Koronavirusi, pse është me rëndësi trajtimi me ozonoterapi dhe plazmë

Aug 10, 2020 | 14:08
SHPËRNDAJE

Ndërsa përvoja në Itali tregoi që trajtimi me COVID-19 ozonoterapi dhe plazmë i pacientëve me COVID-19 ishte efektiv në fazat e para të sëmundjes pasi parandalonte komplikacionet, në vendin tonë këto metoda ende shikohen të largëta.

spitali infektiv covid koronavirus, intubim terapi intensive8

As ata që janë në vijën e parë të luftës, pra, mjekët, nuk dinë të thonë se kur skema të tilla mjekimi do të nisin të aplikohen edhe në vendin tonë. Kur janë më shumë se 6 muaj nga fillimi i pandemisë, në spitale pacientët e infektuar vijojnë të trajtohen me antiviralë dhe antibiotikë.

Në mënyrë të vazhdueshme, ekspertët kanë apeluar që këto dy metoda, pra, ozonoterapia dhe trajtimi me plazmë, të jenë pjesë e mjekimit të të infekturave me COVID-19, por thirrje të tilla duket se kanë rënë në vesh të shurdhër. Përvoja në Itali ka treguar se kur këto terapi aplikohen që në fillim, pacienti del negativ brenda 10 ditëve dhe asnjë nuk përfundon në intubim.

Ozonoterapia konsiston në marrjen e gjakut nga pacienti i sëmurë dhe pasurimin e tij me oksigjen dhe ozon. Përzierja bëhet nga një aparaturë e posaçme e certifikuar CE dhe me ndihmën e një bombole oksigjeni. Ndërsa trajtimi tjetër bëhet me anë të plazmës së përftuar nga persona që e kanë kaluar COVID-in dhe në trupin e tyre janë krijuar antitrupa.

“Plazma imune është plazmë e marrë nga gjaku i pacientëve që kanë qenë të sëmurë me COVID-19, janë shëruar dhe kanë krijuar një sasi të mjaftueshme antitrupash mbrojtës ose antitrupa ndaj COVID-19. Se sa mbrojtës janë, duhen analizuar për sasinë e antitrupave neutralizues për COVID-19, analizë që sot për sot nuk realizohet në shumë vende në botë. Kjo plazmë është futur në protokollin mjekues të COVID-19 në shumë vende dhe kur përdoret në fazat e hershme të sëmundjes ka dhënë rezultate optimiste”, ka bërë me dije edhe mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.

Në një prononcim dhënë për “Panorama online”, profesori tha se në Shqipëri një praktikë e tillë ende nuk përdoret, por po punohet në bashkëpunim me një ekip italian për të filluar sa më shpejt aplikimin edhe në vendin tonë.

SITUATA NË SPITAL

Ditët e fundit kanë sjellë mbingarkesë në dy spitalet COVID. Vetë Ministria ka pranuar se krahas personave të konfirmuar pozitivë me COVID-19, të shtruar janë edhe pacientë të tjerë të dyshuar. Të dielën, si pasojë e koronavirusit ndërruan jetë 6 persona, duke e çuar në 199 numrin e personave që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

“Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe atë ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 112 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar. Në të dy spitalet COVID, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me COVID19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse. Fatkeqësisht, edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, ka ndërruar jetë artisti 53-vjeçar nga Tirana, Arben Bajo. Gjithashtu, në dy spitalet COVID nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen: një 61-vjeçar nga Tirana, një 62-vjeçar nga Durrësi, një 76-vjeçar nga Tirana, një 77- vjeçar nga Pogradeci, një 87- vjeçare nga Shkodra”, tha Marjeta Dervishi.

RASTET E REJA

Lidhur me rastet e reja, sërish ka pasur rritje. Dje janë raportuar 136 persona të prekur nga COVID-19, pjesa më e madhe në Tiranë. “Gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë kryer 561 testime për të dyshuar të prekur nga COVID 19, ku 136 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi COVID 19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 66 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 8 në Patos, 7 në Vlorë, 6 në Kavajë; nga 4 raste në Kuçovë, Fier; nga 2 raste në Berat, Librazhd, Kamzë, Gjirokastër, Sarandë; nga 1 rast në Durrës, Mirditë, Mat, Roskovec, Malësi e Madhe, Peqin, Gramsh”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura