Koreografi hungarez: “Carmina Burana”, gjithçka për dashurinë

Oct 1, 2015 | 14:56
SHPËRNDAJE

Në fund, ajo çka mbetet është vetëm dashuria. Dashuria për partnerin/en, për tjetrin, për natyrën, për punën, për muzikën…

Koreografi Youri Vamos
Koreografi Youri Vamos

 

Është kjo dashuri e madhe që bën bashkë rreth 100 artistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në spektaklin “Carmina Burana”. Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, kori, solistët dhe trupa e baletit do të ngjiten në skenën e TKOBsë në datat 4, 7 dhe 8 tetor nën muzikën e Carl Orff dhe koreografi të Youri Vamos. Për drejtorin e TKOB, Ilir Kerni, “Carmina Burana” është një nga ngjarjet më të mëdha të kalendarit artistik të këtij viti, që vjen në koreografinë dhe skenografinë e hungarezit Youri Vàmos, as.koreografe Joyce Cuoco, dirigjentit Desar Sulejmani, dirigjentit të korit Dritan Lumshi, ndriçimin e Klaus Gärditz e shumë bashkëpunëtorëve të tjerë, para e pas kuintash.

Sipas koreografit Vamos, gjuha e baletit është gjuha më universale dhe më e kuptueshme në botë. “Nëse ju nuk do ta kuptoni, atëherë është gabim i imi”, thotë Vamos. Për të krijuar koreografinë e “Carmina Buranës”, ai nuk ka lexuar tekstin më parë. Ka ndjekur muzikën dhe ka qenë ajo që e ka çuar te lëvizjet. Më pas ai ka vërejtur se disa skena përkonin me të vërtetë edhe me tekstin, çka do të thotë se kjo është meritë e karakterit sugjestionues të muzikës së Orff.

“Carina Burana” është një dialog mes një burri dhe një gruaje, një kërkim dhe një tërheqje e vazhdueshme te njëri-tjetri. Dhe në këtë rendje drejt erotikes, mes dhunës dhe gënjeshtrës, ajo çka në fund do të mbijetojë është dashuria. “Gjithçka për dashurinë”, thotë Vamos, koreografi me origjinë hungareze, i cili zhvillon aktivitetin e tij në Gjermani dhe ka mahnitur gjithmonë audiencën me versionet shumë interesante që ai u ka bërë kryeveprave klasike.

Puna e tij dallohet për kreativitetin, inteligjencën, dramacitetin dhe muzikalitetin e lartë. Për Vamos kjo është hera e parë në Tiranë, por është i kënaqur për bashkëpunimin, për mënyrën se si është kuptuar me bashkëpunëtorët e tij, pavarësisht se bëhet fjalë për një produksion madhështor, një punë të vështirë.

HARMONIA MES ARTISTËSH
Ndjeshmëria muzikore i ka ardhur për shtat dirigjentin Desar Sulejmani, i cili po ashtu pranon se kjo vepër ka shumë dashuri dhe se pavarësisht se “Carmina Burana” është tashmë një vepër e njohur nga publiku, muzika e Carl Orff është shumë popullore, ajo do të vijë përpara publikut në një tjetër këndvështrim.

Sipas Sulejmanit, të gjithë artistët do të jenë në skenë, që nga orkestra, kori, solistët e operës dhe të baletit, çka e bën veprën edhe më interesante dhe ndërveprimin skenik, tërheqës. Në këtë vepër solistët e operës do të jenë nga pak balerinë dhe balerinët nga pak këngëtarë.

Këtë e pranon sopranoja Eriona Gjyzeli, e cila i kthehet “Carmina Buranës” pas 7 vitesh, tashmë më e pjekur dhe e gatshme t’i shtojë një dimension të ri profilit të saj si artiste. Ajo ndjen se si e tërheqin lëvizjet e baletit, e bëjnë pjesë të tyren dhe se si harmonia shkrin së bashku këngëtaren dhe balerinën. Këtë kënaqësi të ndërsjellë e kanë ndjerë edhe balerinët e trupës së baletit, të cilët në këtë pjesë i largohen lëvizjeve klasike për të kaluar tek ato neoklasike.

“Nëse punon me një grup të vërtetë, gjithçka mund të arrihet”, thotë një nga balerinat më të mira të TKOB, Ledia Sula. Në këtë shfaqe do të interpretojë sopranoja Eriona Gjyzeli, baritoni Carlo Cheçhi, kontratenori Safet Berisha dhe balerinët: Adela Muçollari, Ledia Sulaj, Kristi Dalipi, Ervis Nallbani, Kristi Dushmani, Erald Zela, Eltjon Merja, Besi Skura, Dion Gjinika, Jonida Onuzi e Rovena Shqevi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura