Korporata e Investimeve dhe djalli që (nuk) rri në detaje

Nov 4, 2019 | 10:40
SHPËRNDAJE

ENNO BOZDO Enno-Bozdo

Ligji për Korporatën e Investimeve, miratuar vetëm dy javë më parë nga Kuvendi, është ndër ligjet më të rëndësishme të miratuara kohët e fundit. Kjo, për shkak kryesor të pasojave të dukshme e të padukshme që ligji mbart. Pikërisht për shkak të rëndësisë së këtij ligji, ai duhej detyrimisht t’i nënshtrohej më parë një debati publik të gjerë dhe transparent, ku të dëgjohej mbi të gjitha zëri i ekspertëve. Një gjë e tillë nuk ndodhi, pavarësisht se shumë ekspertë vendës dhe institucione ndërkombëtare reaguan, duke sjellë kështu rishikimin e versionit fillestar të tij.

Megjithatë, edhe pse nga ana e qeverisë u pretendua se u ishte dhënë zgjidhje shqetësimeve të Komisionit Europian apo Bankës Botërore, versioni final i ligjit lë përsëri shumë shtigje të hapura për interpretime dhe për rrjedhojë ngrihen shumë pikëpyetje, që kanë lidhje pikërisht me zbatueshmërinë e tij.

Qeveria e ka propaganduar ligjin si një risi sepse ai prezanton një instrument të ri financiaro-zhvillimor, që deri më sot i ka munguar Shqipërisë, por që koha tashmë i kishte ardhur. Kjo është më së shumti e pavërtetë. Mungesa e një instrumenti të tillë, të konceptuar si një bankë investimesh (në këtë rast Korporata Shqiptare e InvestimeveKISH), nuk është surprizë për vendet e pazhvilluara apo në zhvillim, siç është edhe Shqipëria. Edhe tregu i kapitaleve (Bursa) mungon në Shqipëri, por në këtë rast ekzistenca e një burse jo detyrimisht sjell benefite për tregun e kapitaleve. Instrumente të tilla financiare, përgjithësisht kërkohen nga vetë koha dhe nuk imponohen nga lart. Nxitimi për t’i realizuar ato përpara kohe, jo vetëm që nuk sjell asnjë të mirë, por mund të kthehet në një bumerang të vërtetë për vetë sistemin.

Në këtë sfond, një instrument i tillë që do të marrë në pronësi pronat më të vlefshme shtetërore, jo detyrimisht është një arritje. Madje, shanset që instrumente të tilla të kthehen në problematikë janë të larta. Për këtë arsye, funksionimi i kësaj Korporate duhet t’i nënshtrohet një debati publik të hollësishëm, transparent dhe profesional. Dhe ka ende kohë për këtë!

Por le të hidhemi te thelbi i ligjit, për të kuptuar më mirë përse shumë ekspertë janë thellësisht të shqetësuar për vetë mekanizmin që ligji ngre.

Së pari, argumenti se shumë vende në zhvillim operojnë me mekanizma të këtij lloji (si Korporata jonë), nuk qëndron. Shumë vende kanë fonde, të cilat menaxhojnë teprica financiare shtetërore, zakonisht në monedhë të fortë të huaj, me qëllim realizimin e fitimeve në interes të publikut. Këto janë vende përgjithësisht të pasura, të zhvilluara, apo me pasuri natyrore të spikatura. Këto fonde shtetërore menaxhohen dhe operojnë si një bankë investimesh. Fondet e tyre investohen përgjithësisht në sistemin bankar, në aksione të kompanive të mirënjohura botërore, në fonde pensionesh, në Hedge Funds, apo edhe në projekte zhvillimore infrastrukturore.

Mekanizmi që ka ngritur qeveria shqiptare nuk është i ngjashëm me sa më sipër. Korporata e Investimeve e Shqiptare nuk ka mjeta të sajat financiare. Por ajo do të marrë në pronësi pronat shtetërore, të cilat sipas projekteve, do t’i kolateralizojë në projekte zhvillimore të përbashkëta, me investitorë privatë. Pra, do të përdoret prona dhe jo paraja për të përmbushur misionin e kësaj Korporate. Kuptohet se për këtë arsye, risku i saj i ekspozimit është shumë i lartë.

Së dyti, në dallim nga drafti i parë i ligjit, qeveria dha garanci që Korporata nuk do të marrë borxh. Kjo përsëri nuk është e vërtetë. Neni 5 i ligjit përcakton se Korporata investon financiarisht në projekte dhe për këtë ngre një SPV-Special Purpose Vehicle, më fjalë të tjera një kompani të veçantë për çdo projekt, ku Korporata mendon të investojë.

Më tej, neni 7 përcakton se pronat shtetërore mund të përdoren si kolateral, ndërsa në nenin 6 përcaktohet se Korporata financohet nga burime, të cilat nuk bihen ndesh me legjislacionin në fuqi. Përfundimi është se këtu është hapur qartazi rruga që prona shtetërore, pasi t’i kalohet në pronësi SPV, të kolateralizohet e më tej të përdoret për të marrë kapital nga sistemi bankar. Ja pra ku jemi, në situatën që Korporata nuk merr kredi, por SPV-ja e saj e paska këtë të drejtë. Dhe kjo është e shkruar qartazi në ligj.

Së treti, kalimi në pronësi i pronave shtetërore. Kjo është një pikë tjetër shumë e nxehtë e ligjit. Për dy arsye: e para sepse situata e pronësisë në bregdet, atje ku edhe interesi është shumë i madh, është ende shumë e paqartë. Një pronë që rezulton shtetërore sot, mund të dalë private nesër dhe anasjelltas. E dyta, sepse Korporata do të vendosë si kolateral, për çdo projekt, pronën shtetërore. Çfarë do të ndodhë në qoftë se projekti nuk do të jetë i suksesshëm? Veçanërisht në real estate (projekte për zhvillimin e pronave të patundshme), ka shembuj të pafund të investimeve jo të suksesshme. Në këtë rast janë kreditorët që do të marrin pronat tona. Kush e mban këtu përgjegjësinë? Sepse një privat mund të humbë pronën e tij në një projekt të gabuar, por pronat më të vlefshme shtetërore nuk mund të humben pse disa njerëz të emëruar marrin vendime të gabuara, qofshin këto edhe në mirëbesim!

Së katërti, mënyra e brendshme e funksionimit të Korporatës. Drejtori ekzekutiv emërohet nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili përbëhet në shumicë nga persona të pavarur. Kjo nënkupton se do të jenë persona nga sektori privat. Vendimet për investimet merren pikërisht nga kjo trupë. Ku janë garancitë se kjo trupë do të shmangë konfliktin e interesit? Si do të garantohet kjo gjë? Në një vend si Shqipëria, ku të gjithë njohin të gjithë, si mund të shmanget kjo dukuri? Unë besoj se është shumë e vështirë, në mos e pamundur. Kjo mund të çojë lehtësisht në vendime të prirura jo nga interesi publik, por nga interesi i xhepit.

Shqipëria nuk ka traditë në implementimin e standardeve të larta për sa i përket qeverisjes korporative. Madje, ka një traditë negative. Kompanitë shtetërore të mëdha vuajnë rëndë nga mungesa e transparencës, korrupsioni dhe nepotizmi. Madje, edhe sektori privat shfaq, diku më shumë e diku më pak, simptoma të rrezikshme të këtij lloji. Standardi i mirëqeverisjes në një projekt të tillë është vendimtar në suksesin apo dështimin e Korporatës. Dhe këtu shanset nuk janë aspak pozitive.

Së pesti, shumë aspekte të rëndësime, si p.sh. funksionimi i brendshëm i Korporatës, autorizimi për të zhvilluar projekte në zonat ekonomike/teknologjike, kriteret dhe procedurat e menaxhimit dhe të shitjes së pronës publike etj., do të qartësohen më vonë me akte të tjera. Këto detaje janë kaq të rëndësishme, saqë për hir të transparencës, është e domosdoshme të miratoheshin si paketë së bashku me ligjin. Një gjë e tillë, përsëri nuk ka ndodhur.

Së fundmi, ligji i miratuar krijon shumë paqartësi dhe dyshime të arsyeshme. Edhe pse si rregull thuhet se djalli qëndron në detaje dhe kjo është shumë e vërtetë, në këtë rast mund të themi se djalli është ulur këmbëkryq mu te nenet e këtij ligji. Dhe djalli nuk largohet vetëm se qeveria është e gëzuar për ngritjen e një mekanizmi të tillë, që deri më sot nuk paska ekzistuar. Sepse ndoshta arsyeja për këtë është pikërisht se mekanizma të tillë janë ende të parakohshëm për mjedisin shqiptar. Këtë fakt e njohin dhe e pohojnë të gjithë ekspertët e fushës. Jam i sigurt që edhe në nivele të larta të qeverisë është parashtruar një argument i tillë. E megjithatë, qeveria ka vendosur të bëjë përpara me këtë iniciativë. Atëherë, ku qëndron djalli? Te ligji, apo tek ata që e kanë propozuar një ligj të tillë? Koha do ta përcaktojë më mirë. Për momentin dimë se ia kemi hapur atij derën plotësisht!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura