Koronavirusi/ “Gjërat nuk janë mirë”- Basha me tone të ashpra: Show në telefon nuk mbush barkun e qytetarëve. Koha të ndalojë propaganda e të merren masa

Mar 28, 2020 | 17:16
SHPËRNDAJE

Me tone të ashpra, kreu i PD-së, Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Rama që të merren masa për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Në një lidhje me Skype në emisionin ‘Kjo Javë”, Basha tha se gjërat nuk janë aspak mirë dhe se është koha të merren masa konkrete.

bashaaa

Sipas kreut të opozitës ka ardhur koha që të ndalohet “propaganda”, ndërsa shtoi se “show në telefon nuk mbush barkun e qytetarëve”

“Masat e marra, jo në kohë, janë zbatuar prej qytetarëve, kjo ka sjellë kufizime të mëdha dhe sot, dy javë pasi kërkoj në mënyrë të përsëritur masat e marra, ka ardhur momenti ta them troç, gjërat nuk janë aspak mirë. Ka një mungesë totale transparence, ne nuk dimë sa teste bëhen dhe mungesa e testimeve mund të ketë pasoja fatale. Çështje mbështetjes financiare të atyre që nuk shkojnë në punë.

Pas kërkesës, më në fund u publikua plani financiar. Nuk është koha të them se çfarë duhet të ishte bërë, do vijë një ditë për të nxjerrë përgjegjësitë, sot është koha për të përsëritur thirrjen që të mos bëhet propagandë. Propaganda duhet të ndalet sepse tregon që nuk funksionojnë gjërat, shoë i kryeministrit me telefon nuk mbush barkun e qytetarëve. Nxjerrin një akt që fillon në prill, shpresoj që të jetë një gabim. Në qendër të Tiranës, një nga dyqanet e mishit më tha që tani vijnë të marrin vetëm kocka, se nuk kanë lekë të marrin mish. Prandaj kërkuam që paketa të niste menjëherë efektet. Këtu nuk ka kohë për të humbur. Ka 2 javë që kërkoj të merren masa, po nuk mund t’i hidhet hi syve kështu shqiptarëve. Kjo është e papranueshme, e vetmja gjë që nuk ndalen janë tenderta. Kjo është një papërgjegjshmëri përtej kriminales”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura