Koralda, mbesa e zv/ministrit Vangjush Furxhi, që u bë garderobjerja e Teatrit Kombëtar

Jan 21, 2019 | 10:57
SHPËRNDAJE

NGA RAIMONDA SHUNDI DERVISHI/ Ishte dhe është një nga rastet më të veçanta ku termi “mbesa e zv.ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” qëllon i duhuri. Aktori skrupuloz i kaq shumë figurave të dashura si në film, ashtu edhe në teatër, Vangjush Furxhi, për rreth dy vjet, ushtronte edhe këtë detyrë në vitet kur mbesa e tij u emërua si garderobjere në Teatrin Popullor të viteve 1992.

Kostumet e shumta të ideuara dhe ekzekutuar nga emrat më të njohur të artit tonë, dergjeshin ngushtas në atë skutë të katit të fundit të godinës. Në vitet që po i referohemi, grupi i punës për të realizuar një shfaqje të re ngjiteshin në gardërobë dhe aty nisnin kërkimin (në mes të grumbullit që shtohej çdo vit) e veshjet që u duhej për figurën e tyre artistike në shfaqjen e radhës, duke kursyer kështu edhe nga buxheti i teatrit. Ai vend të kthente pas në atë çka ajo godinë i ka servirur publikut në vite. Aty janë veshur Naim Frashëri, aty është veshur Roshi, Pitarka, Manushi, Pelingu, Behie Cela, Prokop Mima, Prosi, Gjoka … me punët e kaq e kaq regjisorëve, të cilët edhe u eliminuan pas vënies së shfaqjes së goditur nga sistemi, por kostumet janë ende aty. Shpesh, shumë foto që na shfaqen nga intervistat e disa aktorëve mit, na vijnë si dëshmitarë të prekshëm, pikërisht nga ky arkiv që sot ende ekziston në këtë gardërobë edhe nëse shfaqja nuk ka pasur mundësinë e xhirimit apo arkivimit. Ne na kanë mbetur këto kostume ku e bukura Margarita Xhepa na shfaqet magjishëm me Ofelinë e pastër si drita.

gazetderobjeraje tk

Ato foto na kthejnë pas në këtë arkiv, ku çdo element i hedhur ka shumë për të rrëfyer – vetëm mjafton të kesh dëshirë e të dëgjosh. Iu deshën javë në ato mure të mykura nga koha e të sapoardhurës Korald, për të seleksionuar artikujt e shumtë në rafte të veçantë. Aktorët, më në fund pas kaq vitesh, mundën të vetorganizoheshin në hapësirat e magazinës gardërobë, ku kostumet historike më në fund kishin ajër e dritë. Koralda Priftit, me ëmbëlsinë dhe qetësinë që e karakterizon, iu deshën muaj e vite kohë për t’i befasuar kolegët sesi punohet me dashuri dhe pa asnjë kusht ekstra në kthim. Detyra dhe dashuria për tu kujdesuar e mirëmbajtur artin e stofës, evidentoi mënyrën e përqasjes me këtë stof.

Kur spektakli mbërrin në fazën e kostumeve, shfaqja nis e merr vrullshëm rrugën drejt finalizimit. Aktorët vishen si personazhet e tyre, duke iu afruar kështu premierës dhe papritur kolegët shohin sesi partnerët tashmë janë kthyer realisht në personazhet e veprës. Kjo provë me kostume të veshura në gjuhën e teatrit quhet “Prova e Djallit”. Aktori njehsohet me kostumin e personazhit dhe rendin me kilometrat që i dikton krijesa e tyre, deri kur lodhja disaorëshe në skenë të përfundojë me fikjen e dritave të teatrit. E bashkë me dritat, aktori hedh kuturu në kabinën e tij edhe kostumin e ndotur. Djersa e ngjitur në gjithë ato rrokullime skenike flet për aventurën e natës që kaloi. Grimi i shkrirë në jakën e këmishës, fustanit, furlaneve, shallit, kravatës, fjogzës, lules.. flet realisht për përpëlitjen e natës së shfaqjes… dhe më pas… aty shfaqet ajo…, magjistarja Korald. “Vjen e para dhe ikën e fundit”, nuk është slogan, por realiteti 26- vjeçar. Pa fjalë, e qeshur, vëzhguese, ndjek ritmin dhe pulsin e çdo aktori si një dashnore e lumtur.

Viti është i mbushur me shfaqje, çdo natë. Pushimi i provave të njërës vepër i lë vendin shfaqjes së nisur më parë. Mbyllja e siparit për njërën është ngritja dhe nisje e provave për tjetrën e ajo është gjithmonë aty. Në harkun e muajve është një shifër mjaftueshëm impenjative për vetëm një person që kujdeset për të paktën 10,20,30 aktorë, sipas rastit. Të gjitha kostumet e plota, përfshirë këtu këpucët e pastruara, dorezat, fjongot, aksesorët që duhen kujdesuar në çdo natë. Koralda, çdo ditë pasi aktorët kthehen në qetësinë e merituar të paspunës, nis të sajën. Mbledh atë ç’ka mbetur për t’u larë, rregulluar (nëse janë grisur), sistemuar, hekurosur e më pas për t’i vendosur dinjitetshëm në kremastarët e kabinave përkatëse, gati për përballjen e re.

Ishte vetë Koralda ajo që solli si praktikë këtë metodë për të parën herë në institucionin ku kostumet laheshin pas të paktën një javë shfaqje. Ajo i lante çdo ditë/natë, pa fjalë. Dhe në të gjithë këta 26 vite, nuk ka munguar dhe nuk e ka lënë pa e bërë asnjëherë, kurrë, ashtu me qetësinë dhe dashurinë e dashnores. Kjo nuk është legjendë; kjo është Koralda Prifti. Emri që kaq shumë e duan regjisorët, aktorët, kostumografët, skenografët… por i panjohur për publikun dashamirës që ndjek e duartroket fort atë çka edhe Koralda ka vendin e saj absolut.

Teatri iku nga ajo godinë-magji me gjithë problemet e shumta që kish. Sot, gardëroba ka një tjetër vend në ritmin e transformimit të teatrit. Në këtë ritëm, kostumet janë të konceptuara ndryshe. Hardallosja e eksperimentit me teatrin ka bërë qe kostumografi i shfaqjes së radhës e ka të menduar vetë se ku do t’i realizojë kostumet e konceptuara nga vetë ai. Sot nuk është më alternativa e një kooperative brenda perimetrit të godinës. Dikur kjo formë ishte normalitet. Mjeshtër Cufi (Isuf Derhemi) ishte rrobaqepësi më popullor. Kostumet që ai ka nxjerrë nga duart e tij ndodhen ende në muret e ngrirë të magazinës gardërobë të Teatrit, në pritje të transportit kushedi se ku me hardallosjet që po kalojmë me luftën që po i bëhet kësaj godine. Teatri kishte në organikë edhe këpucar, i cili sistemonte, apo pse jo realizonte këpucë sipas kërkesave specifike të regjisorit në punë e sipër. Bahçevani kuronte lulishten, ndërsa zjarrfikësi kujdesej për rastet ekstreme nëse krijoheshin, gjë që nuk ndodhi kurrë. Për të mos folur për superpersonazhin mitik të teatrit, suflerin Ndoc Gora: një shkrim i veçantë është në mbërritje për të.

Teatri i atyre viteve, që i dha publikut Shqiptar dhe ndërkombëtar kaq e kaq shfaqje dinjitoze, tani është i mbyllur. Nuk funksionon më si skenë. Thonë që ka rrëzik shëmbjeje, zjarri “përmbytjeje” dhe çdo e keqe që mund t’i vijë Shqipërisë nga fenomenet natyrore ose njerëzore. Godinat e tjera nuk e kanë këtë rrezik, përveç Teatrit. Teatri “Metropol” ka vetëm një hyrje-dalje në të cilën në raste emergjente mund të kalojë vetëm një njeri skiç. Por kjo godinë nuk ka rrezik zjarri, as përmbytjeje, megjithëse është nën nivel. Vetëm përkushtimi i Koraldës do të mjaftonte për ta ruajtur atë godinë, për të mos folur për frymën dhe jetën e dhjetëra aktorëve që vazhdon të qarkullojë në ato mure. Le të bëhet një teatër i ri supermodern, kudo qoftë, por godina ekzistuese e Teatrit Kombëtar është një e kaluar e cila do mirëmbajtur dhe restauruar. Ata që duan ta prishin, do të prishin shpirtin e tyre, në qoftëse e kanë. Dhe të jenë të sigurt që ata që do të mund ta prishin…shpirti i tyre do të shkojë dhe do ti përshtyjë mbi varr.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura