Koreografi Angjelin Preljocaj bën “Dasmë” në Tiranë

Nov 3, 2015 | 19:19
SHPËRNDAJE

“Gjithmonë dasmat më janë dukur si tragjedi të çuditshme. Ndoshta, nisur nga tradita ballkanase apo thjesht prej fantazisë së gjallë të një fëmije, instinktivisht e kam ditur që kishte një mister që shoqëronte figurën e nuses, e cila asnjëherë nuk shfaqej gjatë festimeve të dasmës së saj”.

preljocaj tiraneKështu shprehet koreografi Angjelin Preljocaj për një nga veprat e tij. Bëhet fjalë pikërisht për “Dasmën” (“Noces”), që ai e ka krijuar në vitin 1989 dhe që ai do ta sjellë në Tiranë, në këtë fillim nëntori në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Nën muzikën e Stravinskit, interpretuar nga Percusionet e Strasburg dhe Kori kontemporan i d’Aix-enProvence, drejtuar nga Roland Hayrabedian, koreografinë e tij dhe lojën e balerinëve të TKOB, do të vijë një nga “dasmat” më të bukura të këtij sezoni.

“Si një lloj monedhe që kalon nga një familje në një tjetër, shfaqet nusja në momentin e fundit, kur euforia e një dite të kaluar mes zhurmës dhe festimeve shuhet.

Të gjithë i kanë sytë nga ajo, një pasqyrim i mbuluar me vello i dramës që nuk mund të injorohet më. Dhe ashtu si në vargun e një marshi funebër, ajo do të ecë ngadalë, me sytë plot lot, drejt përdhunimit të ligjëruar”, do të shprehej Preljocaj.

Vepra do të interpretohet nga balerinët Loreta Bala, Odeta Dishnica, Rovena Shqevi, Adela Muçollari, Elda Logo/Ledia Sulaj, Gerd Vaso, Eltjon Merja, Kristi Dushmani, Dion Gjinika, Endri Shkoza/ Andi Vrapi.

Pjesë e performancës së datave 7, 8, 9 nëntor do të jetë edhe një tjetër vepër e Preljocajt, “La stravaganza”, tashmë pjesë e repertorit të TKOB-së dhe që ka shënuar nisjen e bashkëpunimit me koreografin me famë botërore dhe Kompaninë e Baletit Preljocaj.

Angjelin Preljocaj ishte në Tiranë në maj të vitit të shkuar, për të prezantuar dy shfaqjet “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura