“Konsiderohet si diçka e zakonshme”- Anketimi i OSBE të dhëna shqetësuese për dhunën ndaj grave në Shqipëri: Normat kulturore mbështesin…

Oct 8, 2019 | 20:46
SHPËRNDAJE

Një anketim i realizuar nga OSBE-ja, si pjesë e një projekti të zbatuar në Europën Juglindore dhe Lindore, nxori në pah të dhëna shqetësuese për dhunën ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri. 

Rezultatet, e bëra publike të martën, treguan se dhuna ndaj grave konsiderohet si dicka e zakonshme, dhe ajo denoncohet vetëm nga një numër shumë i vogël. “Turpi, frika nga dhunuesi, mungesa e besimit tek institucionet dhe mungesa e mbështetjes financiare i pengojnë gratë të denoncojnë. Normat kulturore që gratë duhet t’u binden burrave qoftë dhe për dhunën seksuale në marrëdhëniet intime kontribuojnë në tej për një mjedis që toleron dhunën ndaj grave. Boshllëqet në legjislacion dhe në zbatimin e tij vijojnë të mbeten të pranishme”, thekson studimi.

88DBF421-2A7E-45B2-87CC-A114E09EC732_w1023_r1_s

Sipas anketës “88 përqind e të intervistuarave (ose 9 nga 10) mendojnë se dhuna ndaj grave është e zakonshme dhe 53 përqind mendojnë se është shumë e zakonshme. Ndërsa 32 përqind e grave të anketuara pohuan se njohin personalisht dikë në mesin e familjes ose miqve të tyre dhe 37 përqind e njohin dikë në lagjen e tyre i cili është ushtruar dhunë”. Ndonëse në shumicë, gratë dhe vajzat pranojnë se kanë dëgjuar për shërbimet në dispozicion të grave të prekura “vetëm 1% e atyre që kanë provuar dhunë fizike dhe/ose seksuale kanë kontaktuar me strehimin e grave ose një organizatë mbështetëse të viktimave pas incidentit më të rëndë”.

Anketa zbulon gjithashtu se 1 në 5 gra apo vajza (22 përqind) “thonë se kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri ose jo partneri, që nga mosha 15 vjeç”. Ndërsa 1 në 3 gra, ose 34 përqind e të anketuarave “raportojnë se ata kanë përjetuar ngacmim seksual që nga mosha 15 vjeç, dhe 17 përqind, raportojnë se janë ngacmuar seksualisht në 12 muaj e fundit”.

Studimi dëshmon se “53 përqind e grave që janë ngacmuar seksualisht nuk folën me askënd për përvojat e tyre. Shumica e grave thonë se ato ishin në gjendje të merreshin me të vetë. Edhe pas incidenteve më serioze të dhunës fizike dhe/ose seksuale, 97 përqind e atyre që kanë provuar dhunën e partnerit nuk e kanë raportuar atë në polici. Kjo mund të lidhet me besimin, të mbajtur nga 48 përqind e grave, se dhuna në familje është “çështje private” që duhet të mbahet brenda familjes”.

Studimi arrin në tre përfundime kryesore. Së pari, se “normat dhe qëndrimet kulturore në Shqipëri mbështesin bindjen e grave ndaj burrave, dhe dhuna seksuale në marrëdhëniet intime partnere pranohet gjerësisht. Shumë gra në Shqipëri besojnë se gratë duhet t’i binden burrave të tyre, dhe dhuna seksuale brenda marrëdhënieve intime konsiderohet e përhapur dhe normale. Këto besime kontribuojnë në një mjedis ku dhuna ndaj grave tolerohet”.

Së dyti “dhuna ndaj grave është e raportuar më pak, dhe gratë nuk kanë qasje të vazhdueshme në shërbime ose duke marrë mbrojtje. Turpi, frika nga autorët, mungesa e besimit në institucione dhe mungesa e mbështetjes financiare paraqesin pengesa në raportim. Mekanizmi kombëtar i referimit është një hap në drejtimin e duhur për të adresuar këto pengesa, por duhet të bëhet më shumë në zhvillimin e kapacitetit të plotë të këtij sistemi”.

Së treti, studimi vëren se “ka boshllëqe në legjislacion, në zbatimin e tij dhe në mbledhjen e të dhënave. Si ekspertët ashtu dhe të mbijetuarat e dhunës shprehën besimin se ishte e rëndësishme të përmirësohen nivelet e ndjekjes penale të autorëve”, theksohet në përfundimet e raportit.

“Çdo rast i dhunës ndaj grave, qoftë ajo dhunë fizike apo dhunë psikologjike, është një shkelje e të drejtave të njeriut, pasi përbën shkelje të dinjitetit themelor njerëzor, të së drejtës themelore të njeriut për siguri fizike ose, në raste ekstreme, shkeljen e së drejtës për jetën”, tha ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt, gjatë paraqitjes së anketës. “Hapi i parë për zgjidhjen e çdo problemi është njohja e tij. Ky është sondazhi i parë që siguron prova të fortë, gjithëpërfshirëse të dhunës ndaj grave dhe vajzave, që janë të krahasueshme në rajon. Të dhënat tregojnë qartë nevojën për veprim. Gratë duhet të fuqizohen të raportojnë dhunën. Raportet e tyre duhet të merren seriozisht nga policia, prokurorët dhe gjykatësit, dhe autorët duhet të nxirren para drejtësisë”, theksoi ambasadori Borchardt./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura