Konsulli italian nuk ka mashtruar, pushohet çështja

Jul 25, 2016 | 14:03
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës pushon procedimin penal që Antikrimi Ekonomik kishte nisur para dy vitesh në ngarkim të shtetasit italian Massimiliano Nicolini, me akuzën e mashtrimit.

konsulli

Sipas vendimit të prokurorit të çështjes, në analizë të provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake, rezulton se nuk ka elementë të veprës penale “mashtrim”, ose të ndonjë vepre tjetër penale për konsullin italian, që ishte denoncuar në vitin 2014. Nicolini ishte kallëzuar për të njëjtën vepër penale nga 3 persona në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

I pari ka qenë fizioterapisti, Lori Zylaj, që e akuzonte për mosshlyerje pagesash, për të njëjtën gjë e ka kallëzuar edhe shtetasi Redjol Laraku dhe shtetasja Ardjana Hysa. Por sipas organit të akuzës, rezulton se shtetasi Massimiliano Nicolini ka pasur marrëdhënie kontraktuale me shtetasit e lartpërmendur lidhur me shërbime të ndryshme që zhvillonte gjatë aktiviteteve të tij, si drejtor ekzekutiv i fondacionit jofitimprurës “Caritate Christi Compulsi Balcan”, kjo edhe nga deklarimet e marra dhe ballafaqimet midis shtetasve.

Në rastin konkret, sipas Prokurorisë, marrëdhënia juridike midis dy subjekteve është kontrata si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja. “Mospërmbushja e detyrimeve që rrjedhin nga këto kontrata midis palëve, si dhe çdo mosmarrëveshje tjetër, nuk është objekt hetimi nga ana e organit të Prokurorisë, por duhet të zgjidhet me mirëkuptim nga palët ose me kërkesëpadi pranë Gjykatës Civile”, thuhet në vendimin e pushimit të çështjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura