Kontrata e re e energjisë, ja kushtet e CEZ për konsumatorët

Dec 11, 2011 | 11:24
SHPËRNDAJE

“Sahatet, të aksesueshëm  në çdo kohë për qytetarët, brenda 2012-s”
Marrëdhëniet mes qytetarëve dhe kompanisë CEZ do të rregullohen që nga një janari i vitit 2012, nga kontrata e re e energjisë, e cila është miratuar prej pak kohësh në Bordin e Komisionerëve. Kjo kontratë, e cila u diskutua për pothuajse një vit me grupet e interesit, ka marrë formën finale të saj ashtu siç do të zbatohet, duke përcaktuar në nene të veçanta detyrimet e palëve ndaj njëra-tjetrës. Kontrata përcakton saktë të gjitha ato pika që shpesh janë bërë pjesë kontestimesh dhe problemesh mes qytetarëve dhe kompanisë së shpërndarjes, siç është cilësia e furnizimit me energji, mbifaturimet, verifikimi individual i sahateve. Kështu, lidhur me cilësinë e tensionit, kontrata përcakton qartë se për kryeqytetin ai duhet të jetë në nivelet plus/minus 5 për qind, për zonat urbane, plus5/minus 15 për qind dhe për zonat rurale, plus 5 /minus 20 për qind. Ndërkohë, kontrata përcakton gjithë hapat që duhet të ndjekë një qytetar për të marrë shërbimin e kompanisë së Shpërndarjes. Kërkesa që bëhet pranë përfaqësive të furnizuesit së bashku me dokumentacionin e nevojshëm. Këtij të fundit i lihet afat 10 ditë për të lidhur energjinë. Po ashtu, edhe për rastet kur qytetarët duan të shkëpusin marrëdhëniet me furnizuesit, përcaktohen procedurat, ku primare është ekzekutimi i gjithë detyrimeve monetare. Nenet e plota të kontratës përcaktojnë se çdo faturim energjie nga ana e furnizuesit do të bëhet në bazë të çmimeve që ka miratuar Enti Rregullator i Energjisë dhe brenda afateve. “Furnizuesi do të bëjë leximin periodik të matësit të energjisë elektrike të Klientit për një periudhë kohore prej 30 ditësh kalendarike, dhe do t’i dërgojë Klientit në adresën e dhënë në kontratë, faturën tip të energjisë elektrike, brenda 10 ditëve nga data e leximit“, thuhet në kontratë. Ndërkaq faturat, sipas marrëveshjes, klientit mund t’i dërgohen në adresën e kontratës, në adresën e një peroni të tretë të përcaktuar si pagues nga klienti. Pikë e rëndësishme që sanksionon kjo kontratë është ajo lidhur me matësit. Gjatë diskutimeve me grupet e interesit, një ndër problematikat e diskutuara ka qenë ajo e matësve të “blinduar“ në kuti metalike, të cilat nuk lejojnë qytetarët që të bëjnë kontroll individual të matësit të tyre. Enti duket se tashmë ka vendosur pikën që do të zgjidhë këtë problem, duke përcaktuar si detyrim që kompania CEZ të mundësojë, t’u sigurojë aksesin te matësi i konsumatorëve brenda fundit të vitit tjetër. “Brenda datës 31 dhjetor 2012, Furnizuesi është i detyruar të sigurojë aksesin e Klientit për leximin e lirë të aparatit matës në çdo kohë“, thuhet në kontratë.

Furnizimi pa ndërprerje
Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë, me kontratën e re i lind detyrimi i furnizimit pa ndërprerje me energji të konsumatorëve, por në raste të jashtëzakonshme, parashikohen dhe përjashtime. Kështu, ndërprerjet mund të jenë për shkak të ngjarjeve natyrore të jashtëzakonshme, nga kërkesat e OST-së, për efekt të garantimit të sigurisë së jetës, apo edhe mirëmbajte rrejti.

Cilësia e tensionit
Për kryeqytetin:
+/-5%

Për zonat urbane:
+5/-15%

Për zonat rurale:
+5/-20%

Disa nga nenet kryesore te kontrates se re te energjise
Neni 3

Dispozita të Përgjithshme
3.1 Kushtet e përgjithshme të përcaktuara në këtë kontratë janë të vlefshme për të gjithë klientët që kërkojnë shërbimin e furnizimit me energji elektrike.
3.2 Klienti nuk mund të japë apo shesë energji elektrike klientëve të tjerë nga rrjeti i tij. Nuk do të konsiderohet si aktivitet shpërndarje i Klientit zotërimi, shfrytëzimi, administrimi dhe kontrolli i pajisjeve të shpërndarjes të vendosura në pronën e tij private, ose në pronën e tij private të dhënë me qira të tjerëve dhe që përdoren vetëm për të transmetuar ose dhënë energji elektrike te personi që i zotëron, shfrytëzon, administron dhe i kontrollon këto mjete.
3.3 Furnizuesi është i detyruar të mbrojë dhe të mos nxjerre të dhënat personale të Klientit. Të dhënat personale të Klientit mund të jepen nga furnizuesi në rastet e mëposhtme:
– Me pëlqimin e Klientit;
– Në rast të respektimit të detyrimeve kontraktuale të furnizuesit në lidhje me përmbushjen e shërbimit të shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike dhe/ose arkëtimin e detyrimeve.
– Në zbatim të legjislacionit në fuqi.
Neni 4
Lidhja e Kontratës
4.1 Klienti që kërkon lidhjen e kontratës duhet të depozitojë një kërkesë me shkrim pranë çdo përfaqësie të Furnizuesit.
4.2 Ka të drejtë të kërkojë lidhjen e kontratës për furnizimin me energji elektrike çdo subjekt që nuk është debitor ndaj Furnizuesit dhe që ka një pikë lidhjeje të miratuar me rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike, sipas përcaktimeve të bëra në Rregulloren e Lidhjeve të Reja.
4.3 Furnizuesi pasi ka kontrolluar dhe verifikuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar, nënshkruan kontratën me Klientin brenda një muaji nga marrja e kërkesës së Klientit.
4.4 Nëse kërkesa e Klientit nuk është e shoqëruar me dokumentacionin e plotë, Furnizuesi brenda 15 ditësh do të njoftojë Klientin për mungesat e konstatuara. Klienti duhet të paraqesë dokumentacionin e munguar brenda 15 ditësh kalendarike nga momenti i njoftimit. Kërkesa do refuzohet në rast mosplotësimi të këtij dokumentacioni. Furnizuesi duhet të njoftojë Klientin në çdo rast për pranimin ose jo të kërkesës së tij.
4.5 Për një objekt i cili është furnizuar më parë me energji elektrike, Furnizuesi do të sigurojë lidhjen e kontratës së re brenda 10 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës nga ana e subjektit të interesuar.
Neni 5
Pezullimi dhe Përfundimi i Kontratës
5.1 Kontrata e furnizimit lidhet për një periudhë të pacaktuar dhe mund të ndërpritet vetëm në rastet e parashikuara si më poshtë:
5.1.1 Me kërkesë të Klientit, pas ekzekutimit të të gjitha detyrimeve monetare dhe në bazë të kushteve të përcaktuara në nenin 5.2 e në vijim.
5.1.2 Me iniciativën e Furnizuesit, në rast të shkeljes nga ana e Klientit të detyrimeve thelbësore të kontratës. Do të konsiderohen shkelje thelbësore të kushteve të kontratës nga ana e Klientit rastet si më poshtë:
a- Nëse Klienti nuk paguan detyrimet e energjisë elektrike, duke përfshirë edhe kamatëvonesën brenda 1 muaji pas ndërprerjes së energjisë elektrike.
b- Nëse provohet nga Furnizuesi që Klienti merr energji elektrike në mënyrë të paligjshme.
c- Nëse Klienti, në mënyre të përsëritur, nuk i krijon akses Furnizuesit për më shumë se 3 muaj për leximin e verifikimin e matësve dhe instalimeve, kur matësi apo sistemi i matjes është brenda kufijve të pronës të tij.
5.2 Nëse Klienti kërkon të ndërpresë Kontratën e Furnizimit me Energji Elektrike, ai do të njoftojë me shkrim Furnizuesin 30 ditë kalendarike përpara, dhe do të likuidojë të gjitha detyrimet përkundrejt Furnizuesit. Klientit do t’i jepet konfirmimi për arkëtimin e tarifës së ndërprerjes së kontratës (mandati përkatës i arkëtimit). Klienti nuk është përgjegjës për detyrimet ndaj Furnizuesit pas kalimit të afatit të mësipërm.
5.3 Sipas të njëjtave përcaktimeve, Klienti mund të kërkojë pezullimin e kontratës për një periudhë të caktuar sipas kërkesës së tij. Furnizuesi do të bëjë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike sipas procedurave dhe kushteve të përcaktuara për këtë qëllim. Klienti do bëjë kërkesë për rilidhjen e energjisë pranë çdo përfaqësie të Furnizuesit.
5.4 Me ndërprerjen e kontratës së furnizimit me energji elektrike, Furnizuesi do të ndërpresë menjëherë furnizimin e energjisë elektrike në pikën e lidhjes. Me ndërprerjen e lidhjes, Furnizuesi do të bëjë leximin dhe do të llogarisë faturën e fundit, si edhe do të vulosë pikën e shkëputjes, duke përdorur një vulë të ndryshme nga ajo e lidhjes ne përputhje me legjislacionin në fuqi.
5.5 Klienti është përgjegjës për ekzekutimin e detyrimeve që lidhen me konsumin e energjisë elektrike deri në momentin e përfundimit të kontratës.
Neni 6
Çmimi i Energjisë Elektrike
6.1 Në bazë të legjislacionit në fuqi që rregullon sektorin e energjisë elektrike, çmimi i energjisë elektrike përcaktohet nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Çmimi, përbërësit e tij, struktura tarifore orare, apo sipas nivelit të konsumit, i bëhen të ditur Klientit në faturën e konsumit të energjisë elektrike.
6.2 Ndryshimet e çmimit të energjisë elektrike bëhen me vendim të ERE-s. Palët në kontratë bien dakord që çdo ndryshim i çmimit i bërë me vendim të ERE –s do të aplikohet automatikisht në kontratë. Furnizuesi e publikon vendimin për ndryshimin e çmimit nëpërmjet mjeteve të ndryshme të informimit të paktën 15 ditë kalendarike përpara aplikimit.
Neni 7
Leximi i Matësit dhe Faturimi i Energjisë Elektrike
7.1 Furnizuesi do të bëjë leximin periodik të matësit të energjisë elektrike të Klientit për një periudhë kohore prej 30 ditësh kalendarike dhe do t’i dërgojë Klientit në adresën e dhënë në kontratë, faturën tip të energjisë elektrike, brenda 10 ditëve nga data e leximit.
7.2 Çdo faturë e energjisë elektrike duhet të përmbajë minimalisht:
– Të dhënat teknike mbi pikën e lidhjes;
– Të dhëna identifikuese të Klientit;
– Data e leximit;
– Periudha e faturuar;
– Leximi i matësit dhe konsumi përkatës për periudhën e faturuar;
– Çmimi për njësi sipas strukturës së tarifave dhe përbërësit e tij;
– Shuma në lekë që i korrespondon periudhës së faturimit;
– Shumat e taksave që i korrespondojnë sipas legjislacionit në fuqi;
– Data limit e pagimit të faturës;
– Kamatëvonesa e aplikuar për çdo dite vonesë;
– Penalitetet e mundshme për pagesë të vonuar;
– Vlera e detajuar e debisë së Klientit;
– Informacione të nevojshme për Kujdesin ndaj Klientit (përfshirë website i kompanisë, numrat e telefonit, e-mail për ankesat, për defektet si dhe të ERE).
7.3 Brenda datës 31 dhjetor 2012, Furnizuesi është i detyruar të siguroje aksesin e Klientit për leximin e lirë të aparatit matës në çdo kohë.
7.4 Furnizuesi do të sigurojë aksesin online të faturës së konsumit për çdo Klient, duke garantuar konfidencialitetin e të dhënave të Klientit dhe faturimit.
Neni 8
Faturimi i energjisë elektrike gjatë mosfunksionimit të aparatit matës
8.1 Faturimi i energjisë elektrike për ditët që Klientit i është hequr aparati matës për shkak të kontrollit periodik me kërkesë të Klientit apo Furnizuesit, ose në rast të mosfunksionimit të aparatit matës, do të bëhet bazuar në konsumin mesatar ditor të muajit paraardhës, por jo më shumë se 30 ditë.
8.2 Nëse Furnizuesi nuk respekton afatin 30-ditor për vendosjen e matësit të rregullt, atëherë përgjegjësia është e Furnizuesit dhe faturimi për ditët pa matje tej këtij afati do të jetë zero.
Neni 9
Pagesa dhe afati për kryerjen e saj
9.1 Klienti do të paguajë detyrimin e përcaktuar në faturën mujore të konsumit të energjisë elektrike (titull ekzekutiv) si dhe kur është rasti, kamatëvonesat përkatëse dhe pagesën e rilidhjes së energjisë, jo më vonë se ditën e fundit kalendarike të muajit pasardhës të atij të faturuar.
9.2 Klienti mund të zgjedhë mënyrën e pagesës së faturës mujore të energjisë elektrike me një nga mundësitë që Furnizuesi ka ofruar (nëpërmjet pagesës së drejtpërdrejtë në Zyrat e Furnizuesit, bankave, zyrave postare, apo nëpërmjet pagesave të drejtpërdrejta nga llogaritë bankare).
9.3 Të gjitha pagesat sipas kushteve të kësaj Kontrate duhet të përmbajnë të dhënat siç janë, numri i transfertës bankare, numri i llogarisë, dhe të gjitha të dhënat e përcaktuara në faturën e energjisë elektrike, në mënyrë të veçantë numrin e kontratës, numrin e faturës dhe emrin e klientit.
9.4 Sipas Marrëveshjes me Klientin, faturat mund të dërgohen:
– Klientit, në adresën e përcaktuar në kontratë;
– Në adresë të një personi të tretë, i cili është përcaktuar si pagues nga Klienti sipas pëlqimit të tij.
9.5 Në të gjitha rastet, Klienti është përgjegjës për pagesën e plotë të të gjitha faturave. Në rast se Klienti ndërron vendbanim pa njoftuar, ai është përgjegjës për mospagesat e faturave të energjisë.
9.6 Palët bien dakord që në rast të pagesave të paidentifikuara të bëra nga Klienti apo mbipagesave të tjera të faturës/ave, Furnizuesi ka të drejtë të balancojë detyrimet aktuale apo të mbartura të Klientit, dhe shuma përkatëse të konsiderohet si parapagesë e detyrimeve të muajit pasardhës të Klientit.
Neni 10
Kamatëvonesa për pagesë të vonuar
Pas kalimit të afatit të pagesës caktuar, në nenin 9.1, Klienti është i detyruar të paguajë një kamatëvonesë të barabartë me 0.1 % të vlerës së faturës për çdo ditë vonesë, por jo më shumë se vlera totale e vetë faturës.
Neni 11
Pasojat e mospagesës
11.1 Në mungesë të pagesës nga Klienti të faturës brenda 30 ditëve nga kalimi i afatit të caktuar për pagesë sipas neneve 9.1 dhe 10, Furnizuesit i lind e drejta që të bëjë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të Klientit, pasi e ka lajmëruar me shkrim këtë të fundit 48 orë përpara. Furnizuesi është i detyruar që të bëjë rilidhjen brenda 48 orësh nga kryerja e pagesës nga Klienti.
11.2 Në rastet e mësipërme, njoftimet bëhen në adresën e përcaktuar në kontratë.
11.3 Nëse Klienti nuk paguan detyrimin që ka ndaj furnizuesit brenda 1 muaji nga data e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike, sipas nenit 11.1, atëherë Furnizuesi ka të drejtë të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e furnizimit me energji elektrike. Në këtë rast, Furnizuesi vepron sipas përcaktimeve të nenit 5.4 të kësaj Kontrate.
Neni 12
Ankimi për faturimin dhe kushtet e furnizimit të energjisë elektrike
12.1 Klienti ka të drejtë të paraqesë një ankim pranë Furnizuesit për çdo veprim apo mosveprim të Furnizuesit që lidhet me drejtat e detyrimet e përcaktuara në këtë Kontratë, me shkrim, me gojë, me telefon (Call Center) ose në rrugë elektronike.
12.2 Furnizuesi do të trajtojë çdo ankesë në përputhje me Rregulloren e trajtimit të ankesave, të miratuar nga ERE. Kjo Rregullore bëhet publike në zyrat ku bëhen pagesat e energjisë elektrike, apo në Zyrat e Kujdesit ndaj Klientit dhe në faqet elektronike të Furnizuesit apo të ERE-s.
12.3 Në rast se Furnizuesi nuk i kthen përgjigje për ankesën Klientit brenda afatit të përcaktuar në Rregulloren e mësipërme, apo nëse Klienti nuk është dakord me përgjigjen e dhënë prej Furnizuesit, atëherë ai ka të drejtë të paraqesë ankesën në ERE, sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloret përkatëse të ERE-s.
12.4 Klienti mund të kundërshtojë në çdo kohë faturën e lëshuar nga Furnizuesi, por jo me vonë se 1 vit nga data e lëshimit të saj, si në rast kur dyshon në saktësinë e faturimit, gabime të tjera të konstatuara në faturë apo pasaktësi në sistemin e matjes.
12.5 Në rast se pas verifikimeve të Furnizuesit, rezulton se konsumatori është mbifaturuar, atëherë Furnizuesi:
i. anulon faturën përkatëse dhe lëshon faturën e korrektuar, ii. në rast se është kryer pagesa, realizon kompensimin përkatës në faturën e Klientit brenda 3 muajve pasardhës.
Në rast të moskompensimit brenda afatit të përcaktuar më sipër, Furnizuesi duhet të kompensojë Klientin, me një penalitet 0.1 % në dite, për çdo ditë vonesë, mbi vlerën e diferencës për t’u korrigjuar, e zbritshme në faturën pasardhëse.
12.6 Për faturat e kontestuara nga Klienti, që rezultojnë me faturime dukshëm më të mëdha se faturimet mesatare mujore të tij, (të krahasueshme, ose më shumë se trefishi i faturimit mesatar mujor), Furnizuesi pezullon faturën dhe realizon me procedurë të përshpejtuar verifikimin, anulimin dhe nxjerrjen e faturës së korrigjuar brenda 10 ditëve.
Neni 14
Kontrolli i sistemit matës
14.1 Kontrolli i sistemit të matjes bëhet në prezencë të Klientit, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon sektorin e energjisë elektrike.
14.2 Kur konstatohet pasaktësi në matje, palët do t’i referohen procedurave për kompensim, të parashikuara nga Kodi i Matjes. 14.3 Në rast të ndërhyrjeve në sistemin e matjes nga Klienti, me qëllim të manipulimit apo mosregjistrimit të saktë të energjisë së konsumuar, ndaj tij do të procedohet sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Neni 15
Furnizimi dhe karakteristikat e energjisë elektrike
15.1 Furnizuesi do të sigurojë furnizimin të pandërprerë dhe me cilësi të energjisë elektrike. Furnizuesi mund të ndërpresë furnizimin e energjisë elektrike në rastet e mëposhtme:
a. Për shkaqe të forcës madhore – ndërprerje të shkaktuara nga ngjarje të jashtëzakonshme natyrore dhe përcaktimeve të tjera sipas ligjit.
b. Ndërprerje për shkak të urdhrave të Operatorit të Sistemit të Transmetimit;
c. Për efekt të garantimit të sigurisë së jetës, shëndetit dhe pasurisë së personave;
d. Ndërprerje të planifikuara për kryerjen e punimeve të mirëmbajtjes, remonteve të programuara të linjave dhe pajisjeve të Sistemit të Shpërndarjes, duke njoftuar paraprakisht sipas afateve të përcaktuara në Rregulloren e Cilësisë së Shërbimit;
e. Ndërprerje të paplanifikuara (të shkurtra apo të gjata) – për shkak të defekteve dhe dëmtimeve të linjave dhe pajisjeve të Sistemit të Shpërndarjes.
15.2 Furnizuesi nuk mban përgjegjësi për ndërprerjet e parashikuara në germat “a”, “b”, “c”, të këtij neni. Për ndërprerjet e parashikuara në germat “d” dhe “e” të pikës 15.1, Furnizuesi është i detyruar të respektojë normat dhe procedurat e përcaktuara në Rregulloren “Për Kushtet Minimale të Cilësisë së Shërbimit të Shpërndarjes dhe Shitjes së Energjisë Elektrike”, të miratuar nga ERE.

15.3 Në rast të mosrespektimit të normave dhe procedurave të përcaktuara në rregulloren “Për Kushtet Minimale të Cilësisë së Shërbimit të Shpërndarjes dhe Shitjes së Energjisë Elektrike”, Furnizuesi është përgjegjës për kompensimin e Klientit, sipas kërkesës së këtij të fundit, në përputhje me procedurën dhe masën e kompensimit, të përcaktuara në rregulloren e mësipërme.
15.4 Në asnjë rast përfitimi i kompensimit nga ana e Klientit, kur plotësohen kushtet e nenit 15.3, nuk e përjashton të drejtën e Klientit për të kërkuar në rrugë gjyqësore dëmin efektiv të shkaktuar.
15.5 Furnizuesi do të respektojë parametrat e cilësisë së tensionit, sipas Kodit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me këto devijime të lejuara:
? Për kryeqytetin : +/-5%
? Për zonat urbane : +5/-15%
? Për zonat rurale : +5/-20%
15.6 Furnizuesi është përgjegjës për dëmet që mund t’i shkaktohet Klientit për shkak të devijimeve të tensionit në kundërshtim me normat e furnizimit të përcaktuara në pikën 15.5 dhe akteve të tjera në fuqi, në rast se këto dëme vijnë si rezultat i një veprimi apo mosveprimi të drejtpërdrejtë apo me faj të tij.
15.7 Përcaktimi i dëmit efektiv të shkaktuar Klientit në rastet e pikës 15.6 bëhet me marrëveshje midis palëve ose në rrugë gjyqësore.
Neni 17
Ndryshimet e kontratës
17.1 Kushtet e përgjithshme të Kontratës së Furnizimit me energji elektrike janë subjekt i ndryshimeve nga ana e ERE-s, sipas të njëjtës procedurë të miratimit të tyre. Furnizuesi njofton çdo Klient mbi ndryshimet e bëra në Kontratë 30 ditë para hyrjes në fuqi të saj.
17.2 Kjo kontratë hyn në fuqi në datën e përcaktuar nga ERE dhe kushtet e saj bëhen të aplikueshme automatikisht për të gjithë konsumatorët tariforë.
17.3 Në rast të kontestimit të këtyre kushteve nga ana e Klientit, ai mund të heqë dorë nga Kontrata pa asnjë penalitet, pasi ka ekzekutuar më parë të gjitha detyrimet.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Kjo kontratë hyn në fuqi më datë 1 janar 2012.

Kamatëvonesa për faturat e papaguara të energjisë tani 0.1 %

Vonesat në pagesën e faturave të energjisë do të shoqërohen me kamatëvonesa. Kontrata e re e energjisë ka ruajtur këtë si pikë nga kontrata e vjetër, por ka ndryshuar disa shifra. E para, kamatëvonesa është zvogëluar si përqindje në 0.1 për qind e vlerës së faturës në ditë, nga 0.5 për qind e vlerës së faturës që ishte më parë. E dyta, është rritur limiti i kamatëvonesës nga më pak se 50 për qind e vlerës së faturës që ishte niveli maksimal në kontratën e vjetër, në të renë ky limit është rritur. “Pas kalimit të afatit të pagesës Klienti është i detyruar të  paguajë një kamatëvonesë të barabartë me 0.1 % të vlerës së faturës për çdo ditë vonesë, por jo më shumë se vlera totale e vetë faturës”, thuhet në nenin e dhjetë të kontratës. Afatet e pagesave të faturave janë një tjetër pikë që rregullon kjo kontratë. Qytetarëve iu lihet afat që të paguajnë faturën e energjisë, jo më vonë se ditën e fundit kalendarike të muajit pasardhës të atij të faturuar. Nëse pagesa e faturës nuk bëhet pas 30 ditësh nga kalimi i afatit të përcaktuar, atëherë CEZ ka të drejtë që të ndërpresë energjinë, por paraprakisht duhet të ketë paralajmëruar me shkrim klientin 48 orë para. Nëse edhe pas një muaji nga ndërprerja e energjisë klienti nuk e ka bërë pagesën, atëherë kompania e shpërndarjes së energjisë ka të drejtë që të zgjidhë kontratën me këtë konsumator. Kontrata saktëson dhe pjesën e ankimimit. Ka pasur jo pak raste kur qytetarët janë ankuar për mbifaturime. Për ata që kanë ankesa lidhur me faturimet, duhet fillimisht të ndjekin procedurën përkatëse që fillon me dorëzimin e një ankese pranë furnizuesit. Nëse ai nuk merr një përgjigje brenda afatit nga ky i fundit, atëherë ai duhet të paraqesë ankimimin e tij pranë ERE-s. Në rast se furnizuesi verifikon gabimin në mbifaturim, atëherë ai lëshon faturë të re dhe pezullon atë të gabuar dhe brenda tre muajve kryen kompensimin e qytetarit në energji, nëse fatura është paguar, nëse ajo nuk është paguar, atëherë ajo pezullohet. Për rastin e kompensimit me energji, kontrata përcakton se furnizuesi duhet të zbatojë afatet ose në të kundërt, ai penalizohet me 0.1 % në dite, për çdo ditë vonesë, mbi vlerën e diferencës për t’u korrigjuar, e zbritshme në faturën pasardhëse.

Të mërkurën ERE vendos për çmimin
Enti Rregullator i Energjisë pritet që të vendosë këtë të mërkurë çmimin e energjisë për operatorët e tregut për vitet në vijim. Kërkesat e “CEZ Shpërndarje”-s, KESH-it dhe OST-së janë trajtuar në disa dëgjimore publike të zhvilluara nga ERE, ndërkohë që tashmë mbetet vetëm pak kohë nga marrja e vendimit. Deri më tani ERE ka miratuar planin e investimeve të OST-së dhe të KESH-it, ndërkohë që për CEZ ka kërkuar shpjegime mbi dy pika të këtij plani. Nga ERE u dha sinjali se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për konsumatorin final dhe kjo duket se do të kalojë si barrë mes operatorëve dhe rritja e çmimit të energjisë për biznesin në orët e pikut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura