Konsensusi që formoi Kosovën nuk ekziston më

Jul 4, 2020 | 10:18
SHPËRNDAJE

redi shehu

REDI SHEHU

Në kohën kur pritej të mbahej takimi i Uashingtonit mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, një manovër rrufe bëri që bisedimet që do të kurorëzoheshin në prani të Presidentit Trump, të dështonin brenda pak orësh. Prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale në Kosovë lëshon një akuzë të paprovuar akoma për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me motivin “krime ndaj njerëzimit”.

Kalibrimi i kujdesshëm i kohës së akuzës me axhendën e bisedimeve në Uashington, ishte thelbi i gjithë asaj që ndodhi. Akuza nuk ishte një procedurë rutinë. Akuza u kthye në këmbëzën e një arme për t’u shkrehur jo kundër z. Thaçi, por kundër vetë Kosovës dhe pavarësisë së saj.

I gjithë faktori ndërkombëtar është për bisedime Kosovë-Serbi, por jo të gjithë ndërkombëtarët e konceptojnë në mënyrë të njëjtë këtë dialog. Për disa, dialogu përdoret thjesht si anestezi kohore për të çuar kujtesën e përbashkët në një neurozë historike, në një kujtesë të deformuar ku përdhunuesi, vrasësi, masakruesi dhe ai që bën gjenocid ditën për diell në qindra mijëra vetë, kthehet në viktimën, e cila qan se nuk mund të bëjë tregti për shkak të taksës, ndërsa figura e kosovarit sot kthehet në vrasës dhe autor i “krimeve kundër njerëzimit”. Për disa të tjerë, bisedimet janë një etapë, së cilës duhet t’i vijë fundi me një produkt politik, i cili duhet të jetë Kosova e pavarur e njohur përfundimisht nga Serbia. Këto dy qëndrime kryesore mbi bisedimet dhe fatin e Kosovës, sot janë të trupëzuar brenda dy blloqeve të mëdha: Bashkimit Europian të përfaqësuar kryesisht nga GjermaniFrancë, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Askush nuk mund ta kishte imagjinuar se do ishte pikërisht Kosova simboli i çarjes së madhe mes politikave të boshtit euroatlantik, e cila kishte filluar krisjen që me ndryshimet politike në Uashington, por edhe me natyrën nacionaliste dhe sovraniste, me të cilën Bashkimi Europian po ndërtohej politikisht. Kosova sot përbën vetëm majën e dukshme të antagonizmit të brendshëm brenda këtij boshti. Në fakt, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, vetë Kosova përfaqëson një shtet simbol të marrëveshjes politike brenda Perëndimit dhe nëse do të ishte dikush që do ta rrëzonte këtë simbol, do të ishte pikërisht vetë Perëndimi, përmes shkatërrimit të konsensusit, pra, shkatërrimit të simbolit vetë. Në këtë kuptim, Kosova ndodhet në rrezikun më të madh ekzistencial të saj, sepse konsensusi, i cili prodhoi Kosovën, duket se nuk ekziston më.

SHBA-të janë qartësisht të deklaruara për përfundimin e status quosë vrasëse, e cila prej më shumë se një dekade e ka çuar në stanjacion vetë identitetin e shqiptarëve dhe jetën e tyre në Kosovë. Ata janë për një marrëveshje paqeje, ku Kosova të njihet nga Serbia, duke i hapur rrugë një shteti me të drejta të plota në OKB, një shteti në prosperitet dhe siguri të plotë. Kjo njohje nga Serbia i jep Kosovës në të njëjtën kohë edhe statusin e pacenueshmërisë si shtet, ndryshe nga situata aktuale ku ekzistenca e Kosovës është akoma ndërkombëtarisht e dobët e për rrjedhojë edhe pacenueshmëria nuk merr kuptim.

Për Kosovën, që nga viti 2010 kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e saj i dha të drejtë aktit të shpalljes së pavarësisë, gjërat kanë ardhur gjithmonë e duke u përkeqësuar. Nën petkun e dialogut me Serbinë në Bruksel, Kosova vetëm se ka humbur nga kredibiliteti i saj në arenën ndërkombëtare, por jo vetëm kaq, ajo në mënyrë të vazhdueshme është keqtrajtuar nga organizmat e Bashkimit Europian, të cilët, edhe pse i premtonin karotën, kurrë nuk qenë në gjendje të mbanin premtimet e veta në raport me të. Ndërkohë që BE i linte kosovarët në geto, pa viza, pa vizon e të ardhme të qartë, Serbia vazhdonte në etapat e saja integruese në BE, duke hapur negociatat për anëtarësim dhe duke shtuar influencën e saj në tërheqjen e njohjeve që shtete të ndryshme i kishin bërë pavarësisë së Kosovës. Po të vazhdonte kështu, kishte gjasa të ktheheshim ne epokën e para pavarësisë.

Në këtë pike, Shtëpia e Bardhë e kuptoi se BE nuk mund të ishte pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit dhe e pa të arsyeshme të ndërhynte direkt vetë për të përfunduar procesin e paqes mes dy vendeve. Është pikërisht kjo iniciativë amerikane në Kosovë, e cila, për hir të së vërtetës, u pa edhe në Shqipëri me Reformën në Drejtësi, që u kthye në uthullën për të prishur shijen europiane për Ballkanin. Ashtu si në Kosovë, ku të dyja, BE dhe SHBA, janë për dialog, por për mënyra të ndryshme të tij, edhe në Shqipëri ata janë për Reformën në Drejtësi, por për koncepte të ndryshme të implementimit të saj. Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias, sulmon direkt Reformën në Drejtësi ku nga gjashtë konstatimet e saj, në katër prej tyre bën përgjegjëse Reformën në Drejtësi për ngecjen sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ndërkohë që ambasadorja amerikanë në Tiranë, Yuri Kim, shprehet optimiste për këtë reformë, duke thënë se ajo është në një fazë rritjeje, “që tremb, por nuk kënaq akoma”. Tashme, kontradikta mes politikës së SHBA-ve dhe Europës lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë, ka mbërritur në një fazë të përparuar të dekadencës

Akuza e Gjykatës Speciale të Kosovës ndaj Presidentit Thaçi nuk është një akt ndaj një individi, duke e penguar fizikisht atë të shkojë në bisedime, por është një tentativë për të rifutur BE-në në tryezën Kosovë-SerbiSHBA, të cilën Trump, me anë të përfaqësuesit të vet, Grenell, e kishte programuar pa pjesëmarrjen e burokratëve të BE-së. Akuza e Gjykatës Speciale ndaj z.Thaçi pak orë para nisjes në Uashington, ishte mënyra më e ulët dhe më jodiplomatike e mundshme.

Si kryenegociator për palën kosovare, mungesa e z.Thaçi do të thoshte anulim të marrëveshjes në Uashington. T’i lëmë hipokrizitë, të gjithë e dimë që Presidenti Thaçi i vetëm nuk mund të jetë aktori i një loje kaq të madhe. Ai, në fakt, nuk ka qenë kurrë i tillë. Ai është thjesht mjeti, me të cilin amerikanët duan të mbyllin një marrëveshje për njohjen përfundimtare të Kosovës shtet edhe nga Serbia. Thënë thjesht, çdo sulm ndaj Presidentit të Kosovës lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, ka qenë sulm ndaj diplomacisë amerikane. Nga krahu tjetër, diplomacia europiane e ngarkuar historikisht me ndjenja pro serbe ka provokuar gjithmonë artifica, përtej gjuhës diplomatike, për të penguar dhe vonuar një shtet real kosovar. Rikthimi i mundshëm i BE-së në tryezën e bisedimeve nuk është një lajm i mirë për shqiptarët në përgjithësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura