Konsensus apo komprometim

Jun 28, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Nevoja për miratimin e Reformës në Drejtësi nuk ka si të mos jetë në rend të ditës. Fjala nuk është për një reformë, rrënjët e së cilës të jenë në interesat e njohura të kësaj apo asaj pale apo individësh të veçantë, por të të gjithë qytetarëve të vendit, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre, larg interesave politike të çastit. Nevojat reale kërkojnë një sistem drejtësie të pavarur, sa më eficient dhe të besueshëm.

Me të drejtë, njerëzit në përgjithësi dëshirojnë një reformë të suksesshme, duke e parë atë ndërkohë si bisturinë më të mirë për eliminimin e pjesëve të infektuara keq të sistemit tonë politik dhe kushtetues. Në këtë rrugëtim ka qenë dhe është detyrë e qeverisë të gjejë rrugët e zgjidhjes me krahun tjetër. Kompromisi, konsensusi, të cilët janë lakuar dhe lakohen jo pak nga forcat politike dhe ndërkombëtarët, nuk janë rrugë të pamundura.

Por kjo, nga ana tjetër, nuk nënkupton kurrsesi komprometimin e draftit ekzistues. Sepse nuk mund të kesh sjellje të dyfishtë: edhe të flasësh për legjitimitetin e reformës, edhe komprometim të saj. Të dyja këto të fundit nuk mund të rrinë bashkë. Qeveria, në mënyrë të veçantë, si organ ekzekutiv, nuk mund të mbetet në fjalë të përgjithshme.

Besimi tek ajo për një reformë të ashpër zbehet, kur njerëz të lakuar për korrupsion, vazhdojnë të ngrohin kolltukët, sikurse mund të jetë kjo dhe në legjislativ. Pra, të inkriminuar në drejtimin e partisë, në bashkitë, në këshillat bashkiakë, të cilët nuk ndihen të kërcënuar, kanë kështu edhe mbrojtjen personale të drejtuesve më të lartë.

Duke mos e bërë ti këtë pastrim i pari, atëherë ashpërsia që predikon, vështirë se do të jetë e tillë; për rrjedhojë, ata apo kopje të tyre do të vinë dhe nesër në organet, institucionet e tua. Reformimi i sistemit të drejtësisë do të thotë përkushtim për standardet europiane, integrimin europian të vendit.

Kështu, me veprime konkrete në dobi të Reformës në Drejtësi, faji, sikurse vihet re, nuk do të kërkohet te drafti, as tek ambasadorët Lu dhe Vlahutin, as te Komisioni i Venecias, por te vetja, si te kreu i ekzekutivit apo i partive në koalicionin qeverisës a në opozitë. Ana tjetër: Kërkimi i konsensusit. Bëhet mirë që flitet për të.

Ai është tepër i rëndësishëm për një vend demokratik dhe bën që Drejtësia të luajë rolin e saj të vërtetë. Por, konsensusi nuk mund të arrihet me një politikë konfliktuale. Nëse priresh si ekzekutiv, por edhe si opozitë, për ta pasur nën sqetull Drejtësinë, reformimi i këtij sistemi mbetet fjalë në erë, duke mos i shërbyer kurrsesi atij dhe për pasojë, as shoqërisë sonë.

Sigurisht, një prirje e tillë u konvenon “të kapurve” të të dyja palëve, në brendësi të të cilëve janë prezentë shqetësimi, frika, se një ditë u duhet të japin llogari për zullumet e bëra. Krahas kësaj, krijohet përshtypja, sikur ky konsensus, aq shumë i përfolur, merr përmasat e një çelësi magjik, kur përsëri jemi në qerthullin politik. Madje, disa shkojnë më tutje kur e shohin atë dhe si të tillë, që rrezikon paqen në vend etj.

Konsensusi nuk është gjithçka. Vendi nuk mund të mbahet më tej peng. Gjithnjë do të nxirren pretekste të ndryshme, kjo, edhe për arsyet që nënvizuam më lart. Kështu konsensusi mund të përfundojë në kalendat greke.

Ndryshe, nuk ka si shpjegohet, që opozita vazhdon të këmbëngulë në kërkesën për vendet e rezervuara për katër institucionet e Drejtësisë: Këshilli i Lartë i Gjykatës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ose, po flitet për Vetingun apo më shqip, për verifikimin e figurave të gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, aftësitë e tyre në këto pozicione, për marrëdhëniet që mund të kenë me botën e krimit.

Kërkohet që kjo të mos bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Dhe pse? Në emër të moscenimit të sovranitetit të vendit. Me këtë kërkesë u bashkua këto ditë dhe një nga deputetët e shumicës. Kjo nuk ka nevojë për koment të mëtejshëm. Halli është gjetkë, të ruhet statuskuoja e të inkriminuarve.

Partnerët ndërkombëtarë, me ecejaket e tyre, shpesh duke dalë nga kostumi i diplomatit, e kanë rritur presionin mbi forcat tona politike, kundër çdo zvarritjeje në këtë drejtim. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn, nxit palët “të gjejnë kompromise për çështje të mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draft-reformës, të pranuar ndërkombëtarisht”.

Miratimi i saj shihet si përparësia më e madhe për progresin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në vështrimin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank –Walter Steinmeier, gjatë vizitës zyrtare të kohëve të fundit në Shqipëri, projekti i Reformës në Drejtësi vlerësohet si i tillë, që jep garanci dhe do të krijojë premisa për luftën kundër korrupsionit, sepse Shqipëria ka nevojë të jetë demokratike.

Kështu, vështirë të zgjatet më tej miratimi i kësaj reforme. Shoqëria jonë e kriminalizuar, dhe pse jo me shumë besim, e ndien megjithatë erën e saj, të një sistemi drejtësie të pavarur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura