë, dhe nëse nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, na, amerikanët, do ta paguajmë shtrenjtë”. (“Panorama”, 26 mars 2020).

Gjatë nji takimi në zyrë me kriminelin S.Millosheviç, Beograd, prill 1993, z. Biden rikujton qortimin e ashpër: “Unë mendoj se ju (Millosheviç) jeni nji kriminel lufte i damkosun dhe se ju duhet të dilni para Gjykatës si i tillë”. (Original: “I think you’re a damn war criminal and you should be tried as one!”).

Z. Rubin, ish-zadhanësi i Departamentit të Shtetit që ka asistue këtë skenë, shtoi: “Ka qenë nji përballim intensiv që unë nuk kam pa ndonjiherë; nji udhëheqës amerikan të ketë atakue kaq randë nji udhëheqës të huej. Ai (Biden) doli nga mbledhja me bindjen se Z. Milosheviç ashtë nji ‘Satan’ dhe Shtetet e Bashkueme duhet të bombardojnë forcat serbe… Z. Biden ka qenë nga të paktët zane që kanë këshillue Presidentin Bill Clinton me ndërmarrë aksione ushtarake kundër Serbisë”. (“The New York Times”, 6.VII.2020)

Përpjekjet për përmbylljen e suksesshme të procesit të normalizimit të marrëdhanieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë fillue nga BE, qysh në vitin 2011. Për arsye të ndryshme nuk kanë arrijtë qëllimin e tyne. Afër 30 marrëveshje të arrijtuna në Bruxelles nuk janë zbatue. Në këtë gjendje të padëshirueshme erdhi ndërhymja amerikane. Në tetor 2019, Presidenti Trump emnoi përfaqësuesin e tij të posaçëm, ambasadorin Grenell, për bisedimet Kosovë-Serbi, nji hap diplomatik i papritun me qenë se pak kohë ma parë Departamenti i Shtetit kishte emnue diplomatin e karrierës, Matthew Palmer, si përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor. “Emërimi i tyre, deklaronte VoA, ndonëse kishte nxitur pikëpyetje te shumë vëzhgues, u mirëprit në Kosovë, ku roli i SHBA-së vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset diplomatike”. Ambasadori Grenell rriti autoritetin e tij me suksesin në marrëveshje Kosovë-Serbi për linjat ajrore.

Nji veprimtari e këtillë amerikane detyroi Bashkimin Europian me rifillue procesin e ndërpremë dhe në prill diplomati M. Lajçak u emnue si përfaqësues i posaçëm në procesin e bisedimeve. “Unë pres që të sjell këtë proces në përfundim të suksesshëm”, deklaroi Lajçak. Dhe shtoi: “…ajo që dij ashtë se BE ka punue gjithmonë shumë afër me SHBA-në dhe gjithçka që ashtë arritun në bisedime ishte rezultati i nji bashkëpunimi shumë të ngushtë mes të SHBA-së dhe BE-së. Kjo ashtë ambicia jonë…”, raportoi VoA.

Mbas takimit Thaçi-Lajçak, Presidenti Thaçi bani të qartë: “Ne besojmë në angazhimet e sinqerta të administratës amerikane. Në fund të fundit, për ne ashtë me randësi jetike që SHBA dhe BE të kenë nji koordinim të suksesshëm të partnerëve strategjikë për Kosovën, Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkruente gazeta “Illyria” e 16 qershorit. Presidenti Thaçi ka deklarue se “…dialogu KosovëSerbi duhet të mbyllet me njohjen reciproke të dy vendeve”.

Nji fërkim pakënaqësie mes Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës mbi rolin e tyne në negociatat shkaktoi ramjen e qeverisë Kurti më 3 qershor, me anë të nji vote mosbesimi në Parlament, që dyshohet të jetë manipulue nga Presidenca. LDK-ja, fuqia ma e madhe në qeverinë Kurti, tërhoqi mirëbesimin, flitet me plotësue nji dëshirë amerikane. Ngjarjet u zhvilluen në nji periudhë kritike të përhapjes së virusit Covid-19 që rrezikoi jetët e qytetarëve dhe Kosova kishte nevojë për nji qeveri aktive, pa shqetësime politike.

Me ramjen e qeverisë Kurti, u formue nji qeveri e re nën kryesinë e Abdullah Hoti. Ai mori përsipër me gjetë nji rrugëdalje për kërkesat amerikane e europiane. Nji zhvillim i këtillë favorizoi pozitën e Presidentit Thaçi dhe nxiti atë të kërkojë rolin kryesor në bisedimet me Beogradin, megjithëse Parlamenti, ashtu si Gjykata Kushtetuese, janë të mendimit se bisedimet me Beogradin janë përgjegjësia e qeverisë e jo e Presidentit, komentoi eksperti Daniel Serwer, në “The Adriatic Report” të datës 6 qershor. Parlamenti mbikëqyr bisedimet.

Për sqarime të nevojshme, Kryeministri i ri, Hoti, deklaroi se “platforma jonë për dialogun përjashton ndarjen apo shkëmbimin e territoreve”, dhe se “…për ne, si qeveri e si shtet, roli i BE-së dhe i SHBA-së ashtë komplementar”. Nji pohim i këtillë ashtë esencial në përcaktimin e rolit të Qeverisë së Kosovës në bisedimet dypalëshe. Ai shtoi se “…nuk ashtë i sigurt nëse marrëveshja për normalizim të marrëdhanieve me Serbinë mund të arrihet para nëntorit, ku pritet të bahen zgjedhjet në SHBA”. Logjikë solide.

Më 15 qershor, ambasadori Grenell lëshoi këtë komunikatë: “Lajm i mirë. Kam marrë premtimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Të dyja palët do të takohen më 27 qershor në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë”. Ai paralajmëroi “…nëse ndonjëra palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, atëherë do të kthehen në ‘status quo’, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thanë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. Pres me padurim këto diskutime”, shkroi ai të hanën (15 qershor), raportoi VoA. Nji ditë ma vonë, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brian, tha se është i kënaqur të presë udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës me Richard Grenell-in në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara janë duke pritur me padurim këto diskutime të rëndësishme. Me këtë rast, Presidenti H. Thaçi u përgjigj se kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë Presidenti Trump, ai është për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Njëkohësisht, Presidenti i Serbisë, Alexander Vuçiç, tha se “njohja e Kosovës nuk do të jetë temë diskutimesh në Uashington”……

“Zëri i Amerikës” theksoi se “Ftesa për takimin në Shtëpinë e Bardhë u bë ditën kur Bashkimi Europian nisi për në rajon të dërguarin e tij të posaçëm, Miroslav Lajçak, që të provojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara (në vjeshtën e vitit 2018) ndërmjet dy vendeve.

Më 15 qershor, gazeta “The New York Times” botoi lajmin: “Udhëheqësi i Kosovës përballohet me akuzën për krime gjatë Luftës së viteve 1990. Udhëheqësi, Presidenti Hashim Thaçi, dhe kolegu i tij, (Kadri) Veseli, akuzohen me dhjetë padi shkelje dhe krime lufte para nji Gjykate Speciale në Holandë. Prokurorët akuzojnë Presidentin Thaçi dhe luftëtarë të tjerë si përgjegjës kriminalist për afërsisht 100 vrasje…”.

Këto akuza që priteshin me dalë në shesh kohë ma parë, duhej të aprovoheshin nga anëtarët e Gjykatës Speciale; prandaj, momenti i publikimit të tyne ka ardhë si nji e papritun e madhe, në Ballkan e në Uashington. Z. Thaçi pritej të takojë Presidenti Vuçiç të Serbisë (më 27 qershor SR) për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, dialog i ndërmjetësuem nga zyrtarët amerikanë. Para kësaj situate, Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Hoti me delegacionin Kosovar u kthyen në Kosovë. Kthimi i Hotit, mendoj unë, ka qenë nji gabim taktik, sepse ai ishte kryetar i delegacionit që gëzonte besimin e amerikanëve. Ai duhej të kishte vazhdue me bisedimet në Shtëpinë e Bardhë dhe çështja Thaçi do të zgjidhej me mjete paqësore dhe legale. Kështu, Hoti do të kishte afirmue identitetin e Republikës së Kosovës si shtet i lirë, kushtetues e funksionues, nji arritje me shumë randësi për Kosovën.

“Nji zhvillim i këtillë prek Kosovën në të gjithë aspektet e problemit dhe prek procesin e dialogut, në të cilin Presidenti (Thaçi) ashtë interlokutor kryesor për BEnë dhe SHBA-në; prandej do të ketë nji efekt shumë të madh në skenën politike në Kosovë”, reagoi Agron Bajrami, kryetar i agjencisë prestigjioze “Koha Media Group” (Prishtinë), raporton “The Times”, dhe komenton: “Prokurorët në Gjykatën Speciale janë detyrue me publikue akuzat të mërkurën (24 qershor SR) për arsye se disa akte jo të specifikueme nga ana e z. Thaçi e z.(Kadri) Veseli kishin për qëllim me asgjasue punën e tyne…”. Akuzat e Prokurorit marrin nji kuptim ma të gjanë nga nji Gjykatë Speciale të themelueme nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2016, i pajisun me juristë jokosovarë e qëndrim në Hague, me sigurue punën e tyne pa ndërhymje.

Nji ditë ma vonë, 26 qershor, administrata amerikane shtyni afatin e mbledhjes për nji ditë të pacaktueme në Uashington. “Zyrtarët amerikanë kanë ushqye shpresën se “takimi” në Uashington do të kishte zbritë tensionin në mes të dy vendeve ballkanike dhe do të përfundonte në nji marrëveshje”, shkruente “The Times”.. Z. Thaçi nuk ka komentue. Z. Veseli ka mohue akuzën.

Nji aspekt i këtij denoncimi ka tërheq vëmendjen e publikut të edukuem: Shpallja e “akuzave” ashtë ba pa aprovimin e gjykatësit, nji praktikë e domosdoshme në procedurën penale. Nëse Gjykata nuk e aprovon, akuza bien dhe hetimet pushojnë.

Komenti i parë i Departamentit të Shtetit pranon se “…ngritja e akuzës nga Prokurori i Specializuar (ashtë) nji hap përpara për drejtësinë në Kosovë. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë, për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme e të bashkohet me komunitetin euroatlantik”, tha për VoA zëdhënësi i Departamentit.

Nji eksperti jashtëm, z.Peter Beyer, raportues për Kosovën në Këshillin e Europës dhe koordinator i qeverisë gjermane në marrëdhaniet transatlantike, shkruente në “Panorama”, të datës 26 qershor: “…të gjithë duhet të shohin qartë se nuk ashtë UÇK-ja që ashtë në bankën e të akuzuarve këtu, por disa individë me pozicione drejtuese në UÇK në atë kohë. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme. Ky zhvillim duhet të shihet si nji shenjë pozitive nga populli i Kosovës, pasi tregon se vendi është në rrugën e shtetit kushtetues funksionues.

Pajtimi është një element shumë i rëndësishëm në trajtimin e së kaluarës. Ai mund të funksionojë vetëm nëse identifikohen krimet e së kaluarës. Ai mund të funksionojë vetëm nëse identifikohen krimet e luftës, posaçërisht kush ka krye krimin, dhe ndiqen e dënohen në përputhje me të drejtën. “Gjykata Speciale dhe prokurorët e saj luajtën këtu një rol vendimtar dhe duhet të mbështeten fuqimisht nga të gjitha forcat shoqërore dhe politike në Kosovë dhe partnerët europianë…”.

Nji mendim të njajtë shfaqën edhe firmuesit e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë: “…Pa dashtë me paragjykue drejtësinë ndërkombëtare, këto akuza nuk do të jenë në gjendje me errësue gjendjen e luftën e Kosovës për liri”. (Tiranë, 25 qershor

“…Njizetë vjet pas lufte”,-shkruen analisti i mirënjohun Veton Surroi,-”në opinion publik botënor fillohet të flitet për krimet e supozueme të guerilëve shqiptarë karshi një gjendjeje në Serbi, ku tashmë janë rehabilituar të gjithë kriminelët e luftës dhe ashtë përfaqësuar në shumicë publike ideologjia serbomadhe që solli këto krime. Në qarqet ndërkombëtare vërehet nji ‘sulm’ i papritun kundër Kosovës, në një moment kritik konsiderohet si ‘dënimi i viktimës dhe përkrahje e ‘fajtorit’”. (“Panorama”, 2 korrik) Burime serioze si Humanitarian Law Center janë të mendimit që ma shumë se 10.000 kosovarë janë masakrue nga forcat serbe gjatë viteve të luftës, por pak serbë janë dënue..

Ashtë nji fakt i pamohueshëm i luftës për liri të popullit të Kosovës bashkëpunimi i plotë i forcave të rezistencës kosovaretue përfshi edhe UÇK-në- me forcat e ndërhymjes ushtarake të aleancës së NATO-s, nën drejtimin e SHBA-së. Ashtë absurde me mendue se nji bashkëpunim i këtillë do të kishte qenë i mundun në mes të dy palëve, sikur UÇK-ja dhe forcat e rezistencës kosovare të ishin konsiderue si “terroristë” ose “grupe kriminelësh” që veprojnë pa kontroll.

Në nji konferencë shtypi për mediat në Kosovë, Kryeministri Hoti shpjegoi: “Është me interes për shtetin e Kosovës që ky proces (dialogu me Serbinë, SR) të mbyllet sa më shpejt, duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Europian, nga vendet kyçe të BE-së dhe nga SHBA-të. Pavarësisht ndryshimeve, mbesim të përkushtuar për dialogun sepse dialogu nuk ka alternativë. Këtë e kemi tregue në Bruksel… Tani jemi duke bërë angazhimet për Samitin e Parisit…”, deklaroi ai, tue theksue se bisedimet janë krye me ambasadorin Grenell dhe interesimin e Presidentit francez E. Macron e Kancelaren e Gjermanisë, A. Merkel. Hoti shpjegoi takimet në Bruksel e Paris nuk mund të konsiderohen të ndarë dhe të dyja takimet kanë të përbashkët arritjen e marrëveshjeve përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Në publik duken takime të ndara. Nuk janë të ndara. Ka koordinim të ngushtë dhe të plotë mes të Uashingtonit dhe qendrave europiane… Nuk bisedojmë për integritetin territorial dhe sistemin unitar”. Tue folë për “akuzat” e Prokurorit, KM Hoti tha se: “Institucionet shtetnore duhet të tregojnë maturi dhe të respektojnë obligimet kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare…”.

Në këtë mes lajmesh shqetësuese, gazeta “Express” e datës 2 korrik njofton se Komisioni i Senatit Amerikan për Shërbimet e Forcave të Armatosuna, në raportin e tij për buxhetin 2021, porosit që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke, si elementi qendror i bisedimeve.

Ç’duhet të bajmë? Nji mik i mirë i shqiptarëve jep këtë këshillë:

“Kosovës i duhet uniteti kombëtar. Nëse ka nji moment kur duhet të ngrihen mbi dallimet personale dhe partiake dhe të bashkohen në nji qëndrim të përbashkët kombëtar, që të ruhet stabiliteti i vendit dhe të krijohet nji qeveri e përkushtuar që mund të përballojë edhe problemet ekonomike edhe shëndetësore si duhet në krizën aktuale, atëherë ky ashtë ai moment. Unë besoj se të gjithë miqtë e Kosovës nga jashtë duhet të përkrahin nji përbashkim të këtillë”, porosit ambasadori F. Wiesner, Jr, ish-përfaqësues i SHBA-së në procesin e negociatave për statusin e Kosovës.

Sot, nana Kosovë ka nevojë për ne, të gjithë ne, pa përjashtim pa dallim!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura