Kopliku i përgjigjet Bazhdarit: Je një nga 100 arsyet e humbjes

Jul 27, 2015 | 18:00
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Namik Kopliku, shpjegon arsyet e humbjes së PS në Shkodër, ndërsa mohon të ketë pasur debat me Keti Bazhdarit.

Dy ditë pas mbledhjes së thirrur prej tij dhe kryetarëve të organizatave socialiste të kësaj bashkie, Kopliku i kontaktuar nga “Panorama” tregon se si u keqkuptua nga disa pjesëmarrës ky takim, duke filluar që nga kandidatja për kryetare bashkie, Keti Bazhdari.

Namik-Kopliku_2014

“Mesa duket, qëllimi i këtij takimi nuk ishte kuptuar nga shumica e të pranishmëve. Kishte nga ata që më thoshin pse na ke shmangur dhe nuk na ke thirrur. Unë i thashë se dera e sallës do jetë e hapur sa kohë të jem unë deputet. Unë i kam sqaruar se kam dashur që ta bëj këtë takim me format tjetër dhe jo me të gjithë socialistët e Shkodrës. Madje, njëri u shpreh se nëse nuk do ta lajmëronte Keti, ne nuk do ta merrnim vesh për këtë mbledhje dhe as do ishim këtu. Unë i kam sqaruar se as Ketin nuk e kam ftuar, sepse nuk ishte një takim analize për zgjedhjet, ku Keti do të jetë patjetër prezente kur t’i vijë koha kësaj analize në shtator”, tha dje Kopliku.

Sipas tij, qëllimi i këtij takimi ishte marrja e mendimit nga drejtuesit e organizatave për rezultatin zgjedhor të 21 qershorit.

“Unë doja të bëja një konsultim me ta rreth shkaqeve të rezultatit zgjedhor të 21 qershorit, me qëllim që informacioni që unë do të çoj të mos ishte subjektiv, qoftë për kandidaten e PS-së, pavarësisht emrit të saj, qoftë për punën e strukturave të Partisë Socialiste në këto zgjedhje. Nëse ndokush do thotë se kandidatja ka qenë shkaku i humbjës, kjo mund të jetë një nga 100 arsyet, po aq sa mund të ketë qenë puna e deputetit, një nga 100 arësyet e rezultatit, apo puna e strukturave të PS. Por kjo duhet kaluar në analiza”, tha Kopliku.

Deputeti socialist, që duket se është vënë para kritikave në këtë takim të zhvilluar ditën e shtunë, tha se në një mbledhje që ka zgjatur mbi dy orë, debati keqkuptues ka zgjatur vetëm disa minuta.

“Në fakt kur flisnin njerëzit, çohej Keti dhe ndërhynte. Unë i thashë disa herë që e ke shumë gabim, se nuk është ky qëllimi i takimit, pra analiza, por dhënia e mendimit të çdokujt se çfarë ka shkuar dhe çfarë nuk ka shkuar në çdo organizatë socialiste dhe qendër votimi. Nga dy orë mbledhje, debati mes nesh ka qenë pak minuta. Por, më shumë ka qenë i nisur nga moskuptimi i qëllimit të mbledhjes”, u shpreh Kopliku.

BAZHDARI

E kontaktuar nga gazeta, kandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari, tha se është e nevojshme të zhvillohet një analizë teknike rreth rezultatit në këto zgjedhje për të ndihmuar punën e PS-së për të ardhmen.

“Jam krejtë- sisht kundër drejtimit të gishtit ndaj kujtdo individi të veçantë. Secili bëri aq sa mundi. Por kuptohet, në planin institucional është e rëndësishme kryerja e një analize teknike, larg subjektivizmave dhe që e ndihmon forcën tonë politike të kuptojë defektet, të përmirësohet ku është e nevojshme dhe të zgjerohet edhe më shumë atje ku është e mundur”, tha Bazhdari e pyetur nga gazeta “Panorama”.

NGA ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura