Kontrolli i territorit dhe cënimi i truallit

Sep 17, 2021 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA PËLLUMB NAKOPellumb Nako

Qeveria sapo bëri të pranishëm në Parlament vizionin që ka lidhur me sigurinë e vendit në këtë mandat të tretë të saj. Në tërësi, vetë Kryeministri u përqendrua në “kontrollin e territorit për të mos lejuar ndërtimet pa leje” dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Në mënyrë më se të natyrshme, ministri i Brendshëm, në paraqitjen e vizionit të tij, si politikani i ngarkuar më direkt me fushën e sigurisë, rimori vizionin e Kryeministrit duke e zbërthyer atë në disa terma më konkretë. Ndër të tjera, në ndërhyrjen e tij ai tha se “çdo kilometri katror do t’i caktojmë një trupë policore për të pasur kontakt me çdo dhunim që do t’i bëhet truallit”.

Duke lënë për një moment mënjanë ngjashmërinë e padobishme që ka deklarata e ministrit të Brendshëm me 28.000 dëshmorët që i përgjigjen çdo kilometri katror të vendit tonë, me shumë keqardhje konstatohet se nga njëra anë nocioni i “kontrollit të territorit”, përdorur nga Kryeministri, është diçka tjetër, tërësisht i ndryshëm nga termi “dhunimi i truallit” që përdor ministri.

“Dhunimi i truallit” nuk ekziston fare si koncept në funksionimin e shtetit, ndërkohë që mbetet termi më i preferuar i debateve të prishjes së pazareve për sheshe ndërtimi. Kurse, nga ana tjetër, zbërthimi që i ka bërë ministri i Brendshëm idesë së shefit të tij për “kontrollin e territorit” (dhe këtë radhë i duhuri) nëpërmjet policëve në çdo kilometër katror nuk shkon në drejtim të ndërtimit të një shteti sa më afër demokracisë, por në të kundërtën e tij, në atë të ndërtimit të një shteti autoritar policor.

Në kuptimet e shumta dhe të ndryshueshme që ka koncepti “kontrolli i territorit”, ndër të tjera është edhe ai i “kontrollit të aksionit të administratës territoriale për administrimin e territorit”, pra, fuqizimi i pushtetit lokal në territor dhe më pas kontrolli i tij nga pushteti qendror. Sigurisht, sfidat në këtë drejtim janë të mëdha dhe të vështira, por këtu nuk është rasti që nisur nga këto vështirësi, “kontrolli i territorit” sipas Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, të kthehet në një kontroll policor në çdo kilometër katror të vendit.

Një autoritarizëm kaq të fortë, nëpërmjet kontrollit policor të territorit, jashtë çdo demagogjie, tregon njëkohësisht edhe dobësinë e madhe të deritanishme të qeverisë, atë të mungesës së autoritetit të saj real në territor. Tregues ky edhe i pasigurisë që pas dy mandateve qeverisjeje, asaj i mungon legjitimiteti ndaj dhe i duhen më shumë policë e më pak frymëmarrje për administratën territoriale. Loja e pistë me legalizimet si dhe lëvizjet e panumërta të drejtuesve të disa hipotekave pikante vendore japin pastër pikërisht këtë mungesë legjitimiteti që po kërkohet më me shumë policë, pra me më shumë forcë.

Dhe në këtë pikë, qeveria përsëri edhe në këtë fillim të tretë të saj nuk zhgënjeu. Kur lexon prononcimin e ministrit të Brendshëm, për një moment e kalon mendimin shkarazi duke besuar pa asnjë dyshim se ai do të caktojë trupën policore për çdo kilometër katror për të pasur “kontakt me çdo individ të dhunuar” dhe jo me “çdo dhunim të truallit”. Kjo që thekson ai, është e papranueshme. Shqetësimi i tij më i madh është trualli dhe jo qytetari që kërkon siguri në përditshmëri, shenjë kjo më se direkte se çfarë ka prioritet shteti ynë në katër vitet që na presin.

Kontrolli i territorit, në konceptin policor, ka të bëjë me fokusimin e saj në problemet më jetike për të parandaluar gjithçka që shqetëson publikun, shoqërinë. Në kushtet e hemorragjisë së rinisë që largohet pareshtur nga vendi ynë, garantimi i sigurisë në përditshmëri i moshës së tretë që sa vjen e rritet, që ndihet e pasigurt për shkak të kufizimeve moshore, duhet të ishte shqetësimi i parë për ministrin e Brendshëm. Sigurisht, nuk mund të mendohet të mos luftohen ndërtimet pa leje, por rëndësia kaq e madhe që i jep ministri truallit tregon se kjo këmbëngulje bëhet për të rritur të ardhurat në buxhet dhe pavarësisht nga gjithë deklarimet, kjo qeveri tregoi se i ka me shumë qejf të madh ndërtimet.

Ministri foli edhe për tokologjinë e lartë të kontrollit të truallit. Nëse e lidhim këtë deklarim me disa të mëparshme, me siguri bëhet fjalë për “dronët super inteligjentë”, që do të vijnë nga Turqia dhe që sipas disa mediave të huaja janë projektuar nga dhëndri i Presidentit turk. Në këtë rast kemi të bëjmë me një fenomen tjetër. Me atë të “privatizimit të vendimeve me interes publik”. Kompani të mëdha private, me mbështetje politike ndërkombëtare të fuqishme, vetofrohen për interesa të tyre me projekte të gatshme ku qeverisë i duhet të thotë vetëm “po” dhe investimi kryhet aty për aty, sigurisht për interesa lobingjesh. Ky veprim i krijon mundësi qeverisë të sigurojë edhe mbështetje politike ndërkombëtare sepse falas nuk ka.

Pra, vendimin se çfarë do të investojë qeveria shqiptare për teknologjinë e kontrollit të territorit në vend, e ka marrë biznesi turk, kurse qeveria do të bëjë pagesën nga buxheti i parave tona duka na thënë se po aplikon majën e teknologjisë dhe për të mirën tonë. Në thelb, mjafton me kaq për të konkluduar se asnjë ndryshim nuk ka në qeverisje, pavarësisht numrit të madh të “ministreshave”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura