Kontroll biznesit të vogël, marrin fatura nga “VIP”-at

May 1, 2016 | 13:42
SHPËRNDAJE

Ministria e Financave, javën e ardhshme do të ketë gati paketën fiskale për bujqësinë, e cila ofron lehtësi për fermerët.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi dje nga Elbasani se të martën firmos paketën fiskale që u lejon fermerëve përdorimin e “cash”-it për shitje të vogla, kërkesën automatike në sistemin e tatimeve për faturat kompjuterike, klasifikimin me risk zero të eksportuesve në bujqësi, të cilët do të përfitojnë rimbursim automatik brenda 30 ditëve.

“Dua të ndaj me ju se unë të martën firmos ndryshimet në paketën e mbështetjes për bujqësinë, ku lejojmë edhe shitjet e vogla me kesh, që ia lehtëson punën bujqësisë. Do të lejojmë edhe mundësinë e kërkesës automatike në Tatime për t’u njohur fatura kompjuterike, dhe do t’i klasifikojmë deri në ditën që ndodh ndryshe dhe gjendet ndryshe nga Tatimet, si kompani me risk 0; që do të thotë se do të përfitojnë automatikisht, pa kontroll, brenda 30 ditëve rimbursimin e TVSH-së ato kompani që eksportojnë.

Pra nuk do të kemi paketë fiskale me ndryshim taksash, do të kemi paketë fiskale vetëm me ndryshim e thjeshtëzim procedurash në favor të sipërmarrjes”, u shpreh Ahmetaj. Ministri i Financave përsëriti edhe një herë angazhimin e qeverisë, që me paketën e re fiskale nuk do të ketë ndryshim taksash, por vetëm thjeshtim procedurash.

Aksioni

Edhe pse aksioni kundër informalitetit është fokusuar në 300 biznese VIP, Tatimet janë duke kontrolluar zinxhirin e tyre tregtar me biznesin e vogël. Ahmetaj informoi se janë duke u kontrolluar 36 mijë biznese të vogla dhe të mesme që kryejnë shitje dhe blerje me biznesin VIP.

“Kemi marrë 300 të mëdhenjtë e Shqipërisë dhe kemi kapilarizuar të gjitha transaksionet me të gjitha bizneset e mesme dhe të vogla në vend dhe na kanë dalë 36 mijë sipërmarrje, që kanë lidhje me 300 të mëdhenjtë, në një mënyrë apo në tjetrën, shitje ose blerje.

Sistemi tashmë na e ka dhënë, që ta kampionizojmë punën tonë në të gjithë vendin dhe nga 300, të marrim një kampion dhe të zbresim në gjeografinë e gjithë Shqipërisë dhe të kemi kampione që do t’i kalojë të tria fazat, qoftë monitorimin nga zyra, pa ardhjen e inspektorit; qoftë thirrjen e sipërmarrësit në zyrat e Tatimeve, qoftë dhe auditimin e thelluar në fazën e tretë, nëse pas të gjitha skanimeve që do të bëjë administrata tatimore, do të dilni me risk të lartë”, tha Ahmetaj.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura