Kontratat e energjisë, shtyhet afati për 50 mijë familje

Feb 12, 2016 | 13:42
SHPËRNDAJE

OSHEE-ja ka shtyrë deri në 30 qershor afatin e rregullimit të kontratave provizore për familjarët dhe biznesin. Ndryshimi i kontratës nga provizore në definitive është pa pagesë. Pas këtij afati abonentët familjarë paguajnë 7 mijë lekë, kurse biznesi 14 mijë lekë. Deri më 30 qershor është shtyrë afati edhe për familjarët që kanë detyrime të mbartura të energjisë.

oshee3Për të gjithë ata familjarë që paguajnë të gjitha detyrimet e papaguara, kamatëvonesa iu falet në masën 70 për qind. Përfitues të këtyre lehtësive do të jetë edhe biznesi. Në rast se ata paguajnë detyrimet e prapambetura, kamatat iu falen 50 për qind. Afatet e amendimit të aktmarrëveshjes shtyhen edhe për familjarët me ndihmë ekonomike deri në 30 qershor.

Në rast se ata janë të rregullt me pagesat e kësteve të energjisë të papaguar dhe i paguajnë rregullisht, iu falen kamatat në fund të vitit në masën 10 lekë. Përfitues të faljes së kamatëvonesave do të jenë edhe ata persona që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, që lidhin për herë të parë një aktmarrëveshje.

Sipas OSHEE-së, atyre do t’u falen kamatat kundrejt pagesës 20 lekë për detyrimet e energjisë së papaguar deri më 30 nëntor 2015, duke e paguar me këste 1200 lekë në muaj dhe që respektojnë ripagesën deri në fund të vitit. Përfitues nga skema e faljes së kamatëvonesave është edhe biznesi i vogël.

OSHEE-ja ka shtyrë deri në mesin e vitit amendimin e aktmarrëveshjes për pagesat me këste të energjisë së prapambetur. Bëhet fjalë për atë biznes të vogël që është debitor vetëm për vlerën e kamatëvonesës deri në datën e shpalljes së vendimit për këtë skemë për herë të parë në nëntor të 2015-s.

Kësaj kategorie kamatat iu falen kundrejt pagesës 100 lekë. Përfitues do të jetë një kategori tjetër e biznesit të vogël. Bëhet fjalë për atë biznes të vogël që ka detyrim të papaguar gjatë viteve 2007-2014 më të vogël se 5 mijë lekë dhe vlera e kamatës është 5 mijë lekë deri në datën e shpalljes së ofertës që ka qenë nëntor 2015.

Kësaj kategorie i falet kamata kundrejt pagesës 1000 lekë, por me kusht që ata të jenë të rregullt deri në qershor të 2016-s për pagesën e kësteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura