Konsensusi, i vështirë/ Sot zhvillohet raundi i parë për kreun e shtetit pa asnjë emër të propozuar, hap pas hapi deri në zgjedhjen e Presidentit të ri

May 16, 2022 | 7:41
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Mazhoranca dhe opozita do të mblidhen sot në seancën e parë për Presidentin e ri të vendit pa asnjë propozim.

presidenti

Afati i fundit i dorëzimit të kandidatura ishte dje ndërsa ditën e sotme më datën 16 maj ora 10:00, mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave për President, por nuk ka asnjë emër.

Kurse në orën 17:00 deputetët do te jene në seancë plenare për raundin e parë që do të ezaurohet me zero kandidatë pasi nuk ka asnjë kandidat të propozuar nga të dyja palët. Ashtu siç kishte paralajmëruar, mazhoranca nuk çoi asnjë emër kandidati për president në raundin e parë, duke i hapur rrugën opozitës, por edhe këto të fundit nuk u dakordësuan. Me djegien e votimit të parë, konferenca e kryetarëve do te përcaktoje datën për raundin e dytë. Zgjedhja e Presidentit kalon në 5 raunde në Kuvend.

Në 3 raundet e para kandidati duhet të marrë 3/5 e votave në Parlament, ose 84 vota. Kushtetuta parashikon që ajo të zhvillohet 7 ditë nga zhvillimi i raundit të parë. Për aq kohë sa deri në raundin e tretë kërkohen 84 vota për të zgjedhur pasuesin e Ilir Metës, konsensusi mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës është kusht.

Sipas nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, që ka jetuar jo më pak se 10 vitet e fundit në Shqipëri dhe ka mbushur moshën 40 vjeç.

Por, këto kritere nuk mjaftojnë që dikush të jetë kandidat. Që një kandidaturë të konsiderohet e vlefshme, duhet që jo më pak se 20 deputetë ta propozojnë në Kuvend. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Mandati i Ilir Metës si President zgjat deri më 24 korrik. Mandati i Presidentit është 5-vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhje.

Në Kushtetutë parashikohen edhe rastet ekstreme. Nëse presidenti nuk zgjidhet as në raundin e pestë, Kuvendi shpërbëhet. Ndërsa i vetmi rast që mund t’i zgjasë mandatin Metës përtej 24 korrikut do të ishte shpallja e gjendjes së luftës. Të premten u zhvilluan negociatat mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe dy grupeve të vogla opozitare, ndërkohë që grupi parlamentar i Partisë Demokratike refuzoi t’i përgjigjej ftesës së socialistëve.

Në emër të grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj këmbënguli që fillimisht të përcaktoheshin kriteret dhe se palët duhet të bien dakord që kandidatura për presidentin të propozohej nga opozita. Alibeaj u shpreh i hapur për të negociuar një prej kritereve në draftin që mban firmën e tij atë të Presidentit jo politik.

Ndër të tjera, Alibeaj tha se kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin të caktojë e vetme Presidentin e Republikës, e për këtë solli në vëmendjen vendimin e DASH-it për “non grata”-t. Shpëtim Idrizi ndonëse theksoi se kishte ardhur koha të flitet me emra, u shpreh kundër kriterit të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, për një president jo politik.

Kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla theksoi se po tentohet për një kandidat të gjithë pranuar nga palët, ndonëse të hënën raundi i parë me shumë gjasa do të ezaurohet pa një emër.

“Nuk shoh asnjë vështirësi në këtë aspekt. Ajo që kemi thënë që në ditën e parë është që ne duam të kemi një kryetar shteti i cili të plotësojë atë që thotë Kushtetuta, të jetë një personalitet i gjithëpranuar dhe të tërheqë sa të ketë mundësi dëmin e madh që i ka shkaktuar zyrës së presidentit Presidenti në largim. Kandidati që do të marrë shumicën e votave duhet të jetë tërësisht i ndryshëm nga Ilir Meta. Në 24 korrik, Presidenti ose Presidentja e re do bëjë betimin sipas afateve kushtetuese”, deklaroi kreu i deputetëve të PS-së.

NENI 87 I KUSHTETUTES, SI ZGJIDHET PRESIDENTI

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat;

2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni;

3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit;

4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues;

5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura