Korça në këmbë për Skënderbeun, ja personalitetet që folën në tubimin madhështor

Feb 22, 2018 | 22:31
SHPËRNDAJE

Mos na vrisni ëndrrën”. Është kjo thirrja e mijëra qytetarëve të Korçës, që dje kishin mbushur sheshin në mbështetje të Skënderbeut. Tifozë dhe dashamirës të skuadrës korçare, të ardhur edhe nga vende të tjera, kanë marrë pjesë në tubimin madhështor në mbrojtje të Skënderbeut, pas pretencës së kërkuar nga inspektorët e UEFA-s për një dënim drastik të klubit.

tubimi korce

Në tubimin, që zgjati më shumë se një orë, kanë qenë të pranishëm edhe figurat më të njohura të sportit korçar, intelektualë dhe deri te fëmijë të vegjël që ëndërrojnë të bëhen futbollistë. Përmes pankartave, ata kanë kërkuar organizmit më të lartë të futbollit europian që të mos vrasë ëndrrën e tyre me dënimin e Skënderbeut.

Tubimit i është bashkuar edhe aktorja e njohur Zamira Kita, e gjithashtu ikonat e futbollit korçar, Dhimitraq Xhambazi e Teodor Vaso. Të gjitha kanë folur në një linjë, duke i bërë edhe një apel direkt UEFAs për të mos dënuar ekipin e Skënderbeut.

GJERGJI MERO

I pari që mori fjalën në këtë tubim ka qenë dekani i fakultetit të Bujqësisë, Gjergji Mero. “Jemi mbledhur sot këtu, si rrallëherë në një tubim jo politik, jo partiak, për të shprehur atë kërkesë që vjen e ligjshme nga zemra e gjithë korçarëve, e gjithë tifozëve dhe e gjithë intelektualëve. Të gjithë çfarë jemi këtu, në këtë tubim madhështor, dëshirojmë dhe shpresojmë që të kemi një Skënderbe edhe më të madh se çfarë është sot.

Gjergji Mero

Unë vij këtu edhe në emrin tuaj për t’i dërguar një mesazh UEFA-s dhe zyrtarëve që kontribuojnë në këtë vend se Skënderbeu është krenaria e këtij qyteti, është vlera jonë. Ndaj, mos e prekni Skënderbeun. Unë vij këtu për të përcjellë zërin tuaj dhe dua të them se ky qytet i kulturës, historisë dhe arsimit, na ka krenuar edhe me futbollin të gjithë ne dhe Shqipërinë. Unë nuk besoj se njerëz të veçantë nuk dëshirojnë të shohin një Skënderbe kaq të madh.

Skënderbeu është evokimi i vlerave të futbollit kombëtar. Është një Kombëtare e dytë për shqiptarët. Unë u bëj thirrje zyrtarëve të UEFA-s, edhe në emër të fëmijëve tanë, pasi futbolli kontribuon në jetën tonë edhe kur mbështetet nga të gjithë. I bëj thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit, në emrin e të gjithëve, që të mbrojë vlerat e këtij qyteti.

Në emrin e të gjithëve i bëj thirrje UEFAs, që të mos e shuajë këtë ëndërr dhe këtë dëshirë për të ardhmen. Le ta lemë futbollin të ecë dhe të mos e godasim atë, pasi u përket qytetarëve. Ekipit tonë i është dhënë emri ‘Nderi i Qytetit’. Ne do ta mbështesim gjithmonë”, deklaroi Gjergji Mero, pedagog i Universitetit “Fan Noli”.

ZAMIRA KITA

Fjalën para mijëra të pranishmëve e ka marrë më pas edhe aktorja e njohur korçare, Zamira Kita, e cila në emër të vajzave, nënave dhe artisteve, ka dhënë mesazhin e saj në këtë tubim madhështor.

Zamira Kita

“Skënderbeu është krenaria jonë. Skënderbeu është Korça dhe Korça është Skënderbeu. Ne jemi në krah të djemve tanë të talentuar. Ne jemi ato nëna që kanë rritur dhe edukuar këta djem, që sot po bëjnë krenar gjithë Shqipërinë. Ne do ta mbështesim këtë ekip. Mos e dënoni Skënderbeun”, përfundoi Zamira Kita mes duartrokitjeve.

DHIMITRAQ XHAMBAZI

Nuk munguan në këtë tubim as fjalët e dy ikonave të futbollit korçar dhe shqiptar, si Teodor Vaso dhe Dhimitraq Xhambazi. “Në emër të veteranëve të futbollit korçar dhe si ish-futbollist, ju përshëndes ju dashamirësit e futbollit dhe që mbështesni ekipin tonë. Jemi të gjithë këtu për të mbështetur ekipin që ka vlera maksimale.

Xhambazi

Ne jemi dëshmitarë okularë që Skënderbeu ynë i dashur ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, si në kompeticionet vendëse, ashtu edhe në Europë. Janë të paharruara ndeshjet e zhvilluara me Dinamon e Zagrebit, Sportingun e Lisbonës, Partizanin e Beogradit dhe Beshiktashin.

Ekipi i Skënderbeut ka qenë edhe motivuar për ekipe të tjera si Kukësi, Partizani e Flamurtari, që po e ndjekin hap pas hapi këtë ekip. Futbolli është bashkues, prandaj ne nuk duam që Skënderbeu të dënohet. Dhe jemi të bindur se UEFA do të shpallë pafajësinë, pasi Skënderbeu me këto vlera, me këta lojtarë, nuk e meriton një dënim të tillë, por mbështetje që të vazhdojmë përpara”, theksoi Xhambazi.

TEODOR VASO

Legjenda e futbollit korçar, Teodor Vaso, emocionoi të pranishmit me fjalët e tij. “Skënderbeu është frymë- zues i brezave, të mos i vrasim ëndrrat e fëmijëve tanë. Zotërinj të UEFA-s, jeni duke dëmtuar imazhin tuaj në tentativa për të njollosur padrejtësisht një ekip model, që po nderon Shqipërinë dhe vetë UEFA-n. Skënderbeu po tregon më së miri se edhe ekipet e vogla bëjnë futboll të madh. Nuk ka kuptim që me disa të dhëna burokratike të njolloset imazhi i një klubi model.

Todi Vaso

Iu bëj thirrje kolegëve, specialistëve, opinionistëve me integritet të klubeve tona, të mos bëhen palë me segmente të ndryshme, duke shkruar gjurmë keqdashëse për të dënuar ekipin tonë. Kjo nuk ka për të ndodhur se qyteti ynë, zëri ynë, do ta mbrojë Skënderbeun deri në fund.

Shumica e opinionit sportiv dhe më gjerë, nuk bashkohet me keqdashësin që karakterizon opinionet e disa zërave që kërkojnë në mënyre spekulative të japin argumente për faje të skuadrës. Dallohet lehtë që skuadrën korçare duan ta bëjnë viktimë”, ka thënë Vaso, i cili gjatë ditëve të fundit ka qenë aktiv edhe në rrjetet sociale si një ish-kryetar i shoqatës së veteranëve të futbollit korçar.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura