Koordinatorët, Alibeaj refuzon Bashën për Tepelenën, jep dorëheqjen nga fushata. Imami rezerva për Shkodrën

Mar 1, 2015 | 11:02
SHPËRNDAJE

Përcaktimi i emrave që do të kryesojnë 61 grupet e punës të Partisë Demokratike, për përzgjedhjen e kandidatëve për bashkitë e vendit dhe për organizimin e fushatës elektorale ka sjellë pakënaqësitë e para. Enkelejd Alibeaj ka vendosur të refuzojë drejtimin e Grupit të Partisë Demokratike, i cili do të koordinojë fushatën zgjedhore në Memaliaj dhe në Tepelenë.

Enkelejd Alibeaj

Madje, mësohet se Alibeaj nuk ka pranuar të jetë pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit. Po ashtu, më- sohet se kryetari i PD-së Lulzim Basha ka vendosur ishministrin e Financave, Ridvan Bode, për të drejtuar grupin e punës në Elbasan. Ndërsa Flamur Noka propozohet për të drejtuar Kukësin.

ALIBEAJ

Pak ditë më parë, kryetari i PD-së ka bërë të ditur emrat e 33 kryetarëve të grupeve të punës që do të drejtojnë fushatën. Në vendim, Alibeaj ngarkohej të mbikëqyrte përzgjedhjen e kandidatëve për Bashkinë e Memaliajt dhe Tepelenës. Ndërsa do të organizonte dhe fushatën në këto zona. Por, duket se një vendim i tillë nuk është mirëpritur nga Alibeaj. Në riorganizimin e strukturave të PD-së, Alibeaj rezultoi ndër më të votuarit në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Ndërsa shpalli dhe kandidaturën për postin e sekretarit të Përgjithshëm në PD, përballë Eduard Selamit dhe Arben Ristanit. Në këto votime, Alibeaj u rendit i dyti me 87 vota, ndërsa Ristani fitoi garën me 101 vota të Këshillit Kombëtar. Por, duket se vendimi i Bashës për t’i dhënë Alibeajt zonën e Memaliajt dhe Tepelenës nuk është mirëpritur.

KORÇA DHE ELBASANI

Në vendimin e Bashës për kryetarët e grupeve të punës duket se është vendosur parimi për të lëvizur deputetët nga zonat e influencës. Burimet kanë bërë të ditur se Ridvan Bode, i zgjedhur deputet në Korçë, do të drejtojë grupin e punës në Elbasan. Ndërkohë që zona e Korçës do të mbulohet prej sekretarit Organizativ në PD, Enno Bozdo. Nga ana tjetër, edhe deputetët e Elbasanit, Arben Imami dhe Eduard Selami, nuk do të jenë në zonën e tyre. Imami do të drejtojë fushatën në Shkodër, ndërsa Eduard Selami është zhvendosur në grupet e punës të Tiranës.

DETYRAT

Në urdhrin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, përcaktohet se grupet e punës do të drejtojnë “procesin e identifikimit të kandidaturave për njësitë vendore”, si dhe do të hartojnë “strategjinë elektorale përkatëse për njësinë vendore/zgjedhore”. Po ashtu, grupet e punës do të jenë pika e lidhjes mes strukturave të tjera të Partisë Demokratike në çdo njësi. Deri më datën 10 mars, degët e PD-së duhet të miratojnë kandidatët për 61 bashkitë e vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura