Koronavirusi/ Vatrat e reja dhe të infektuarit. Ja pse është kritike dita e 9-të. Flet mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo

Mar 13, 2020 | 19:48
SHPËRNDAJE

Ada Hazizolli/ Ashtu siç edhe pritej, rastet e konfirmuara me koronavirus kanë ardhur në rritje ditë pas dite. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 10 raste të reja duke e çuar në 33 numrin e të infektuarve në vendin tonë.

koronavirusi-infektivi-urgjenca-pipero

Çfarë ka ndryshuar është edhe shpërndarja. Veç Tiranës, Durrësit, Rrogozhinës, Durrësit, Lushnjes dhe Elbasanit virusi ka depërtuar edhe në qytetin e Fierit.

Kështu nga rastet e konfirmuara pozitivë: 19 janë në kryeqytet, 5 në Durrës ku u shënua edhe viktima e parë, 1 në Lushnje, 2 në Elbasan, 2 në Rrogozhinë dhe 4 në Fier

“Panorama Online” sjellë në vëmendje ecurinë e testimeve të realizuara që nga data 6 mars e deri më tani si edhe rastet e konfirmuar. Çfarë vihet re është që numri i të infektuarve ka ardhur në rritje, po kështu edhe shtimi i vatrave të reja. Por cila është aktualisht gjendja e tyre shëndetësore?

Nga Ministria e Shëndetësisë është bërë me dije se vetëm 7 prej të infektuarve me COVID-19 janë duke marrë trajtim mjekësor në spitalin Infektiv të QSUT-së, ndërsa 25 të tjerët edhe pse kanë rezultuar pozitivë janë duke u ndjekur në kushte shtëpie. I kontaktuar nga “Panorama online” mjeku infeksionistë prof.

Tritan Kalo pohoi se gjendja e të shtruarve në Infektiv paraqitet e stabilizuar. Por një ditë më parë, prof. Pëllumb Pipero tha se gjendja ishte mesatarisht e rënduar, kjo për shkak se virusi ka prekur mushkritë. Megjithatë, siç shtoi doktori, me rëndësi është reagimi që ata do të kenë në ditën e 9 dhe të 10. Këto ditë cilësohen si edhe më kritikë nga ana e profesionistëve të shëndetësisë. Nëse gjatë këtyre ditëve gjendja e tyre është e stabilizuar dhe pa komplikacione atëherë mund të flitet për të shëruar.

 

Të izoluarit

Sa u takon të personave të tjerë që kanë rezultuar pozitivë, gjendja e tyre po monitorohet në kushte shtëpie kjo për shkak të mosshfaqjes së simptomave. Nga ana tjetër në kushtet e vetëkarantinimit janë edhe 177 persona të tjerë të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit.

Ata do të qendrojnë të izoluar për të paktën një periudhë 14 ditore që është edhe inkubacioni i virusit. “Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar. Dua t’ju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Të kufizojmë rrezikun sa më shumë të jetë e mundur”, është bërë me dije edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Testime

Deri më tani janë kryer gjithsej 457 analiza. Edhe pse ditë pas dite numri i testeve të kryera ka ardhur në rritje, sërish janë të pamjatueshme nisur nga zgjerimi i hartës me qytetet që kanë regjistruar të infektuar nga COVID-19.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino bëri të qartë dje se se smund të testohen të gjithë por vetëm ata të clët shfaqin simptoma dhe njëkohësisht kanë histori udhëtimi në zonat e prekura.

Ecuria e testimeve dhe rastet e konfirmuara

Data 6 Mars

53 raste të dyshuara asnjë i infektuar

Data 7 Mars

58 raste të dyshuara asnjë i infektuar

Data 8 Mars

59 raste të dyshuara dhe 2 të infektuar

Data 9 Mars

77 raste të dyshuara dhe 6 të infektuar

Data 10 Mars

114 raste të dyshuara dhe 10 të infektuar

Data 11 Mars

241 raste të dyshuara dhe 15 të infektuar (shënohet edhe viktima e parë)

Data 12 Mars

298 raste të dyshuara dhe  18 të infektuar

Data 13 Mars

457 raste të dyshuara dhe 33 të infektuar

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 19 raste

Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)

Lushnje 1 rast

Elbasan 2 raste

Fier 4 raste

Rrogozhinë 2 raste

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura