Kontakt i papërshtatshëm/ Kush është biznesmeni, që po bëhet problem për anëtarin e Kushtetueses. Çfarë i detyrohet atij

Nov 7, 2019 | 11:55
SHPËRNDAJE

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, po përballet me Kolegjin e Apelimit në kuadër të procesit të vetingut.
Besnik-Muci-2-675x450

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe figurën morale.

Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore. “News 24” ka mësuar se bëhet fjalë për biznesmenin Armand Lilo, pronar i kompanisë së ndërtimit “Arlis shpk” në Tiranë, person që sipas Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, rezulton me probleme ligjore.

Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Lilo shumën prej 21 mijë euro, pasi tek ai ka blerë një banesë. Kontakti me ketë person konsiderohet si i papërshtatshëm.

Anëtari i Kushtetueses tha se Lilo është taksapaguesi më i madh i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj. Muçi tha se nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni që ai kishte probleme me ligjin.

VETINGU

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, aktualisht i sapoemëruar gjyqtar i Kushtetueses, Besnik Muçi, kaloi me sukses vetingun në korrik të 2018-ës, ku u konsiderua i përshtatëm në të tria kriteret për vazhdimin e detyrës.

Pak muaj më vonë nga ky vendim pozitiv i Shkallës së Parë të procesit të rivlerësimit, komisionerët publikë animuan vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Ankimit, duke pretenduar se Muçi nuk arrinte nivelin e besueshëm në kriterin e pasurisë.

Gjatë procesit në KPA, Besnik Muçi u ngarkua edhe me një gjetje, një raport të DSIK për kontakte të papërshtatshme. Në mbrojtjen e tij, Muçi ka rrëzuar të gjitha pretendimet e Komisionerit dhe dorëzoi para Kolegjit një sërë provash që i konsideroi të reja.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura