Kontrolle pas masakrës në Selenicë, arrestohen 2 të rinj me armë pa leje

Aug 13, 2018 | 17:28
SHPËRNDAJE

Pas masakrës në Selenicës, kontrollet e policisë në qarkun e Vlorës kanë gjetur dy të rinj me armë pa leje. Ata janë Orgest A. 19 vjeç, banues në Vlorë dhe B.M. 38 vjeç, banues në Tepelenë, të cilët janë vënë në pranga.

WhatsApp Image 2018-08-13 at 17.21.47

“Në kuadër dhe në zbatim të Plan-Masave të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për evidentimin dhe kapjen e ndalimin e personave të cilët posedojnë armë zjarri pa leje, strukturat e kësaj Drejtorie kanë vijuar kontrollet e imtësishme në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë ushtruar kontrolle, në ambjente të hapura, kontrolle ndaj automjeteve dhe personave që dyshohet se mund të posedonin apo qarkullonin me armë, si dhe në lokale e banesa.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, ditën e sotme, Policia e Vlorës, ka evidentuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin, Orgest.A., 19 vjeç, banues në Vlorë.

U krye arrestimi i tij pasi në lagjen “24 Maji”, gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë tip Zastava, pa leje”, njoftoi Policia.

WhatsApp Image 2018-08-13 at 17.21.47 (1)

“Ndërsa një tjetër rast u konstatua ditën e djeshme nga Policia e Sarandës në lagjen ‘Nr.1’, ku gjatë kontrollit në ambjentet e një lokali u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, 3 gramë kanabis dhe u arrestua shtetasi B.M., 38 vjeç, banues në Tepelenë.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, shtuan të njëjtat burime.

Policia e Vlorës njofton se do vijojë kontrollet për të evidentuar e goditur çdo rast të armëmbajtjes pa leje dhe bën një apel për qytetarët:

Fton të gjithë ata që kanë informacion lidhur me veprimtaritë e kundraligjshme, të telefonojnë në numrin 0694110242 ose 112, duke u siguruar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm për goditjen e çdo paligjshmërie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura