Korniza apo piktura?

Apr 27, 2015 | 12:46
SHPËRNDAJE

ALEKSANDËR KOCANI

   Po të pyetej dikush se cilën do të vlerësonte më shumë në një ekspozitë pikturash – pikturën, apo kornizën ku ajo është e vendosur, me shumë gjasë do të kishim vlerësimin e pikturës. Ndonëse mund të ketë edhe korniza me vlerë monetare mjaft të lartë, si rregull ato përdoren për piktura që janë akoma shumë më të kushtueshme se vetë korniza. Pra, korniza është një mjet ndihmës, një aksesor, siç thuhet rëndom, që ndihmon nga ana estetike që të dalin më në pah vlerat e pikturës. Është, si të thuash, bishti i sqeparit, që lejon kokën e sqeparit të kryejë funksionin e saj. I kërkoj ndjesë lexuesit të nderuar për përmendjen e konsideratave të mësipërme tepër evidente. Por mendoj t’i përdor ato si paralele ngjashmërie me argumentin që do të shtjelloj më poshtë.

* * *
Kohët e fundit, në qarqet akademike brenda Universitetit të Tiranës, po diskutohet lidhur me hartimin e një materiali, që synon të precizojë dhe të organizojë më mirë, bazuar në aktet normative ekzistuese, proceset e mbrojtjes së gradës “Doktor i shkencës” dhe titujt “Profesor i asociuar” e “Profesor”. Kështu, për shembull, ajo që bie në sy është tendenca për të forcuar kërkesat ndaj aplikantëve për doktoratura në drejtim të shtimit të numrit të konferencave ndërkombëtare dhe të artikujve shkencorë në revista ndërkombëtare. Që nga VKM e vitit 2007 dhe 2008 në atë të 18 gushtit të vitit 2011, është kaluar nga kërkesa për të pasur minimumi një referim në një konferencë shkencore ndërkombëtarë (me bord editorial, me botim në proceedings dhe numër ISBN) dhe një artikull të botuar në një revistë shkencore ndërkombëtare (me bord editorial për pranim paraprak, me numër ISSN), në kërkesën për të pasur minimumi nga dy referime dhe artikuj të tillë. Për më tepër theksohet se revistat shkencore ndërkombëtare duhet të jenë të njohura dhe t’u përkasin vendeve të zhvilluara. Në këtë linjë kërkohet të debatohet se çfarë duhet kuptuar me revistë shkencore ndërkombëtare, cilat janë vendet që u duhen njohur konferencat shkencore ndërkombëtare dhe revistat shkencore ndërkombëtare. Si të tilla propozohen vendet e BE, SHBA, Kanada, Australia, Zelanda e Re, Kina, Japonia, Zvicra, Turqia, Norvegjia (pse jo, edhe Suedia) dhe, në rajonin tonë, edhe Serbia. Lihet një shteg i hapur për të përfshirë edhe ndonjë vend tjetër, por kjo duhet të vendoset nga këshillat e profesorëve me propozim të argumentuar të 4 anëtarëve të tyre.

* * *
Në shikim të parë dhe sidomos për individë që janë pak të informuar për proceset e kualifikimit shkencor pasuniversitar, kjo prirje mund të duket e natyrshme, ose të paktën e parrezikshme. Mirëpo, nuk është ashtu! Po të ndiqet logjika dhe pikësynimi i këtij kualifikimi, sidomos në nivelin e doktorimit, sipas të cilave doktoranti duhet të ndërmarrë në fushën e kërkimit të përzgjedhur një studim të thellë shkencor, që në përfundim të dëshmojë edhe aftësinë e tij për të kryer më tej studime shkencore në mënyrë të pavarur, del se ka shumë rëndësi niveli cilësor i tezës së tij të doktoraturës. Kjo sepse një punim doktorature me nivel të lartë shkencor do të përbënte sa një kontribut në fushën përkatëse të kërkimit shkencor, aq edhe një dëshmi të qenësishme të nivelit relativisht të lartë të kualifikimit shkencor të doktorantit. Në kuadrin e kësaj logjike dhe këtij pikësynimi, do të ishte e natyrshme që të ndërmerreshin hapa normativë metodologjikë, që të synonin të masnin nivelin shkencor të tezave të doktoratës. Kjo, sigurisht që do të kërkonte të hapeshin paraprakisht diskutime lidhur me rrugët për gjetjen e mënyrave për matje shkencore të cilësisë së tezave doktorale. Kuptohet se një proces matjeje është në thelb një krahasim në rrafshin e madhësive sasiore të një madhësie etalon me madhësinë që kërkohet të matet. Rezultati i këtij procesi është një numër, që shpreh se sa herë përfshihet madhësia etalon në madhësinë që kërkohet të matet. Kuptohet se një proces i tillë matjeje zhvillohet ndaj të ashtuquajturave madhësi, që nuk janë gjë tjetër, veçse ato që konsiderohen si koncepte sasiore në shkencë. Nuk mund të ketë matje të drejtpërdrejtë të atyre që konsiderohen si koncepte cilësore në shkencë. Por matja mund të bëhet në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, duke prodhuar nga këto koncepte cilësore binjakun e tyre sasior (meqë, siç thotë filozofia, sasia dhe cilësia janë të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën). Procesi i këtij prodhimi njihet ndryshe me emrin operacionalizim apo parametrizim i koncepteve cilësore. Në këtë mënyrë, krijohen, si të thuash, dublantët sasiorë të koncepteve cilësore dhe këta dublantë tani mund t’u nënshtrohen proceseve të matjes. Madje, në shkencat ekzakte (si, për shembull, në fizikë), këta dublantë (që jepen me formula apo shprehje matematike dhe thirren si ligje ose madhësi fizike) përdoren aq shumë, saqë shpesh harrohet se cili është origjinali apo binjaku i tyre cilësor.

* * *
Kështu që bëhet e mundur që, ashtu siç mund të matet në përgjithësi një koncept cilësor, po ashtu të matet edhe cilësia e një studimi shkencor nëpërmjet përcaktimit të parametrave që e shtresëzojnë nivelin e saj në strate të identifikueshme dhe të matshme nga pikëpamja sasiore. Sigurisht që i gjithë ky përbën një sugjerim zgjidhjeje në parim dhe, për të vajtur në zbatimin konkret, kërkohet punë krijuese (operacionalizuese). Por, kur diçka është e mundur në parim, ajo mund të realizohet edhe në praktikë, po qe se ekzistojnë mjetet që lejojnë shndërrimin e ideve udhëzuese në ide të zbatueshme. Prandaj, mendoj se në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor lypset të hetohet dhe të debatohet për parametrat përkatës, që do të lejonin të matej niveli i cilësisë së kërkimeve në to. Dhe kjo do të përbënte, sipas mendimit tim, rrugën e drejtë për të matur cilësinë e punimeve shkencore, që do të nxiste kështu realisht rritjen e saj. Kështu mund të kërkohej që një studim, pavarësisht qasjes sasiore ose cilësore, që të mund të arrijë në rezultate që konsiderohen serioze (pra, edhe të pranohen) nga bashkësia përkatëse shkencore, lypset të strukturohet sipas një qasjeje epistemologjike postpozitiviste: të identifikojë paraprakisht një problem kërkimor, ta shprehë atë me një nga dy tipat e pyetjeve kërkimore, t’i japë përgjigje pyetjes kërkimore në varësi të tipit të pyetjes ose me një hipotezë, ose me një supozim bazë dhe ta testojë empirikisht këtë përgjigje me anën e implikimeve të deduktuara prej saj. Pikërisht në etapën e deduktimit të implikimeve nga zgjidhja e propozuar për problemin kërkimor do të bëhet edhe procesi i operacionalizimit (krijimi i dublantëve sasiorë) të koncepteve cilësore, që përfshihen në hipotezë ose në supozimin bazë. Dhe këtu ka vend të “vihen pikë” për vlerësimin se si është realizuar secila etapë e këtij procesi zinxhir. Kështu, për shembull, do të mund të vlerësohej më shumë një kërkim kur për zgjidhjen e problemit kërkimor të tij do të propozohej edhe një hipotezë, edhe një supozim bazë. Në një rast të tillë do të kërkohej që të sqarohej me hulumtim shkencor se si është raporti midis komponentëve të dukurisë që shqyrtohet si problem kërkimor dhe, më tej, të sqarohej se cilat janë disa arsye që e prodhojnë këtë raport. Gjej rastin t’i kërkoj ndjesë lexuesit të zakonshëm për karakterin teknik të këtij sqarimi. Por, besoj se jam i detyruar që të bëj propozime konkrete, qoftë edhe me koston e vështirësisë për t’u kuptuar nga shumëkush, ndryshe do të më qortonin se po bëj moralizime me propozime të përgjithshme, thjesht në nivel parimor. Për mendimin tim (duke lënë disi mënjanë modestinë), nëse do të ecej në drejtimin që unë po propozoj, do të bëhej një hop cilësor në vlerësimin rigoroz të veprimtarisë kërkimore në vendin tonë, i cili do të ndikonte ndjeshëm në motivimin e kërkuesve për të rritur cilësinë e punës së tyre kërkimore. Kjo sepse do të përqendroheshin bateritë mbi vetë kërkimet dhe jo mbi produktet derivate, anësore të tyre, që paraqiten me referime apo artikuj shkencorë. Për dijeni të lexuesit, në përgjithësi konferencat dhe revistat shkencore serioze këmbëngulin që si me referimet, ashtu edhe me artikujt shkencorë të paraqiten rezultate (apo pjesë) të një punimi shkencor të autorëve. Kështu që, kuptohet lehtësisht që një punim kërkimor ka peshë apo rëndësi më të madhe sesa disa rezultate që janë pjesë e tij dhe që publikohen me referime ose me artikuj shkencorë.

* * *
Si është vepruar konkretisht nga qeveritë e ndryshme duke konsideruar si pikë kohore më të largët vitin 2007, kur kemi ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë dhe një sërë VKM që e zbërthejnë dhe e plotësojnë në vijim atë ligj në drejtim të kualifikimit shkencor? Si zakonisht, vëmendja është drejtuar te gjurma e ujkut dhe jo tek ujku! Pra, është kërkuar që të drejtohet rritja e kërkesave te tregues anësorë të veprimtarisë shkencore, siç janë disa artikuj të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, disa referime në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërkohë që këto përbëjnë një pjesë të vogël dhe jokryesore të aktivitetit shkencor si për doktorantët, ashtu edhe për studiuesit e niveleve postdoktorale. Pesha që kanë ato në këtë aktivitet, i ngjan rëndësisë që ka një kornizë kundrejt pikturës që ajo përmban! Prandaj, tendenca që vazhdon të demonstrohet nga ata që hartojnë aktet normative që përmbajnë edhe kriteret për vlerësimin e veprimtarisë shkencore për t’u përqendruar pikërisht te referimet dhe artikujt shkencorë (shtimi i numrit të tyre, saktësimi se kush duhet quajtur ndërkombëtar dhe kush jo etj.), largon vëmendjen nga thelbi i veprimtarisë shkencore në produktet e komponentët anësorë të saj, duke zhvendosur shënjestrën nga ujku te gjurma e tij, nga vlerësimi i pikturës në atë të kornizës së saj. Në këtë mënyrë, bie si rendimenti, ashtu edhe efikasiteti i kësaj veprimtarie kërkimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura