“Kosova dhe Shqipëria do bashkohen”, jehonë në Serbi. Ja çfarë shkruajnë mediat pas takimit Rama-Kurti

Nov 27, 2021 | 9:44
SHPËRNDAJE

Takimi i dy krerëve të Shqipërisë dhe Kosovës dje në Elbasan duket se ka qenë në vëmendje dhe të mediave serbe. Veçanërisht është shkëputur deklarata e Kryeministrit Edi Rama, i cili tha se do të votonte pro nëse do të bëhej një referendum paqësor për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Media serbe “B92.net” e ka hapur artikullin e saj me titullin “Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen”. “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se beson se Shqipëria do të bashkohet me Kosovën. Rama shtoi se nuk e dinte se kur do të ndodhë kjo”, shkruan media serbe teksa ka cituar pjesë nga deklarata e Ramës.

“’Nëse më pyesni hipotetikisht për një referendum paqësor për bashkimin kombëtar, do të shkelja ligjin për fshehtësinë e votimit dhe e them hapur do të votoja pro. Në rast se pyesni nëse do të ndodhë kjo apo jo, duke provokuar, unë them do të ndodhë, por se kur nuk e di. Por do të ndodhë një ditë’. Rama theksoi se ata që mund ta interpretojnë deklaratën e tij si ‘kërkesë’ për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke i cilësuar si ‘fallxhorë’, nuk gjykohen”, vijon më tej media serbe.

Kreu i qeverisë shqiptare, në konferencën e mbajtur me Kryeministrin Albin Kurti, u shpreh se kjo pyetje është në formën e provokimit. Këtë të premte u zhvillua takimi i shtatë mes liderëve të Kosovës dhe Shqipërisë në Elbasan.

Një prej çështjeve të diskutuara gjatë konferencës së përbashkët ishte dhe nisma rajonale “Open Balkan” dhe “ndarja” në opinione mes Ramës dhe Kurtit.

Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se pavarësisht se ka një mendim të kundërt nga Kurti, kjo nuk e pengon që dy vendet të kenë marrëdhënie të mira mes njëri-tjetrit.

© Panorama.al

Te lidhura