Deputeti i Shkodrës kundër Tom Doshit: Duhet t’i kërkojë ndjesë Grupit

Mar 1, 2015 | 8:05
SHPËRNDAJE

Namik Kopliku

Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Namik Kopliku, i kërkoi dje Tom Doshit që të kërkojë ndjesë para Grupit Parlamentar të PS-së për deklaratat e bëra pak ditë më parë. “Zoti Doshi duhet të kërkojë ndjesë para Grupit Parlamentar dhe Grupi Parlamentar duhet medoemos të pranojë ndjesën eventuale të zotit Doshi. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste duhet të jetë tolerant nga momente të tilla nervozizmi, por edhe zoti Doshi duhet të reflektojë se me gjuhën e Sali Berishës nuk rregullohen punët e grupit tonë parlamentar”, tha Kopliku në një intervistë për “Top Channel”.

Ai i cilësoi të papranueshme deklaratat e kolegut të tij, duke thënë se mund të gjente rrugë të tjera për të shprehur shqetësimet dhe pakënaqësitë e tij. “Deklaratat e Tom Doshit janë e drejta e tij, çdo njeri ka të drejtë të shprehet ashtu siç e mendon. Ka rrugë të tjera që interesat e tij personale ose shqetësimet e tij personale t’i bëjë të ditura në rrugë institucionale, jo me deklarata të tilla, që sidoqoftë nuk lënë një shije të mirë, qoftë edhe nga ana etike”, tha Kopliku. Për deputetin e qarkut të Shkodrës, deklaratat fyese dhe denigruese nuk duhet të artikulohen brenda forcës politike.

“Të shash, Qeverinë tonë, Kryeministrin me atë gjuhë si rrufe në qiell të pastër, pa pasur asnjë deklaratë përpara brenda Grupit, qoftë edhe direkt me Kryeministrin, mendoj se është e padrejtë. Nuk është mirë që me gjuhë të tillë, fyese, denigruese për Qeverinë në tërësi, për Kryeministrin, janë komplet të pamerituara dhe për mendimin tim të papranueshme”, tha Kopliku.

Sipas deputetit Kopliku, shkodranët kanë pritshmëritë e tyre për më shumë investime në këtë qytet.

“Populli i Shkodrës vërtet meriton dhe kërkon shumë më tepër nga Qeverisja jonë, por populli i Shkodrës ka aftësinë, ka zgjuarsinë që të kuptojë që diçka që është shkatërruar apo prishur në themel këto 20 vjet, nuk mund të rregullohet njëherazi për një vit e gjysmë qeverisje. Socialistët nuk janë asnjëherë dakord që problemet e tyre të shfaqen me atë gjuhë, e cila nuk është as e mirë nga ana etike, as e drejtë nga ana politike”, tha Kopliku. Në një deklaratë për mediat, deputeti Doshi tha se mes tij dhe Ramës nuk ka më paqe.

“Do ta shohim se kush është i humbur prej kësaj situate. Çdo gjë do t’ia bëj publike, por edhe ai t’i bëjë publike ato që thotë. Kur të flas unë, do t’i dridhen themelet maxhorancës dhe Qeverisë”, u shpreh Doshi duke nxitur debatet në Partinë Socialiste.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura