Konte, titulli kampion sjell rinovim me rritje page. Zbardhet projekti dhe objektivi i Interit për sezonin e ardhshëm

Apr 6, 2021 | 11:15
SHPËRNDAJE

Ndërprerja e një dominimi absolut që zgjat prej nëntë sezonesh përfaqëson një arritje jo të vogël, por me shumë mundësi ende jo të mjaftueshme për Antonio Konten. Raporti i tij me fitoren është i veçantë, fakti që nuk kënaqet asnjëherë i ndalon të ulet, të reflektojë, të marrë frymë dhe të shijojë të mirat që ka bërë dhe po bën.

inter

Është i ndërtuar në këtë mënyrë, kjo është ADN-ja e fituesve. Dhe me siguri nuk do të përmendë asnjëherë fjalën “titull” deri kur matematika të mos jetë vetëm një çështje milimetrash, por kush nuk beson te besëtytnitë mundet ta mendojë: mjafton pak për të parë Interin kampion të Italisë për herë të parë nga viti 2010. Nëse të mërkurën do të regjistroheshin tri pikë të tjera me Sasuolon, do të mjaftonin edhe 16 për të festuar. Ose, më saktë, pesë fitore dhe një barazim në nëntë javët e mbetura për të mbyllur bukur sezonin e tij të dytë në Milano: gjithçka sipas planeve, duke respektuar rritjen e shpejtë që pronësia priste nga 31 maji i 2019-ës, dita e parë zikaltër e Kontes.

inter

BERGAMO, NJË JETË MË PARË – Kaosi dhe polemikat lidhur me përfundimin e kampionatit të kaluar (1 gusht 2020, 0-2 në fushën e Atalantës) duken vite drite larg. Në atë moment Konte ndodhej një hap larg largimit për shkak të një pakënaqësie të përgjithshme që nuk hezitoi të bënte publike. Sot, tetë muaj larg, bota është përmbysur dhe mënyra e tij e “të qenit interist” është gjithmonë e më e dukshme. Dhe jo vetëm në festime. Titulli është pranë: fitorja në vitin e dytë pasi i shkoi pranë në të parin konfirmon rëndësinë e punës së tij. Ende jo Europën, për të fituar edhe një bast me të kaluarën. Më saktë konceptin “bravo brenda kufijve, por jashtë…”. Me Interin i shkoi pranë Ligës së Europës, në këtë sezon njolla i takon natës së 9 dhjetorit dhe atij barazimi 0-0 brenda fushe me Shahtjor Donjeckun që përkoi me vendin e katërt në Grupin B të Ligës së Kampioneve. Me një këndvështrim mund të shihet si një “asist” për të ardhmen: pas titullit, që duket pranë, Interi duhet të synojë Europën e madhe.

CONTE

PËRFORCIM PËR EUROPËN – Kontrata është e vlefshme deri më 30 qershor 2022, paga pritet të rritet nga 11 në 13,5 milionë euro neto. Trajneri është i lumtur në “Appiano Gentile”, edhe për një raport me futbollistët që e konsideron “special”. Do të nisë vitin e tretë me akoma më shumë motivim, me objektivin për të komanduar në Itali dhe për të hapur rrugë në Champions: kalimi i grupit do të jetë objektivi minimal, faza me eliminim direkt do të varet nga faktorë të ndryshëm, një pjesë e madhe jo të llogaritshëm në fillim. Momentalisht nuk ka një datë të vendosur për takimin me drejtuesit, e lehtë të mendohet një programim në fund të sezonit, për të evituar që sezoni 2021-’22 të nisë në skadencë kontrate.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura