Konsumuan titus, komisioni i disiplinës iu ul notën në sjellje 8 gjimnazistëve. Nxënësit ngrenë padi ndaj shkollës

Feb 23, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Për tetë gjimnazistët, të cilët përfunduan në spital pasi kishin konsumuar medikamentin titus, një lloj qetësuesi që përdoret kundër efekteve që shkakton droga, drejtoria e shkollës ka marrë masa disiplinore.

Shkolla e mesme Qemal Stafa

Mësohet se për disa prej adoleshentëve është dhënë masa disiplinore e uljes së notës në sjellje, për disa paralajmërim dhe dy të tjerë kanë marrë vërejtje.

PADITET SHKOLLA
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 4 shkurt të këtij viti, ku tetë nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet shfaqën probleme shëndetësore gjatë orës së mësimit dhe u dërguan në pavijonin e toksikologjisë në QSUT.

Shkak për këtë, sipas mjekëve ishte konsumimi i një lloj medikamenti me emrin titus, që ka zëvendësuar valiumin, i cili merret edhe nga personat që janë përdorues të lëndëve narkotike. Pas ngjarjes, drejtoria e shkollës ka ndërmarrë masa disiplinore për secilin prej gjimnazistëve, duke e përcaktuar si të patolerueshme sjelljen e tyre. Por ky qëndrim i drejtorisë nuk është pritur mirë nga prindërit, të cilët kanë ngritur padi në Gjykatë kundër shkollës. 

Përmes avokates së tyre, prindërit e njërës prej gjimnazisteve me inicialet E.D., e cilësuan të paargumentuar dhe aspak normal vendimin e Komisionit të Disiplinës për ulje të notës në sjellje. Sipas avokates Blerina Dodaj, ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur nxënësit ishin në shkollë dhe për gjithçka që ndodh brenda mureve të shkollës përgjegjësia direkte bie mbi institucionin dhe mësuesit.

Por, shqetësimi më i madh që kanë prindërit nuk është kjo masë disiplinore, por mënyra se si ajo është reflektuar tek adoleshentja, e cila është bërë pre e paragjykimeve dhe etiketimeve në ambientin e shkollës jo vetëm nga bashkëmoshatarët e saj por edhe nga më- suesit. Gjimnazistja E.D., ka marrë paralajmërim për ulje të notës në sjellje dhe sipas avokates e cila ka marrë përsipër çështjen, një vendim i tillë bie ndesh me Kodin Civil. Dodaj tha se vendimi nuk është i arsyetuar se mbi ç’bazë është mbështetur që është dhënë.

“Ka një vendim të Komisionit të Disiplinës, ku shprehimisht thuhet se pasi është diskutuar sjellja e patolerueshme e nxënëses së klasës së 11-të është marrë vendimi që E.D-së t’i jepet masa disiplinore paralajmërim për ulje të notës në sjellje. Kjo masë disiplinore është marrë në datën 10 shkurt. Në mosdakordësi me këtë vendim, ne do të bëjmë ankimimin e tij, fillimisht në Drejtorinë Arsimore të Tiranës, dhe më pas do ta referojmë në Gjykatën Administrative. Vendimi bie ndesh me Kodin Civil. Aty nuk përcaktohet saktësisht se mbi ç’bazë është dhënë, dhe mbi çfarë arsyetimi. Por ana ligjore është vetëm një aspekt. Tjetra ka të bëjë me praktikën e ndjekur nga shkolla. Nuk mund të dënosh një nxënës i cili ishte viktimë. Shkolla ka në dorë instrumente të tjera që mund të aplikojë”, tha avokatja.

NGJARJA
Nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet zhvillojnë mësim në dy shkolla të tjera, përkatësisht në shkollën “7 Marsi” dhe “Migjeni”. Pasditen e datës 4 shkurt, një nxënëse e vitit të parë, 16- vjeçarja me inicialet G.L., pasi ka konsumuar medikamentin e llojit titus, ua ka dhënë për ta pirë edhe 7 nxënësve të tjerë, shokë e shoqe të klasës së saj.

Prindërit e adoleshentes me inicialet E.D., pretendojnë se fëmija e tyre ka qenë viktimë në gjithë këtë situatë të krijuar. Ata bëjnë me faj shkollën që përkundrejt marrjes përsipër të përgjegjësive që i takojnë veproi duke i ndëshkuar për të dytën herë nxënësit.

Medikamenti titus
Mjekët sqarojnë se medikamenti i njohur me emrin titus është një lloj qetësuesi, që përdoret edhe nga personat që konsumojnë lëndë narkotike.

Ilaçi është një lloj pilule qetësuese, që së fundmi ka zëvendësuar valiumin, që ka dalë nga qarkullimi. Ky lloj medikamenti përdoret kryesisht për të qetësuar krizat e personave që përdorin lëndë narkotike. Mjekët thonë se ky lloj ilaçi është mjaft i fortë dhe nuk lejohet të konsumohet nga personat nën moshën 18 vjeç.

Sipas tyre, nëse konsumohet në sasi të madhe apo nën efektin e alkoolit, shkakton probleme të rënda shëndetësore. Ndërkohë, farmacistët nuk janë të autorizuar ta japin këtë medikament për moshat nën 18 vjeç.

Pinë qetësues kundër drogës, në spital 8 nxënës


Tetë nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” u shtruan në spitalin toksikologjik në QSUT për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga konsumimi i një lloj qetësuesi, kundër efekteve që shkakton droga.

Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, në datën 4 shkurt, rreth orës 17:00, në ambientet e shkollës “7 Marsi”, në Tiranë, ku zhvillojnë aktualisht mësim një pjesë e nxënësve të shkollës së mesme “Qemal Stafa”. Një nxënëse e vitit të parë, 16- vjeçarja me inicialet G.L., e cila është marrë në hetim nga Policia, dyshohet të jetë shkaktarja e kësaj ngjarjeje.

Nga Policia më- sohet se 16 vjeçarja pasi ka konsumuar vetë ilaçin ka nxitur edhe bashkëmoshatarët e saj. Pas disa orësh, 8 nxënësit kanë filluar të kenë probleme shëndetë- sore, të vjella dhe marrje mendsh e për këtë arsye janë dërguar me urgjencë në repartin e Toksikologjisë në QSUT.

Për ngjarjen është lajmëruar Policia e Tiranës dhe shërbimet e Komisariatit nr.3 kanë nisur hetimet, duke proceduar penalisht 16- vjeçaren G.L.. Nxënësit që u shtruan për mjekim në spital janë 15-vjeçarët me inicialet V.Dh., S.L., R.R. dhe E.N, si dhe 16- vjeçarët E.D., D.B. dhe A.P.

Nga rezultatet e analizave që u janë nënshtruar nxënësit mësohet se nuk ka pasur shenja apo të dhëna që të dëshmonin se ata kishin konsumuar lëndë narkotike. Ndërkohë hetimet e Policisë akoma nuk e kanë thënë fjalën e fundit. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura