Kontaktet dhe “ndërmjetësi” i tyre, “NYT” investigim për lidhjet e Ramës me ish-zyrtarin e FBI-së: Ja takimi me prokurorin për hetimin e lobistit të kundërshtarit të kryeministrit  

Feb 4, 2023 | 7:25
SHPËRNDAJE

Media prestigjioze amerikane, New York Times ka bërë një investigim për lidhjet e kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, McGonigal, nga nisja e kontakteve dhe ndërmjetësi që zhvilloi takimin mes tyre.

edi rama

NYT shkruan se, McGonigal nisi kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ndërmori hapa për favorizimin e tij, gjatë kohës që ishte ende pjesë e FBI-së, sipas prokurorëve në Uashington. Rama e ka portretizuar veten si një reformator dhe ka dalë kundër luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton New York Times.

Por pas daljes në pension në vitin 2018, McGonigal punoi në anën tjetër, për oligarkun rus të sanksionuar, Oleg Deripaska, që dikur shihej si anëtar i rrethit të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin, sipas aktakuzës së ngritur në New York ndaj McGonigal dhe Sergej Shestakov.

Pas ngritjes së akuzave, avokati i McGonigal, Seth D. DuCharme, tha se ky i fundit i kishte “shërbyer Shteteve të Bashkuara me aftësi, në mënyrë efektive, për dekada”.

Krimet për të cilat McGonigal akuzohet datojnë që nga gushti 2017, por vlerësohet se hetimet do të shtrihen më tej, thanë ish-zyrtarët.

Gatishmëria e McGonigal për t’u takuar me kreun e qeverisë në Shqipëri, një vend ku ka një prani diplomatike amerikane, tregon se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje, shkruan media amerikane duke cituar burimet e saj.

Ai gjithashtu përdori adresën e e-mail të FBI dhe telefonin për çështjet që lidheshin me Shqipërinë, tha një burim nga hetimi për NYT.

Por çfarëdo preteksti zyrtar që mund të ketë përdorur McGonigal për udhëtimet, kjo mund t’i ketë shërbyer gjithashtu si mbulesë për aktivitete më të diskutueshme, thanë burime të tjera.

Fakti që krimet e dyshuara ndodhën pak përpara daljes në pension të tij, ngre dyshimet se McGonigal mund të ketë filluar ose rritur aktivitetet e paligjshme pas kryerjes së testeve të fundit të poligrafit.

Aktakuza detajon se si, gjatë dy viteve, McGonigal ka dhënë informacione të rreme financiare në F.B.I.

Në formularë nuk deklarohej pagesa nga një biznesmen i New Jersey, i cili ishte ish-punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare, si dhe udhëtime ndërkombëtare falas.

Prokurorët thanë se McGonigal gënjeu gjithashtu për destinacionet e tij të udhëtimit dhe ndërveprimet me të huajt në formularët që ai duhej të plotësonte dhe ndërmori veprime që kanë rënë në kundërshtim me detyrat e tij qeveritare.

Në gusht 2017, sipas prokurorëve, ai u takua me Agron Nezën, ku në padi është përshkruar si Personi A.

Përveç oligarkut Deripaska, personat e përmendur në aktakuzat e McGonigal nuk janë përmendur me emra.

New York Times i identifikoi ata përmes të dhënave publike dhe burimeve të brendshme nga hetimi.

59 vjeçari Neza, ka lindur në Shqipëri dhe është punësuar nga një agjenci inteligjence atje disa dekada më parë, shkruan NYT.

Më vonë, u transferua në Shtetet e Bashkuara, në veri të New Jersey dhe u bë shtetas amerikan. Ndaj tij nuk janë ngritur akuza.

Në takimin e gushtit 2017, McGonigal i kërkoi para Nezës, sipas prokurorëve. Por nuk dhanë detaje se si u takuan McGonigal dhe Neza. Në aktakuzën e ngritur, Neza përmendet si miku i McGonigal.

Në muajt pasi McGonigal i kërkoi para, ata bënë udhëtime të shumta në Evropë, ku McGonigal përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për Nezën.

Në shtator 2017, ish-zyrtari i FBI dhe Neza udhëtuan për në Shqipëri, thanë prokurorët.

Neza e prezantoi McGonigal me Dorian Duckën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit Rama.

Ducka, i përshkruar në aktakuzë si Personi B, takoi McGonigal me Ramën.

McGonigal është përpjekur të bindë kryeministrin shqiptar drejt dhënies së një licence për shpime nafte një subjekti të lidhur me Nezën dhe Duckën, pretenduar prokurorët.

McGonigal gjithashtu u përpoq të ndihmonte Nezën që të bënte marrëveshje me një politikan dhe biznesmen shqiptar, i cili dëshironte që FBI të niste një hetim për atë që e konsideronte si “komplotin e jetës së tij”.

Pasi takoi këtë politikan, McGonigal organizoi një udhëtim të mëvonshëm jashtë shtetit, ku një prokuror amerikan do ta merrte në pyetje në Austri, duke përdorur Nezën si përkthyes të tij.

Por prokurorët pretendojnë se ky takim ishte një mashtrim, nuk kishte asnjë procesverbal zyrtar të marrjes në pyetje dhe se Neza nuk ishte paguar për punën.

Në të njëjtën ditë, McGonigal dhe Neza udhëtuan për në Shqipëri, ku u takuan me politikanin dhe diskutuan për mundësi biznesi.

Atë vjeshtë, Neza i dha McGonigal 225.000 dollarë kesh në tre këste, sipas aktakuzës.

Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në New York City dhe të tjerat në shtëpinë e tij në New Jersey, thanë prokurorët. McGonigal premtoi se do t’i kthente paratë.

Prokurorët nuk e kanë akuzuar McGonigal për marrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave.

Në nëntor, pasi McGonigal u takua përsëri me kryeministrin Rama dhe Duckën në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i Ramës kishte punësuar për të fituar mbështetje nga Presidenti Donald J. Trump.

Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.

Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë kundërshtare të Ramës.

Partia drejtohej nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i Trump.

Në fillim të vitit 2018, Neza vazhdoi t’i jepte McGonigal informacione për Muzin, disa prej të cilave erdhën drejtpërdrejt nga zyra e Ramës, sipas aktakuzës së Uashingtonit.

McGonigal më pas ua kalonte informacionin të tjerëve në FBI.

Në fund të shkurtit, FB. hapi zyrtarisht një hetim për lobistin “me kërkesën e të pandehurit McGonigal dhe me udhëzimin e tij”, sipas aktakuzës.

Sipas gazetës amerika, Neza ishte ndër burimet konfidenciale që dhanë informacione gjatë hetimit të FBI-së për lobistin, ndërsa Ducka pagoi dëshmitarët për të udhëtuar nga Evropa në Amerikë për të zhvilluar një takim me F.B.I., thuhet në aktakuzë.

Por McGonigal, nuk tregoi në asnjë moment për kontaktet që kishte me Duckën apo Nezën, thanë prokurorët.

Në muajt e tij të fundit të punës në F.B.I., McGonigal bëri përpjekje për të ndihmuar Nezën.

Ai u takua në Gjermani në prill 2018 me dy persona nga Bosnja dhe Hercegovina, thanë prokurorët, njëri prej të cilëve, i përshkruar në aktakuzë si Personi C, ishte këshilltar i një zyrtari të lartë boshnjak.

Tjetri, personi D, kishte themeluar një kompani farmaceutike.

Ata i kërkuan McGonigal t’i ndihmonte të takoheshin me ambasadorin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara ose me një diplomat tjetër për të diskutuar marrjen e mbështetjes amerikane për një çështje politike që nuk specifikohet në aktakuzë.

McGonigal i propozoi Nezës që të negocionte për të marrë 500.000 dollarë nga kompania farmaceutike në këmbim të zhvillimit të këtij takimi diplomatik.

Në një mesazh, ai i kërkoi Nezës që të “mbronte” emrin e tij gjatë përpjekjes për të bërë marrëveshjen, sipas aktakuzës.

Dy personat vazhduan me planin dhe McGonigal u përpoq të organizonte takimin diplomatik, thuhet në aktakuzë. Në padi nuk zbulohet nëse është kryer pagesa apo është mbajtur takimi.

Pas largimit nga FBI, McGonigal punoi për oligarkun rus të saksionuar Deripaska.

McGonigal nisi kontaktet me Deripaska paj kohë përpara se të largohej nga FBI.

Në vitin 2018, ai ndihmoi vajzën e një punonjësi të Deripaskës të bënte stazhin në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, sipas aktakuzës.

McGonigal i shpjegoi një tjetër zyrtari të FBI, se babai i vajzës ishte një oficer i inteligjencës ruse që ai donte ta rekrutonte, thanë prokurorët.

Në vitin 2019, pas daljes në pension, McGonigal e çoi Deripaskën në një firmë ligjore që do të kërkonte heqjen e sanksioneve ndaj tij. Ndërsa McGonigal do të paguhej 25.000 dollarë në muaj deri në mars 2020 nga Deripaska përmes firmës ligjore si konsulent.

Në vitin 2021, McGonigal dhe bashkëpunëtori i tij, Shestakov, negociuan një marrëveshje me punonjësin e Deripaska, vajza e të cilit mori praktikën në polici, për të punuar për biznesmenin rus që të hetonin një oligark rival.

Gonigal dhe Shestakov u paguan 218,000 dollarë për 3 muaj nga një kompani gazi në Qipro përmes një banke ruse.

McGonigal mori pagesat përmes kompanisë së një miku në Neë Jersey, duke falsifikuar firmën e tij në kontratë, thanë prokurorët.

Ai mik ishte Neza, biznesmeni me origjinë shqiptare që është në qendër të akuzave të ngritura nga prokurorët e Uashingtonit, sipas një burimi nga hetimi.

Por Neza me sa duket nuk ishte në dijeni të punës së tij për Deripaska.

Kur Neza pyeti për burimin e transfertave bankare nga një bankë ruse, McGonigal iu përgjigj se ai kishte bërë një punë “legjitime” për “një djalë të pasur rus”.

Neza pranoi që kishte bërë transferimin e parave.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura