Koronavirusi, Lufta e Tretë Botërore?!

Mar 15, 2020 | 19:52
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi

Nga ARISTIR LUMEZI/ Koronavirusi, i cili është tashmë pjesë e jetës sonë që nga muaji dhjetor 2019, ka prekur në të gjithë botën 163.325 persona, duke shkaktuar 6753 të vdekur dhe po përhapet me shpejtësi nga Kina në SHBA, nga Rusia në Brazil e nga Britania e Madhe në Australi e Zelandën e Re, duke përfshirë 156 shtete.

E ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel shprehet se ky virus do të prekë rreth 70% të gjermanëve, apo ku dyshohej të ishte infektuar dhe njeriu më i fuqishëm i botës, presidenti Donald Trump, për shkak të takimit që kishte pasur me homologun brazilian i cili rezultoi me koronavirus, me te drejte çdokush ndjehet i kërcënuar.

Armiku i padukshëm ka frikësuar njerëzimin më shumë besoj se nga një armik i dukshëm, si ai i luftës së Parë apo të Dytë Botërore. Murtajat, tifot dhe dizanteritë kanë shfarosur ushtri dhe kombe, por ato kanë ndodhur në periudha kur njerëzimi nuk kishte shpikur vaksinën dhe higjiena personale i përkiste pakicës.

Në jetën tonë të gjithë kemi cituar shprehjen profetike se lufta e Tretë Botërore do të ishte ajo bërthamore, për shkak të përgatitjeve të ethshme prej mëse 50 vitesh dhe kërcënimeve nga të dy kampet politiko-ushtarake Lindje-Perëndim me mbushjet bërthamore të raketave të tyre.

Madje që të ishin superiorë ndaj njëri-tjetrit, SHBA dhe Traktati i Varshavës i hodhën sytë nga Yjet, për të nisur Luftën e Yjeve, hedhjen e satelitëve rreth orbitës së Tokës te cilet do të kontrollonin lëvizjet e armikut dhe do garantonin shkatërrimin e tij në rast të një përplasjeje. Miliarda dollarë në armatime për të trembur sa më shumë armikun.
Por asnjë nga superfuqitë, qoftë të Perëndimit apo dhe të Lindjes, nuk kishin parashikuar se një virus i padukshëm, me përmasa mikroskopike do të ishte më i fuqishëm se raketat e tyre bërthamore.

Askush nga fuqitë e mëdha nuk mendoi se si mund të luftohej një armik i padukshëm, aspak bërthamor, për nga shfaqja, por i heshtur dhe shumë këmbëngulës për t’u përhapur falë edhe zakoneve, traditës së komunikimit të qenies humane.

Kaq cinike duken në këtë periudhë presionet e shteteve të fuqishme ndaj vendeve të caktuara, duke i shtyrë incidentet mes tyre deri në kufirin e një përplasjeje botërore, për t’u përmbyllur me nënshkrimin e kontratave disa miliardëshe për blerje armësh ose për shfrytëzim të burimeve natyrore.

E ky armik i padukshëm, duket se ka gjunjëzuar në mos fizikisht, por e sigurtë se psikologjikisht dhe ekonomikisht gjithë planetin, duke u kthyer në makthin e qytetarëve të thjeshtë, të presidentëve dhe kryeministrave të shteteve, stafeve shkencore e kërkimore, mjekëve, sipërmarrësve të të gjitha portofoleve apo dhe drejtuesve të besimeve fetare.

Por duhet thënë me siguri, nga të dhënat që kemi deri tani, se ky armik është shumë demokrat e liberal, ai ngjit kudo, nuk bën dallime rraciale, nuk njeh rraca superiore, nuk bën diferencime besimesh apo përkatësie partiake, por nuk i bën përshtypje as veshja firmato as emri i personit, përqafon si atë me kravatë fine apo papijon, ashtu edhe atë me zinxhir të trashë floriri në qafë. I duken të gjithë njëlloj.

E ky armik arriti të shkretojë qytete të tëra, t’i kthejë ato në fantazma, të detyrojë për herë të parë qenien rebele njerëzore që me vetëdije dhe skrupulozitet të vetëizolohet, të respektojë një higjenë që deri dje injorohej edhe në sallat e operacioneve.

Njerëzit nën një terror psikologjik, gdhihen dhe ngrysen me koronavirusin, me sy e mendje në TV ose më keq akoma, në ekranet e smartphonëve. Është e sigurtë që në familjet tona këto ditë nuk flitet më për pushimet verore apo për rreshqitje me ski, meqenëse temperaturat na i lejojnë akoma, nuk flitet për blerje makine, për veshje firmato, për fundjava të çmendura apo thjesht për dalje në fundjavë në ndonjë pub.

Madje nuk dihet se sa e afërt do të jetë e ardhmja, kur do të pranojmë pa hezitim të shkojmë në një dasëm ku jemi të ftuar, apo të përcjellim një të njohurin tonë për në banesën e fundit.

Një gjë është e sigurtë, se jeta jonë pas kësaj lufte të re, të parë vetëm në filmat e Hollivudit, falë fantazisë së shfrenuar të skenaristëve dhe regjizorëve, nuk do të jetë si më parë. Maska do bëhet aksesori ynë i përditshëm, e cila nuk do të na bezdisë aspak. Thjesht ajo do të jetë edhe firmato.

Ja pra që lufta e tretë botërore, ajo që Organizata Botërore e SHëshdetit e tha me një term teknik, Pandemia Botërore nisi. Por ajo nuk ishte bërthamore, por virale. Dhe ndryshe nga të gjitha luftrat që njërëzimi ka kaluar, ato kanë qenë në dy kampe, kampi i së keqes dhe kampi i së mirës. Në këtë betejë, e gjithë bota, nga Lindja në Perëndim janë bashkë, kundër një armiku të përbashkët, armën ndaj të cilit nuk kanë pasur shumë kohë ta gjejnë, sepse janë marrë me armët konvencionale të shkatërrimit.

Vaksina ndaj koronavirusit, do të jetë shpëtimi për 7 miliardë banorët e këtij planeti, siç ajo ka qenë ndaj malarjes, tifos, fruthit dhe disanterisë. Shpejtësia e gjetjes dhe prodhimit të saj do të ishte përgjigja më e mirë edhe ndaj teorive konspirative mbi origjinën e koronavirusit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura