“Kontrollorët po u mësojnë shqiptarëve si luftohet për të drejtat”- Gazetari komenton ngjarjen në Rinas: Ata që i tallën për stresin e punonjësve, u duket…

Apr 8, 2021 | 16:09
SHPËRNDAJE

kulla 10Gazetari Sokol Shameti ka komentuar situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit dhe bllokimin që shkaktoi qëndrimi i kontrollorëve të AlbControll, të cilët kërkojnë mos uljen e pagave të tyre.

Në një postim në Facebook, Shameti shprehet se kontrollorët me qendrimin e tyre po u “mësojnë shqiptarëve se si luftohet për të drejtat, kur ta kanë pamundësuar atë”.

“Problemi nuk është pse pagat e punëtorëve të sektorit të kontrollit ajror janë të larta e dinjitoze, por pse pagat e punëtorit të çdo sektori tjetër janë të ulëta e të padenja për një njeri.

Përmes ndalimit të punës nga shkaku i nëpërkëmbjes, këta punëtorë nuk po shohin interesin privat duke rrezikuar interesin publik.

Përkundrazi, ata po u mësojnë të gjithëve si luftohet për të drejtat edhe kur ta kanë pamundësuar ta bësh këtë, e kësisoj po i shërbejnë ndërgjegjes publike të shumicës.

Kjo i bën ata të rrezikshëm për mbrojtësit e interesit të pakicës private e prandaj u kanë vërsulur mbi shpinë gjithë makinerinë e përbaltjes, shpifjes dhe armiqësimit me opinionin publik përmes lloj-lloj marifetesh e trukesh.

Atyre që tallen me stresin e punës dhe nuk e pranojnë që një punëtor i mirëpaguar mund të ketë të drejtë të provojë stres, në fakt u duket e papranueshme që një punëtor të mirëpaguhet.

Ata që shqetësohen për sigurinë e cënuar kombëtare nga pezullimi i fluturimeve turistike nga Dubai dhe Sharm el Sheiku duhen falënderuar për ilustrimin preçiz të asaj çka quhet pasiguri në kapitalizëm si dhe për identifikimin e atij ekipi “kombëtar” milionerësh që sipas tyre përfaqëson kombin.

Atyre të tjerëve që i merr malli për “zgjidhjet” anti-greviste të Reganit, Theçerit apo dishepujve të tyre neofashistë nga Spanja e Nikaragua, u kujtojmë se kanë dy javë që po i lypin votat të majtëve e pas dy javësh do japin llogari para të majtëve.”- shkruan Shameti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura