Kontratë me kompaninë greke, Hoxhallarin tashmë e duan në Itali

Nov 19, 2017 | 22:37
SHPËRNDAJE

Kompania që menaxhon trajnerin e Kukësit, Mlladen Milinkoviç, dhe që sezonin e kaluar bashkëpunoi me klubin e Luftëtarit në afrimin e disa lojtarëve, ka marrë së fundmi firmën e mbrojtësit të Tiranës, Erjon Hoxhallari. Lajmi është konfirmuar nga vetë faqja zyrtare e kompanisë greke, “PPA World” që drejtohet nga një prej menaxherëve më të njohur në shtetin fqinj, Paskalis Papadopulos. “Lojtari më i mirë në Shqipëri, me këmbën e majtë do të përfaqësohet nga kompania jonë. Erjon Hoxhallari është një lojtar 22-vjeçar që luan në krahun e majtë të mbrojtjes dhe mesfushës. Ai luan për klubin historik shqiptar, Tirana, dhe prej disa sezonesh po bën një paraqitje mbresëlënëse. Shumë klube italiane po e ndjekin me vëmendje”, citohej në faqen zyrtare të kompanisë së menaxhimit.

hoxhallari

Ndërkohë, “Panorama Sport” mëson se gjatë muajve të kaluar, përfaqësuesit e së njëjtës kompani kanë tentuar të bindin klubin e Tiranës për të transferuar Hoxhallarin tek AEK-u i Athinës. Oferta për bardheblutë ishte që fillimisht mbrojtësi të vinte në formë huazimi dhe AEK-u të jepte vetëm 60 mijë euro. Ndërsa pas sezonit të parë, grekët siguronin të drejtën e blerjes përfundimtare dhe Tirana të mbante 50% të kartonit në rast rishitje. Por, presidenti i 24 herë kampionëve të vendit, Refik Halili, nuk e pranoi këtë ofertë.

Kësisoj, ish-lojtari i Kombëtares Shpresa vazhdoi me Tiranën në Kategorinë e Parë, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet në merkaton e janarit. Mbrojtësi vijon të jetë një nga pikat më të rëndësishme të skuadrës që drejtohet nga Ze Maria. Klubi do të bëjë çmos që ta blindojë atë, pasi në fund të këtij sezoni i skadon edhe kontrata. Nëse firma nuk vjen deri në janar, duket e vështirë që ajo që vijë më tutje. Plani i drejtuesve bardheblu është i qartë, nuk duan që të dalin të humbur nga largimi i këtij “xhevahiri” që kanë në organikë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura