“Korifenj të polifonisë”/ Presidenti Meta vlerëson me titullin “Mjeshtri i Madh” disa këngëtarë dhe valltarë

Nov 29, 2020 | 19:29
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” 4 grupe polifonike me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO.

ilir meta

Po me titullin “Mjeshtër i Madh”, Kreu i Shtetit ka vlerësuar edhe disa këngëtarë dhe valltarë të talentuar.

Presidenti i quan ata korifenj të polifonisë.

Postimi i Presidentit Meta

Me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO, pata dje nderin të vlerësoja me Titullin “Mjeshtër i Madh”, grupet Polifonike “Vranishti”, Vlorë; “Kaonët” e Delvinës dhe “Dukati” i Vlorës, për kontributet e veçanta si mbartëse të shquara të vlerave të kësaj trashëgimie të vyer kulturore të kombit shqiptar.

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” nderova këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); Sejmen Gjokoli, Katina Mërkuri, Hysen Ruka, Rrahman Nuredini, Syrja Hodo, Fatbardha Brahimaj, Abdyl Lizaj dhe Berdo Berdaj, për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërsa Dhimitër Varfit i akordova Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Me Titullin “Naim Frashëri”, çmova Sinan Gjoleka dhe Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë të shquar të Labërisë.

I merituar vlerësimi për këta korifenj të polifonisë, për gjithçka kanë bërë për Atdheun, për Flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura