Kopjuan apo nuk kopjuan policët në testim?

Nov 17, 2018 | 12:55
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKOnako

Pyetje shekspiriane kjo, por përgjigjja për të nuk ka fare rëndësi. Njoftimi për anulimin e testimit për gradën “Komisar” është një vendim, i cili as nuk ndëshkon padrejtësinë dhe as kthen në vend drejtësinë. Është pasqyrim i kaosit që ekziston në Akademinë e Sigurisë. Dhe në një farë mënyre, Akademia është riprodhim në miniaturë i keqmenaxhimit, në të cilin ndodhet hierarkia e Policisë sot. Sezoni i konkurrimeve për gradë në Akademinë e Sigurisë zakonisht fillon mbas përfundimit të periudhës së emërimeve të niveleve më të larta klienteliste të drejtimit në radhët e Policisë. Në këto emërime kriteri bazë është ai që quhet besueshmëri. Dhe kjo e fundit, rrallëherë ose aspak ka të bëjë me aspektin profesional. Ajo që shkruhet në ligj, praktikisht kthehet me kokë poshtë. Nuk bëhet fjalë që kandidatët për poste drejtuese t’u nënshtrohen testeve dhe më pas, në bazë të rezultateve të tyre, të përzgjidhen në funksionet apo detyrat që do të kryejnë. Ndodh e kundërta. Fillimisht projektohen kandidatët mbi bazën kriterit të besimit, më pas secili prej tyre i nënshtrohet individualisht një testimi të veçantë, me program individual të reduktuar me objektiv marrjen e gradës. Dhe në fund, mëse natyrshëm postin. Pra, kopjon apo nuk kopjon, ai do ta kalojë testin. Vendimi për të është marrë. Më pas, në të njëjtën mënyrë i vjen radha dikujt tjetër i përzgjedhur edhe ai për besueshmëri, i projektuar edhe ai për post të lartë. Kush më herët e kush më vonë, një nga një e dy nga dy, të gjithë individët e kësaj shtrese fiksohen në pozicione drejtimi. Pasi të besuarit janë stabilizuar mirë, fill më pas fillon zbatimi konkret i ligjit për gradat. Këtë radhë jo kokëposhtë. Kjo sepse bëhet fjalë për grada më të ulëta se ato të cituara pak më sipër. Ndaj dhe procedurat për paraqitjen për konkurrim dhe vetë procesi i konkurrimit kryhen konform ligjit dhe rregullave. Dalja jashtë kontrollit e këtij procesi të dytë, ku ndodh shpesh që jo të besuarit dalin mirë, bën që të ndodhin përplasje ndërmjet procesit në vetvete dhe vullnetit të drejtimit. Edhe të besuarit e lartë dëshirojnë të besuarit e tyre më poshtë. Dhe radha e të besuarve vazhdon e njëjtë deri në nivelet më të ulëta. Pjesa e mbetur jashtë këtij zinxhiri që prish fillin, kthehet në shkak për anulime testesh nga drejtuesit policorë. Kanë kopjuar apo kanë qenë anëtarët e komisionit ata që u kanë treguar pyetjet klientëve të tyre, nuk ka rëndësi. Në organin, të cilit ligji i kërkon drejtësi e paanësi në ushtrimin e dhunës si e drejtë publike, në mënyrë ulëritëse i mungon drejtësia. Drejtësia dhe urdhri brenda radhëve të Policisë ndodhen shumë larg njëra-tjetrës. Kjo e rëndon më pas ushtrimin e detyrës. Ajo që ka ndryshuar është vetëm ndjeshmëria e publikut të gjerë lidhur me çështje të funksionimit të brendshëm të Policisë, në kushtet e një konteksti të ngarkuar me kriminalitet dhe polemikat për lidhjet e tij eventuale me Policinë.

Në Akademinë e Sigurisë, e njëjta logjikë si në rastet e ecjes në karrierë të përmendur më sipër, përdoret edhe në procesin e konkurrimeve për pranimin e studentëve në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit. I reklamuar fort nga qeverisja aktuale si institucion i luftës kundër analfabetizmit në Polici, fakulteti administrohet njëkohësisht në bazë të ligjit që normon arsimin e lartë dhe ligjin që normon veprimtarinë e Policisë së Shtetit. Pra, një bashkëjetesë ndërmjet lirisë dhe autonomisë akademike dhe centralizimit të rrepte policor, ose më saktë urdhrit nga lart. Madje, fakulteti është cilësuar si hap i madh cilësor. Për këtë gjë i është mbushur mendja edhe nivelit drejtues politik. Tërësisht e pamundur. Demagogji. Listat e studentëve kandidatë të pranuar për konkurrim si dhe të atyre që i nënshtrohen konkursit kryhet në liri të plotë të Akademisë. Dhe gjithçka është publike. Por më pas lista e fituesve dhe kufiri që e vendos atë ulet ose ngrihet, shihet dhe rishihet, klasifikohet dhe riklasifikohet, renditet dhe rirenditet mbi bazë kriteresh të analizuara dhe vendosura në zyrën e ministrave të Brendshëm. Në bazë të urdhrit okult të ministrit i noterizuar në atë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Testi është pra, vetëm për konsum publik. Madje edhe skantroni, një risi amerikane vlerësimi teknologjik që përjashton manipulimin, rrethohet nga teste të tjera, të cilat në finale janë në gjendje të përmbysin pa problem pikët e shënuara prej tij dhe në fund studenti të rezultojë jashtë loje. Bachelor apo patrullë e përgjithshme, formimi i oficerëve të Policisë nuk ka pësuar asnjë hap cilësor. Marrja e titullit ‘kandidat shkencash’ apo ‘doktor shkencash’ nga një lidership drejtues që nuk ka mundur për asnjë rast të lexojë materiale profesionale botërore në gjuhën origjinale nuk është se ka ndihmuar shumë. Për të mos folur për plagjiaturë. Me përjashtim të emërtimeve, thelbi i formimit nuk ka ndryshuar. Sepse Akademia e Policisë, në program dhe në trupën e saj të mësimdhënies pasqyron mendësi të pandryshuar. Akademia vazhdon edhe sot e kësaj dite të konsiderohet si “vorrezë elefantësh”, për shkakun se përbën vendin e varrosjes së karrierës së oficerëve me gradë të lartë të Policisë, të cilët për arsye më së shumti konjokturale dërgohen në Akademi. Këtë epitet ia kanë dhënë ekspertët e huaj që e asistojnë. Ky problem nuk ekziston në fakultetet universitare. Nga ana e tyre, oficerët e Policisë e quajnë “purgator” sepse shërben si stacion pastrimi për nivelet e larta policore para se një pjesë të shkojë në “ferr” dhe të largohet nga Policia dhe një pjesë tjetër “në parajsë”, duke u rikthyer në funksione të larta. Të rrallë janë oficerët me grada të larta që nuk kanë kaluar ca kohë në Akademi. Kjo kategori, jo e vogël në numër, nuk dallohet për dëshirë në mësimdhënie. Me nivel të lartë formimi, eksperienca menaxheriale po ashtu të larta, ata mezi presin t’u vijë radha të rikthehen në detyra, të cilat i kanë me më shumë dëshirë. Ata janë jashtë prirjeve të tyre sepse janë urdhëruar të punojnë në Akademi. Nuk kanë pasur dëshirë. U mungon përgatitja pedagogjike apo didaktike. Të paktën si fillim. Dhe mësimdhënia pa dyshim do të çalojë.

Krahas tyre është edhe një pjesë tjetër, ajo që quhet e “përhershme”. Më e vogël në numër, kjo pjesë e di mirë se të tjerët janë aty se i ka zënë halli dhe në mos një herë, një herë tjetër do të largohen për t’i lënë radhën të tjerëve. E kështu pa fund. Në tërësi këta vazhdojnë mësimdhënien me programet e tyre shekullore, ku si shembull ushtrimi praktik merret ende rasti i arratisjes në një vend armik. Ata nuk janë në favor të ndryshimeve ose mbeten indiferentë për to se në fund të fundit, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe sikur Akademia të quhet Fakultet edhe sikur të quhet Patrullë e Përgjithshme. Sepse aty nuk ka asnjë ndryshim material. Vetëm në formë, kohëzgjatje dhe në marrje pozash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura