Koraca është gjithmonë e qëndrueshme

| 10:16
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI LEONARD DEMI

Para disa ditësh përfundoi Konferenca e Sigurisë e Mynihut, forumi i pavarur më i rëndësishëm, që trajton çështjet kryesore të sigurisë botërore. Në konferencën e sivjetshme, ku kumtuan më shumë se 450 personalitete nga gjithë bota (kryetarë shtetesh, kryeministra, ministra, personalitete shtetërore apo joqeveritare, akademikë, përfaqësues të lartë të biznesit, shoqëri civile, media etj.), disa liderë vendesh demokratike shprehën shqetësimin se Amerika po tërhiqet nga angazhimi i vet në Europë apo nga komuniteti ndërkombëtar.

Në këtë shkrim kërkoj të shpreh bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po tërhiqen, përkundrazi, po rritin praninë e tyre në Europë dhe themelet e marrëdhënieve midis Amerikës dhe Europës mbeten të forta, pavarësisht ndonjë pështjellimi afatshkurtër. Arkitektura e tyre ka krijuar një sistem, që i mbron nga dallimet dhe perspektiva e tyre afatgjatë është pozitive. Por, vala, me të cilën përballen, duhet trajtuar me kujdes dhe fuqia e NATO-s qëndron pikërisht në këtë aftësi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e ka quajtur këtë qëndrim një “paradoks”, i cili vë në pyetje fuqinë dhe unitetin e NATO-s, kur Europa dhe Amerika janë duke bërë së bashku më shumë se ç’kanë bërë në dekada. Për më tepër, më 4 dhjetor 2019, në Londër, liderët e NATO-s miratuan fuqizimin e mëtejshëm politik të Aleancës, d.m.th., Europa dhe Amerika do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku përballë sfidave globale ekonomike, ushtarake dhe teknologjike në rritje. Mbi të gjitha, do të rrinë së bashku për një gjë më themelore: jetën dhe vlerat tona.

Sot, rëndom dëgjon të thuhet se Europa duhet të bëjë më shumë përpjekje për të zgjidhur sfidat, me të cilat përballet. Po, por kjo është vetëm një pjesë e problemit, sepse më shumë përpjekje apo më shumë Europë nuk mund të thotë Europa vetëm. Pavarësisht përparimit që ka bërë, Bashkimi Europian (BE) është larg së qeni i aftë të garantojë siguri për të gjithë anëtarët e vet. Të mbështetesh vetëm te BE, do të thotë të shkatërrosh Europën. Nga ana tjetër, vetëm një Europë që mund dhe dëshiron të mbrojë vetveten do të jetë e aftë të mbajë Shtetet e Bashkuara në aleancë me të.

Me të drejtë Presidenti i Gjermanisë thotë: “Çdo përpjekje që ka për qëllim të largojë Europën nga Amerika, jo vetëm që dobëson lidhjen transatlantike dhe aftësinë e Europës për të konkurruar në skenën globale, por rrezikon, gjithashtu, të ndajë Europën. Nga pikëpamja strategjikë, kjo është zgjedhje dritëshkurtër”.

ANGAZHIMI I SOTËM

Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e fuqishme të të dy krahëve të Kongresit, po investojnë më shumë në sigurinë dhe mbrojtjen europiane: më shumë trupa, më shumë kapacitete, më shumë stërvitje dhe infrastrukturë.

Presidenti amerikan ka nxitur aleatët të zbatojnë zotimin, që kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s kanë marrë në samitin e Uellsit, më 2014. Sot, në sajë të mbështetjes amerikane, NATO ka arritur të sigurojë rreth $130 miliardë më shumë për buxhetin e vet, ndërsa në vitin 2024, viti i fundit i realizimit të këtij zotimi, buxheti i NATO-s do të rritet me $400 miliardë.

Në kuadër të Iniciativës të Shkurajimit Europian (EDI), Amerika po rrit në Europë numrin e trupave me rrotacion, stërvitjet dhe trajnimet, pajisjet, teknologjinë amerikane etj. Buxheti i EDI-së është dyfishuar dhe një e treta e këtij fondi do të shpenzohet për të rritur praninë ushtarake amerikane në Europë. Pothuaj gjysma e buxhetit të EDI-së për vitin 2019 u alokua për pajisje ushtarake për një njësi të rangut të divizionit. Po kështu, plani 30x30x30x30 pasuron NATO-n me 30 batalione, 30 skuadrone ajrore dhe 30 anije të gatshme të dislokohen në 30 ditë.

Shtetet e Bashkuara kanë armatosur Ukrainën për ta ndihmuar të mbrohet nga agresioni rus dhe po punon me vendet baltike për sigurinë e tyre kibernetike kundër sulmeve kibernetike të përsëritura të Moskës.

Amerika po përpiqet të sigurojë $1 miliard për të financuar Iniciativën e Tri Deteve (Detit Baltik, Adriatik dhe Detit të Zi; 12 shtete, përkatësisht: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë), e cila synon të krijojë një dialog rajonal për një sërë çështjesh me interes të përbashkët.

Vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara, bashkë me aleatët, kanë bërë riforcimin më të madh të krahut lindor të NATO-s që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Amerika i ka rikthyer besueshmërinë armëkontrollit, që kur u tërhoq nga Traktati i Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi me mbështetjen unanime të NATO-s, pasi Rusia e kishte shkelur atë në mënyrë të përsëritur.

Pos këtyre përpjekjeve për të fuqizuar sigurinë dhe mbrojtjen europiane sipas artikullit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Shtetet e Bashkuara po drejtojnë stërvitjen më të madhe të NATO-s, Defender Europe 20, apo “Europa 20”.

“EUROPA 20”

Dëshiroj të sjell në një pikë më vete stërvitjen “Europa 20”, jo vetëm se është stërvitja më e madhe e këtyre 25 viteve të fundit, por dëshmon edhe angazhimin më të madh amerikan gjatë këtij një çerek shekulli. Në këtë stërvitje marrin pjesë 18 vende aleate dhe 2 partnere (Gjeorgjia dhe Finlanda) me një personel që arrin në 37,000 vetë. Shtetet e Bashkuara, jo vetëm që e drejtojnë, por personeli i tyre është 28,000 vetë, 20,000 syresh do të mbërrijnë nga Amerika dhe shënon pjesëmarrjen më të madhe amerikane gjatë këtyre 25 viteve. Stërvitja do të zhvillohet në Gjermani, Poloni dhe në vendet baltike, më 20 prill deri më 20 maj 2020. Lëvizjet e trupave fillojnë në shkurt 2020.

“Europa 20” është një stërvitje e rëndësishme se do të demonstrojë përkushtimin dhe aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur dhe për të mbrojtur Europën kundër çdo kundërshtari në një konflikt shumëkombësh, shumëplanësh dhe me intensitet të lartë. Pjesëmarrja e lartë amerikane flet për angazhimin e Shteteve të Bashkuara në NATO dhe për vendosmërinë e Amerikës që të qëndrojë pranë aleatëve dhe partnerëve të vet europianë për të rritur gatishmërinë, interoperabilitetin, lëvizjen dhe transportin e trupave luftarake të madhësisë së divizionit, të shkurajojë kërcënimet, të trajnojë Komandat e NATO-s dhe Aleate të planifikojnë dhe të kryejnë luftime tokësore në shkallë të gjerë kundër një kundërshtari të ngjashëm në një mjedis europian të vitit 2028.

“Europa 20” do të vlerësojë rreth 38 koncepte ushtarake dhe kapacitete të së ardhmes, 20,000 syresh do të mbërrijnë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa 13,000 nga bazat ushtarake europiane. Kjo stërvitje promovon, gjithashtu, përfitimet në siguri dhe stabilitet, që sjell partneritetit me NATO-n.

“Europa 20” është një stërvitje me karakter të plotë mbrojtës, që do të praktikojë dislokimin e shpejtë të forcave të mëdha nga Amerika në Europë. Ajo nuk drejtohet kundër ndonjë vendi në veçanti.

Shumë domethënës është fakti që Britania e Madhe planifikon të marrë pjesë me 2500 vetë, gjë që do të thotë se Britania e Madhe, pavarësisht se po lëshon Bashkimin Europjan, ajo nuk po lë Europën dhe do të mbetet plotësisht e angazhuar te mbrojtja e saj. Mbretëria e Bashkuar qëndron krah për krah me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe është e angazhuar pa kushte në sigurinë europiane.

“Europa 20” demonstron se angazhimi i Amerikës në NATO dhe te mbrojtja e Europës është i hekurt dhe lidhja transatlantike e ka bërë NATO-n aleancën më të fortë në historinë botërore.

REAGIMI I RUSISË

Stërvitja Defender Europe 20 apo “Europa 20”, e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me një pjesëmarrje kaq të madhe amerikane, ka rritur ndjeshmëritë në Moskë. Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergei Lavrov, në kumtesën që mbajti në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, vërejti: “Zgjerimi i NATO-s me infrastrukturë ushtarake në Lindje, stërvitje të një madhësie të paprecedent pranë kufirit rus gjenerojnë pasiguri”.

Sigurisht, me stërvitje të një madhësie të paprecedent, zoti Lavrov e kishte fjalën për “Europa 20”. Po kështu, media ruse ka theksuar se stërvitja “Europe 20” është e bazuar mbi skenarin e një lufte që bëhet në Europën e vitit 2028 midis NATO-s dhe një armiku pranë kufijve të vet. Këto informacione vënë në dukje se “Europa 20” ka për qëllim të tregojë se si do të luftojë Aleanca në një luftë të së ardhmes, duke testuar një strategji eksperimentale dhe disa nga pajisjet e saj më të reja.

Studiues apo pedagogë të Akademisë të Shkencave Ushtarake të Rusisë e kanë krahasuar “Europa 20” me stërvitjen Able Archer të vitit 1983. Për të këndellur ndonjë kureshtje, kujtoj se disa anëtarë të Byrosë Politike të Bashkimit Sovjetik dhe ushtarakë sovjetikë besuan se Able Archer ‘83 ishte një taktikë lufte për të fshehur përgatitjet për një goditje bërthamore. Si përgjigje, Bashkimi Sovjetik vuri në gatishmëri forcat e veta bërthamore dhe vendosi në gjendje alarmi njësitë ajrore në Gjermaninë Lindore dhe Poloni.

Këta studiues kumtojnë, gjithashtu, se një stërvitje e kësaj shkalle do të rëndojë seriozisht situatën, aq më tepër se ajo kryesisht do të zhvillohet në Poloni, Gjeorgji dhe në vendet baltike, që jo vetëm kufizohen me Rusinë, por shpalosin një sjellje jomiqësore ndaj Rusisë.

Një tjetër koment ka theksuar që NATO jo vetëm po rreshton forca pranë kufirit me Rusinë, por qëllimisht iu referua edhe Bjellorusisë, e cila bashkë me Rusinë zhvillojnë seritë e stërvitjeve ushtarake strategjike “Zapad”. Sidoqoftë, vazhdon komenti, fakti që ky grupim i fuqishëm forcash të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara po praktikon dislokime pranë kufirit të Bjellorusisë dhe Rusisë edhe kur Amerika ka rritur praninë ushtarake në Poloni dhe në vendet Baltike, ngërthen një shqetësim.

3.

Tërheqja Siç vërejtëm edhe në krye të këtij shkrimi, në të dyja anët e Atlantikut, ka mjaft politikanë, studiues, ekspertë apo vëzhgues, që mendojnë se Amerika po zvogëlon angazhimin e vet apo po tërhiqet nga marrëveshjet ndërkombëtare. Realiteti nuk provon aspak një gjë të tillë, por ka edhe pasoja të rënda:

Së pari, tërheqja e Shteteve të Bashkuara do të përkeqësonte sigurinë rajonale në Europë dhe në rast të një konflikti, Amerika do të detyrohej të rikthehej, por pasojat do të ishin shumë më të rrezikshme.

Së dyti, në qoftë se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga NATO, ka shumë mundësi të fuqizohen fuqitë rajonale. Shembulli më domethënës është agresiviteti i Rusisë, e cila, duke filluar nga viti 2008, ka pushtuar dy nga fqinjët e vet, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, që nuk janë anëtarë të NATO-s. Kështu, në qoftë se vendet baltike nuk do të kishin mbrojtjen e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara, është krejt e kuptueshme që Rusia do të provokonte ushtarakisht kufijtë e tyre.

Së treti, tërheqja e Amerikës apo në qoftë se Amerika do të lëshonte NATO-n, do të provokonte përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Në këto kushte, shumë aleatë do të tundoheshin të siguronin vetë armë bërthamore. Në këtë skenar, ka shumë mundësi që materiale bërthamore të bien në duart e terroristëve dhe shtete që nuk kanë përvojën e mjaftueshme në zotërimin e armëve atomike, mund të bëhen pre e aksidenteve bërthamore, gjë që do të mund të përshkallëzonte një konflikt bërthamor.

Së katërti, tërheqja mund të rritë nacionalizmin dhe ksenofobinë. Në këto kushte, mund të fuqizohen grupet apo partitë e së djathtës ekstreme, si: Alternativa për Gjermaninë në Gjermani, Lega në Itali dhe Fronti Nacional në Francë, të cilët do të minonin liderët demokratë, që mbështesin fuqimisht NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara. Si rezultat, Uashingtoni do të humbte ndikim e vet tek aleatët, veçanërisht, te demokracitë e reja dhe më të brishta si në Poloni e gjetkë.

Së pesti, më alarmantja, shumë nacionalistë të së djathtës ekstreme, që do të fuqizoheshin nga tërheqja e Amerikës, kanë bërë thirrje për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë dhe Kinën, gjë që do të ndryshonte thellësisht arkitekturën e sotme. Së gjashti, tërheqja do të dëmtonte interesat ekonomike të SHBA, sepse grupet populiste nacionaliste janë, pothuajse, gjithmonë proteksionistë.

Së shtati, tërheqja mund të gjeneronte një sistem të sferave të influencës, ku Rusia dhe Kina do të përpiqeshin ta dominonin, duke rritur paqëndrueshmërinë. Me kalimin e kohës, Rusia apo Kina do të përpiqen t’i shtyjnë kufijtë e këtyre sferave drejt perëndimit. Në qoftë se do të ndodhemi në një situatë të tillë, Europa do të rrezikohej nga pasiguria.

EPILOG

Europa dhe Amerika janë të bashkuara në vizionin e tyre demokratik perëndimor dhe plotësisht të angazhuara për të mbrojtur njëri-tjetrin. Bashkë përfaqësojnë gjysmën e forcës ushtarake botërore dhe gjysmën e fuqisë ekonomike.

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.